Lufta, presidenti i Azerbajxhanit: Ne do t'u përgjigjet të gjitha këtyre krimeve të Armenisë

11 Tetor 2020, 16:55Bota TEMA

Presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, deklaroi se qeveria armene është përgjegjëse për sulmin në Ganja dhe paralajmëroi përgjigje nga vendi i tij, transmeton Anadolu Agency.

Aliyev, në një deklaratë në llogarinë e tij në Twitter, vuri në dukje se Armenia shkeli haptazi armëpushimin dhe kreu një sulm me raketa ndaj civilëve në Ganja, qytetin e dytë më të madh të Azerbajxhanit.

Duke e cilësuar sulmin si “krim lufte”, Aliyev deklaroi se Armenia shkeli publikisht Konventat e Gjenevës.

“Sulmi është një tjetër manifestim i fashizmit armen dhe mosrespektim i negociatave të zhvilluara nën ndërmjetësimin e Rusisë. Këto sulme të neveritshme nuk mund të thyejnë kurrë vullnetin e popullit azerbajxhanas”, tha Aliyev.

Aliyev theksoi se sulmi me raketa ndaj qytetit Ganja u krye nga qyteti Vardenis i Armenisë, duke shtuar se 41 civilë humbën jetën dhe më shumë se 200 civilë u plagosën në sulmet e Armenisë në dy javët e fundit.

Aliyev deklaroi se Armenia synon të ripushtojë zonat e çliruara nga pushtimi nga ushtria azerbajxhanase.

“Kryesia ushtarake dhe politike e Armenisë është përgjegjëse për të gjitha këto krime. Azerbajxhani do të japë përgjigjen e nevojshme për të gjitha këto”, u shpreh Aliyev.

Ndryshe, Armenia sot sulmoi me raketa qytetin azerbajxhanas Ganja, duke shkaktuar 9 të vdekur dhe 34 të plagosur, ende pa kaluar 24 orë nga armëpushimi i përkohshëm që hyri në fuqi më 10 tetor.

Armenia dhe Azerbajxhani në një takim në Moskë ranë dakord që nga 10 tetori në mesditë të shpallet armëpushim për qëllime humanitare për shkëmbimin e të burgosurve dhe trupave të të vrarëve.

Marrëdhëniet midis dy ish-republikave sovjetike kanë qenë të tensionuara që nga viti 1991, kur ushtria armene pushtoi Malësinë e Karabakut ose Nagorno-Karabakun, një territor i njohur ndërkombëtarisht i Azerbajxhanit.

Rreth 20 për qind e territorit të Azerbajxhanit ka qenë nën okupimin ilegal të Armenisë për rreth tri dekada.

Katër rezoluta të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe dy rezoluta të Asamblesë së Përgjithshme të OKB, si dhe shumë organizata ndërkombëtare, kërkojnë tërheqjen e forcave pushtuese.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje