OBSH: Viktimat nga Covid-19 në Europë do të jenë 5 herë më shumë se në prill

16 Tetor 2020, 11:54Bota TEMA

Numri i viktimave nga koronavirusi në Europë mund të jetë muajt e ardhshëm katër ose pesë herë më i madh sesa në prill. Ky është paralajmërimi i fundit i Organizatës Botërore të Shëndetësisë pasi nëntë vende europiane raportuan të mërkurën një numër rekord të infeksioneve të reja.

Dr Hans Kluge, drejtori rajonal i OBSH-së për Europën, tha të enjten se Europa kishte regjistruar numrin e saj më të lartë javor të rasteve të reja Covid-19 dhe se virusi po përhapej përsëri me shpejtësi në të gjithë kontinentin.

“Situata epidemiologjike në Europë ngre shqetësim të madh: rastet e përditshme janë rritur, numri i të shtruarve spital janë rritur dhe Covidi është tani shkaku i pestë kryesor i vdekjeve” në kontient, duke vrarë më shumë se 1.000 njerëz në ditë”, tha ai.

Por Kluge tha se kishte arsye për optimizëm sepse situata nuk ishte e njëjtë si gjatë valës së parë të pandemisë dhe kontrollet më të forta të futura nga shumë vende europiane këtë javë mund të shpëtonin qindra mijëra jetë.

“Ne jemi duke regjistruar dy deri në tre herë më shumë raste në ditë krahasuar me prillin, por pesë herë më pak vdekje” tha ai. “Pandemia sot nuk është e njëjta si pandemi si dje, jo vetëm për sa i përket dinamikës së transmetimit të saj, por edhe në mënyrat se si jemi përgatitur tani për ta përballuar atë.”

Kluge tha se rastet e konfirmuara në 53 vende të Europës kishin arritur një rekord prej 7 milion në 10 ditë. Por ai tha se rritja e testimit ishte pjesërisht përgjegjëse për rritjen e rasteve të konfirmuara, ndërsa transmetimi më i madh midis të rinjve, plus përgatitja e spitaleve për të menaxhuar raste të rënda, po ndihmonte në uljen e shkallës së vdekshmërisë. Por situata pritet të përkeqësohet në nëntor dhe dhjetor.

Modelet e OBSH parashikojnë se vdekjet ditore për shkak të Covid-19 mund të jenë pesë herë më të lartat në janar të vitit të ardhshëm, tha Kluge. Por masat parandaluese mund të jenë një faktor kyc për frenimin e pandemisë.

“Veshja e maskave së bashku me kontrolle të rrepta mund të shpëtojë deri në 281,000 jetë deri në 1 shkurt” tha ai. “Kufizime më të rrepta, të shpallura nga disa vende europiane si Holanda, Spanja dhe Franca dhe Republika Çeke, ishin të mira sepse ishin plotësisht të nevojshme”, tha Kluge.

“Ato janë përgjigje e përshtatshme dhe e domosdoshme.  Të dhënat na tregojnë se transmetimi i virusit ndodh në shtëpi dhe vende të mbyllura publike, dhe brenda komuniteteve që nuk zbatojnë mirë masat e vetë-mbrojtjes”.

Ndërkohë që provat klinike të vaksinave kundër koronavirusit të ri po ecin përpara, Brukseli po u kërkon qeverive të BE të përgatisin plane vaksinimi.

Spitalet dhe shërbimet e vaksinimit duhet të plotësohen si duhet me punëtorë të aftë të pajisur me mjete të nevojshme mbrojtëse, tha ai, dhe vaksinat duhet të vihen në dispozicion së pari për grupet më të prekshme, të cilat përfshijnë më shumë se 450 milion europianë. Por çdo të ndodhë me ata që nuk përfshihen në këto grupe?

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka paralajmëruar se fundmi se të rinjtë e shëndetshëm mund të mos marrin vaksinën e koronavirusit deri në vitin 2022, pasi zyrtarët e shëndetit publik  duhet të përqendrohen tek të moshuarit dhe grupet e tjera të prekshme.

Dr. Soumya Swaminathan, shkencëtarja kryesore e OBSH-së, tha se punonjësve shëndetësorë, punonjësve të vijës së frontit dhe të moshuarve ka të ngjarë t’u ofrohet të parëve një vaksinë, megjithëse detajet e përparësisë ende po përpunohen nga OBSH dhe grupet e tij këshilluese. Dhe, sigurisht, një vaksinë për virusin ende nuk është konsideruar e sigurt dhe efektive nga OBSH, Bashkimi Europian ose Shtetet e Bashkuara.

“Njerëzit kanë prirjen të mendojnë se në datën 1 janar ose 1 prill, do të bëjnë vaksinën dhe gjërat do të kthehen në normalitet,” tha Swaminathan në një deklaratë. “Nuk do të funksionojë kështu”, shtoi ai.

Më tej ajo tha se se bota me shpresë do të ketë të paktën një vaksinë të sigurt dhe efektive deri në fillim të vitit 2021, por do të jetë në dispozicion në “sasi të kufizuara”. Grupi strategjik këshillimor i OBSH-së publikoi së fundmi udhëzime për vendet se si të marrin në konsideratë përparësitë e grupeve të ndryshme të njerëzve.

“Shumica e njerëzve janë dakord që të fillojë me punonjësit e kujdesit shëndetësor dhe ata të vijës së frontit, por edhe atëherë ju duhet të përcaktoni se cilët prej tyre janë në rrezik më të lartë dhe pastaj të moshuarit etj” tha Swaminathan. “Do të ketë shumë udhëzime që do të dalin, por unë mendoj se një i ri i shëndetshëm mund të duhet të presë deri në vitin 2022 për të bërë një vaksinë” theksoi ajo.

Republika Çeke, Polonia, Gjermania, Austria, Italia, Kroacia, Sllovakia, Sllovenia dhe Bosnja raportuan të gjithë një numër rekord të infeksioneve të reja.

Në një grafik që analizon rritjen e rasteve të reja 14 ditët e fundit, OBSH thekson së dy javët e fundit në vendin tonë kanë humbur jetën 50 persona ndërkohë që numri i viktimave nga pandemia në vendin tonë arriti në 439.  Shqipëria radhitet pas vendeve si Bosja, Kroacia dhe Maqedonia e Veriut.

Në Bruksel, Komisioni Europian, presidentja e së cilit, Ursula von der Leyen, hyri në izolim pasi një koleg i tij doli pozitiv,  tha se qeveritë e BE nuk ishin plotësisht të përgatitura për rritjen e fundit të rasteve me Covid-19.

“Ndërsa evolucioni i pandemisë po kthehet në nivelet e marsit, shumë vendi nuk janë në gjendje gatishmërie” tha nënkryetari i ekzekutivit të BE, Margaritis Schinas.

Schinas u kërkoi vendeve anëtare të miratojnë një strategji të përbashkët për fazën e re të pandemisë dhe të shmangin “kakofoninë” e masave të ndryshme kombëtare që karakterizuan muajt e parë të pandemisë.

Franca tha se do të vendoste 12,000 policë për të zbatuar një shtetrrethim nga ora 21 e mbrëmjes deri në 6 të mëngjesit duke filluar në nëntë qendra urbane të premten dhe të shpenzonte 1 miliardë euro të tjera për të ndihmuar bizneset.

Qeveria gjermane paralajmëroi qytetarët se u takonte atyre të ndalonin përhapjen e virusit, pasi rastet e reja të përditshme arritën një rekord prej 6,638 të infektuarish. “Nuk mund të ketë më pyetje tani që ky është fillimi i një vale të dytë shumë të madhe” tha shefi i stafit të Angela Merkel. “Varet nga ne që të ndalojmë infeksionet”, shtoi ai.

Sllovenia tha se mësimi do të zhvillohej vetëm online nga e hëna për nxënësit e shkollës fillore dhe të gjithë studentët e shkollave të mesme. Për shtatë rajone sllovene, mbledhjet e më shumë se 10 personave janë të ndaluara dhe maskat janë të detyrueshme jashtë.

Republika Çeke do të fillojë ndërtimin e kapaciteteve për pacientët me Covid-19 në një qendër ekspozitash në Pragë. Austria urdhëroi karantinën e parë lokale të valës së saj të dytë, në Kuchl afër Salzburgut, duke thënë se situata në qytet ishte dramatike.(gazetaSI)

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje