Nga Kristaq Xharo
Titulli i këtij shkrimi i referohet kryeministrit të famshëm britanik Çurcill. Me këtë thënie, ai hodhi idenë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ndërsa rendi botëror kishte hyrë në krizë totale, strategu britanik ndërtonte të nesërmen, për një epokë të re duke e quajtur luftën një krizë të mirë që nuk duhet lënë të humbas …
Kriza Greqi – Turqi, vështirë të krahasohet me atë që mendonte Çurcill, por mbetet përsëri një krizë prej nga mund të reflektohet. Është një model krize e mundshëm i transferueshëm përtej Egjeut e jo vetëm në det… Megjithëse e ‘mbuluar’, kriza në thelb ka mosmarrëveshje për çështje kufijsh. Fatkeqësisht në Ballkan ato gjenden në çdo kohë dhe gati në çdo pjesë. Analiza dhe vlerësimi i kësaj krize, veçanërisht tani që krahas Egjeut, Greqia kaloi në Jon është një domosdoshmëri. Ndoshta, shteti orienton institucione, plotëson strategjinë dhe taktikat, ngre skenarë, shton informacionin dhe nxjerrë mësime nga kjo krizë. Me të njëjtin qellim, ky shkrim afron disa premisa të cilat mund të zgjerojnë debatin për sot dhe nesër…
Së pari, a është kriza e Egjeut një krizë e ‘mirë’…? Në fjalorin e Kembrixhit, kriza përcaktohet si ‘…kohë e një mospajtushmërie, konfuzioni dhe vuajtje të madhe…’ Në të vërtetë duket paradoks që një krizë ta quash ‘të mirë’. Por, ideja e Çurcillit në përdorimin e termit ‘krizë e mirë’ lidhej me mundësinë që prej kësaj krizës të nxirën mësime. Ky është mësimi i parë prej krizës së Egjeut sot, e për Jonin nesër. Kriza e Egjeut nuk është e veçuar nga konteksti rajonal edhe pse ajo i përngjan një konflikti të ‘ngrirë’ mbi 50 vjeçar, që në formën e tanishme është shfaqur jo më pak se 6 herë. Kjo krizë buron nga shkaqe që janë të pranishme në gjithë rajonin e Ballkanit. Ndërthurja e kufijve dhe e popullsive krijojnë momente, që të përziera me interesa politike, ekonomike, kulturore, nacionale e religjioze apo çdo lloj tjetër do të mjaftonte një shkëndijë e vetme për tu gjeneruar në krizë e konflikt. Njohësi i mirë i çështjeve të Ballkanit Robert Kaplan, në një analizë të tij duke ju referuar konflikteve të pas ’90 në Ballkan shprehet se ‘…për aq kohë sa perëndimi nuk arrin të perceptojë interes jetësor në rajon, shtetet e këtij rajoni veprojnë si fëmijët, që luajnë në oborrin e shkollës të pa mbikëqyrur nga mësuesi dhe ku loja dhe konflikti ndahen nga një vijë e hollë…’
Së dyti, a është kriza e Egjeut një model për tu transferuar në Jon? Kriza e Egjeut është e mundshme për tu transferuar në Jon. Por, ndërsa, në Egje kanë hyrë në lojë të gjithë instrumentet e fuqisë të dy kombeve, nuk besohet se në Jon do të luhet i njëjti skenar. E ngecur në ishujt e Egjeut, Greqia hapi ‘frontin e dytë’ në Jon, si për konsum të brendshëm, por edhe si mënyrë për të ruajtur ritmin e ofensivës në det dhe ndoshta edhe për të krijuar precedentin. Më tepër se për një marrëveshje të drejtë, vendi fqinj i ngrirë në juglindje interesohet për një ‘fitore’ në veriperëndim. A do imitojë fqinji demonstrimin e instrumenteve të fuqisë edhe në Jon, mbetet për tu parë, por jo vetëm. Greqia ndoshta nuk do të zhvendoset edhe ushtarakisht në Jon pasi nuk ka luksin të zbraz Egjeun, por gjithë instrumentet e tjerë të fuqisë mund të transferohen në të njëjtin model. Në parantezë, në pamundësi për tu balancuar edhe ushtarakisht, mund të vlerësojmë të gjithë instrumentet e tjerë të fuqisë.
Së treti, shtetet apo organizatat ndërkombëtare në menaxhimin e krizave…? Vendet e vegjël janë përdoruesit më të mëdhenj të organizatave ndërkombëtare, por jo ata që i dirigjojnë ato – thotë David Mitran. Roli i OND është i pamohueshëm, por ato kanë vështirësi në menaxhim krizash. Kriza midis Greqisë dhe Turqisë rihapi dilemën e rolit të strukturave ndërkombëtare dhe ky është një mësim i ‘mirë. Nuk ka mundur NATO, dhe aq më pak BE, OSBE apo Këshilli i Sigurimit të bllokojnë përplasjet në det, tokë dhe ajër të dy vendeve, sepse ato (OND) janë krijuar për tu përballur kryesisht me ‘armiq të jashtëm’, ndërsa në kontekstin e brendshëm vetëm me aktorë jo-shtetërorë. Të gjitha OND funksionojnë mbi bazën e pajtueshmërisë së plotë, por kur kriza ka autorë vendet anëtare, organizatat ‘bllokohen e humbasin’ fuqinë e marrjes së vendimeve. Greqia dhe Turqia janë anëtarë të NATO-s, për më shumë se 50 vjet, por të paktën në gjashtë kriza të përsëritura, vetëm SHBA dhe Britania kanë arritur të parandalojnë luftën midis ‘aleatëve armiq’. Ndoshta një konceptim për OND vlen edhe për vendin tonë.
Së katërti, fuqia kombëtare…? Në krizat midis shteteve demonstrohen hapur balancat e fuqisë. Strategjia kombëtare nuk është asgjë më shumë se përdorimi i fuqisë për interesat kombëtarë. Është ky rol i fuqisë që Morgenthau e konsideron atë si të vetmen ‘monedhë të shkëmbyeshme’ në arenën ndërkombëtare. Shtetet hyjnë në lojë përmes përmes fuqisë dhe janë aq të pavarur sa fuqia që zotërojnë. Edhe kriza midis Turqisë dhe Greqisë demonstron dukshëm garën e fuqisë. Edhe pse nën ombrellën e fuqive të mëdha dhe organizatave ndërkombëtare, shtetet e tjerë të Ballkanit ndjekin të njëjtin logjikë dhe linjë. Janë pak vende në rajon që i mungojnë kësaj gare, jo se ato i kanë ‘shpëtuar’ krizave, por pafuqia ekonomike po aq sa edhe dehja në ‘paqen e përjetshme’ të Kantit i ka zhvendosur nga balanca e fuqisë. Nevoja për kapacitete fuqie, qoftë edhe minimale, janë një domosdoshmëri. Këtë e shpreh ‘artikulli 4’ para se të mbërrihet të ‘artikulli 5’ i NATO-s.
Në përfundim: besohet që përballja në Jon është çështje e interesit kombëtar ndaj do të jetë shumë më e rëndësishme se ajo në 25 prill, për të cilën ‘lufta’ ka filluar që 8 muaj para. Artileria, aviacioni dhe silurët po hidhen ndaj njëri-tjetrit. Por, ajo që do ti mbetet historisë është përballja në Jon, edhe sikur betejat elektorale të rikthenin ekuinoksin pranveror.
* Ky shkrim është ekstrakt i diskutimit në simpoziumin “ Delimitimi e kufijve detarë si fundi apo fillimi i një ‘konflikti’…” zhvilluar në Universitetin Europian të Tiranës.