Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka deklaruar se Partia Socialiste në krye të agjendës së saj ka rindërtimin dhe çështjet të cilat lidhen drejtpërdrejtë me mirëqenien e qytetarëve.
Duke folur në një intervistë të dhënë për “Report TV” mbi takimin e zhvilluar një ditë më parë nga Kryeministri Edi Rama me kryebashkiakët socialistë, ku kreu i Bashkisë së Tiranës është dhe drejtues politik i këtij qarku, Veliaj tha se orientimi kryesor politik është drejt punëve publike.
“Partia Socialiste është një parti, jo vetëm më e madhja, më patriotikja dhe ndoshta më jetëgjata në menaxhimin e punëve të vendit, por është edhe një nga partitë më të disiplinuara. Ne nuk besojmë që fushata është bixhoz. Ne nuk besojmë që rrëmuja, ulërima, sharjet që karakterizojnë tipikisht fushatat në Shqipëri, janë zgjidhja. Ne besojmë në një parti që i fillon punët mbarë, punën e sotme nuk e lë për nesër, merr dhe bën një llogari të arritjeve që ka pasur, të punëve që janë bërë, të kritikave, vërejtjeve, pakënaqësive, mërive që mund të ketë në komunitet. Unë jam vetë drejtues i punëve në Tiranë. E di që Tirana ka 10 mijë rrugë, mund të kemi bërë 8000, por ka edhe 2000 të tjera për të bërë. Është vetëm çështje kohe, teksa ne ekspandojmë në çdo lagje. Është më mirë kur ne takohemi, kur ne shohim se si po ecin punët në varësi edhe të çështjeve. Disa Bashki kanë fokus çështjen e rindërtimit, disa të tjera sapo mbaruan sezonin më të çuditshëm turistik që ka pasur ndonjëherë Shqipëria, prej historisë së pandemisë. Për të gjitha këto arsye, ishte një takim mobilizimi, përveshjes së mëngëve, për një fitore tjetër të Partisë Socialiste në krye të punëve të vendit, jo vetëm sepse nuk ka alternativë përballë, por sepse ne besojmë që ky mision është ende i papërfunduar, si në qytetet ashtu edhe në gjithë punët e vendit”.
Duke folur konkretisht për kryeqytetin, kryetari i Bashkisë Veliaj tha se fokusi është rindërtimi i shtëpive të atyre që kanë humbur strehën pas tërmetit të 26 Nëntorit të shkuar.
“Një familje e mirë gjërat e rëndësishme nuk i le pa bërë dhe nuk zgjedh mes një fëmije, apo një fëmije tjetër. Unë besoj që sfida jonë është të mos zgjedhim, – do bëjmë rindërtimin, do vazhdojmë me investimet, apo do bëjmë shkollat, parqet, rrugët, sheshet, apo mbjelljet e pemëve tani që afron sezoni, – ne do t’i bëjmë të gjitha,” tha ai.
Për çështjen e rindërtimit Veliaj u shpreh se janë tashmë në proces 1000 shtëpitë e para të cilat do të jenë gati të presin familjet para Vitit të Ri.
“Janë ato shtëpitë që janë si minivila, pra shtëpitë private që ne i quajmë individuale, monofamiljare, kryesisht në zonat rurale, aty ku kanë qenë edhe shtëpitë e vjetra të ndërtuara që në kohën e pasluftës. Familjet e këtyre shtëpive do të futen të gjitha në shtëpi para Vitit të Ri. Nuk do kalojmë në vit elektoral për ta mbajtur këtë premtim dhe për ta ruajtur në fushatë. Siç kemi thënë, brenda këtij viti të gjitha familjet që janë pjesë e këtij procesi të rindërtimit do të strehohen në shtëpi të reja me çelësa në dorë dhe me të gjitha kushtet e lidhjes së rrjetit, të energjisë, të ujit. Kështu që, njëherë e mirë ne e shkëpusim këtë zinxhir të varfërisë, sidomos në zonat rurale, prej këtyre shtëpive dhe infrastrukturës së dërrmuar që këtu e shumë vite përpara”.
Veliaj foli edhe për 2 blloqet e mëdha të pallateve që do ngrihen në kryeqytet.
“Sfida e dytë ka të bëjë me hedhjen e themeleve që do fillojë që këtë vit, nuk do presim ta bëjmë në fushatë, do ta bëjmë tani, sepse tani e kemi premtuar për lagjet e reja te “5 Maji” dhe në Kombinat. Do kemi 2 lagje që do ngrihen, e thënë në mënyrë metaforike nga hiri i Feniksit, nga rrënojat e tërmetit, sepse nuk lëmë punë për ditë fushate. Punët e sotme i bëjmë sot dhe jo nesër. Këto janë çështje sensitive sepse kanë të bëjnë me çështjet e tërmetit,” u shpreh Veliaj, duke shtuar ndërkohë se edhe ata që kanë pasur dëmtime të lehta të banesave do të dëmshpërblehen deri në qindarkën e fundit.
“Këshilli Bashkiak do të mblidhet prapë nesër, do të kalojmë qindra pagesa të tjera cash për ata që kanë pasur dëmtime, që më në fund kanë sjellë dokumentet. Një pjesë e qytetarëve kanë qenë me pushime, mirëkuptohen, i kemi pritur dhe nesër kalojnë prapë disa qindra pagesa të tjera. Prapë nuk do presim fushatën, puna e sotme nuk lihet për nesër, ne do i bëjmë pagesat sot. Kurse në fushatë do të shpalosim idetë tona se si do të vazhdojë puna më tej, jo vetëm në nivel qendror, por edhe në nivelin e bashkive tona,” deklaroi më tej Veliaj.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës ka ftuar edhe njëherë kryetarin e PD, Lulzim Basha të ballafaqohet në fushatën e ardhshme me qytetarët e Tiranës për punën e 4 viteve kur drejtonte Bashkinë e Tiranës.
“Duke qenë se në fushatë është populli që interviston ata që aplikojnë për punë, secili prej nesh kur intervistohet për punë, qoftë edhe ju si gazetarë, pyetja e parë që ju bëhet është: Ku keni punuar më parë? Pyetja e dytë është: Si keni punuar më parë? Kështu që, pyetja për Lul Bashën me shokë është, ku kanë punuar më parë? Përgjigja është: Në Bashki të Tiranës. Teksa intervistoheni nga populli për të marrë një punë më të rëndësishme duhet të jepni një llogari dhe të jeni transparentë. Pse nuk punonte sahati për 4 vite? Pse qyteti nuk pastrohet? Pse nuk u mboll një pemë? Pse nuk u ndërtua një shkollë?”
Zdroms bythqir