Në kohëra trazirash – luftërash, katastrofash natyrore, epidemish – studiuesve u duhet të vlerësojnë me shpejtësi numrin e të vdekurve, dhe zakonisht përdorin një metrikë të përcaktuar, por të besueshme: vdekshmërinë që është mbi normën e zakonshme.
Pra një krahasim i vdekjeve të pritshme, me ato që kanë ndodhur në të vërtetë. Dhe për shumë shkencëtarë, është mënyra më e saktë për të vlerësuar ndikimin e pandemisë aktuale. Ajo mund t’i ndihmojë epidemiologët të bëjnë krahasime midis vendeve, dhe për shkak se mund të llogaritet shpejt, mund të identifikojë vatrat më të nxehta me Covid-19, që përndryshe do të kishin mbetur të pazbuluara.
Sipas të dhënave nga më shumë se 30 vende, për të cilat janë në dispozicion vlerësimet e vdekjeve mbi normën mesatare, ka pasur rreth 600.000 më shumë vdekje sesa normalisht për periudhën midis fillimit të pandemisë dhe fundit të korrikut (413.041 prej tyre, iu atribuan zyrtarisht Covid-19).
Por edhe metodologjia ka disa defekte. Ajo s’mund të bëjë dallimin midis atyre që po vdesin nga sëmundja, dhe atyre që i nënshtrohen faktorëve të tjerë që lidhen me pandeminë, si ndërprerja e kujdesit të rregullt shëndetësor, gjë që mund të vonojnë trajtimet mjekësore, apo faktin që nga frika e infektimit njerëzit nuk kërkojnë kujdes mjekësor.
Ai mbështetet tek raportimi i saktë në kohë i vdekjeve, dhe ky ka kufizimet e veta për shkak të sistemeve të pazhvilluara të regjistrimit të vdekjeve, apo edhe rasteve kur numri mund të fshihet qëllimisht. Dhe ashtu si me shumë aspekte të tjera të pandemisë, statistikat në shumë vende janë politizuar, dhe kjo shihet si një mënyrë që vendet të pretendojnë epërsinë mbi njëra-tjetrën.
Ekspertët shqetësohen se raportet e vdekjeve mbi normën, kanë çuar në krahasime të parakohshme apo të gabuara të reagimeve të vendeve ndaj pandemisë, duke çuar në injorimin e situatës në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme, për shkak të mungesës së të dhënave.
Ndërkohë, ka mënyra më të sofistikuara për të kategorizuar vdekshmërinë, dhe për të zbuluar se sa njerëz vdiqën si rezultat i drejtpërdrejtë i infeksionit me SARS-CoV-2, dhe sa vdekje ndodhën për shkak të faktorëve të tjerë të lidhur me pandeminë.
Demografët dhe studiuesit e shëndetit publik, do të kenë mjaft informacione më të detajuara nga certifikatat e vdekjeve. Më pas, ata do të jenë në gjendje të vlerësojnë se cilat ndërhyrje kanë funksionuar më mirë, për të orientuar mbi masat e ardhshme kundër pandemisë.
Por versione më të sofistikuara të matjes, modelojnë mënyrën se si po plaket një popullsi, apo si po ndryshon ajo si rezultat i imigracionit dhe emigracionit. “Nature” mblodhi shifra nga disa baza të dhënash të grumbulluara nga demografët për “The Financial Times” dhe “The Economist”, dy nga grupet më të plota të të dhënave për vdekjet mbi normën.
Edhe pse mbulimi nuk është universal – analizon vetëm 32 vende (kryesisht në Evropë) dhe 4 qytete të mëdha – ai përfshin gjithsesi shumë vende me shpërthime të mëdha epidemike, dhe rreth 2/3 e numrit zyrtar të vdekjeve nga Covid-19 deri në fund të korrikut.