Sporti duhet të rri larg politikës. Kjo është një shprehje që përsëritet shpesh herë nga aktorët e futbollit në vendin tonë, të cilët kërkojnë që sporti të qëndrojë larg politikë, duke e cilësuar këtë të fundit si një model që nuk duhet ndjekur.
Por ndryshe nga siç thuhet publikisht, realiteti është krejt i kundërt, pasi shumë personazhë nga fusha e sportit janë rekrutuar nga politika duke qenë pjesë e kësaj të fundit.
Kur jemi rreth gjashtë muaj nga zgjedhjet parlamentare të 25 prillit, fushata elektorale në vendin tonë ka nisur vrullshëm, ku të gjitha forcat politike kanë nisur takimet me qytetarët.
Ajo që është vënë re gjatë këtyre takimeve janë përfshirja e shumë emrave të njohur të sportit shqiptar në politikë, si nga Partia Socialiste ashtu dhe nga Partia Demokratike.
Në fushatë përkrah kryebashkiakut të Tiranës para pak ditësh ishte ish- lojtari i skuadrës konbëtare Redi Jupi, i cili ka ndërtuar një nga komplekset më moderne në Shqipëri në përfieri të Tiranës ku stërviten qindra të rinj.
Ashtu si në fushatën e kaluar, edhe këtë vit Redi Jupi u ka bërë thirrje komunitetit të sportit që të mbështesë Partinë Socialiste për të fituar një mandat të tretë.
“Me njeriun plot vullnet e pozitivitet, që di të punojë e të japë më të mirën në ekip.
Redi Jupi, një mik dhe sportist me shumë vlera!
Shumë i lumtur që je pjesë e skuadrës Socialiste, me zemër gjithmonë kuqezi”, shkruante në rrjetet sociale pak ditë më parë kryebashkiaku Veliaj për Jupin, ndërsa ky i fundit në një takim u shpreh:
“Shumë shkurt do ju shpjegoj çfarë me lidh mua me Erionin dhe me gjërat sportive që bëhen në Tiranë. Në fakt Tirana ka ndryshuar shumë në këtë aspekt. Janë bërë shumë shkolla, që na kanë përmirësuar shumë prurjen e fëmijëve në mjedisë sportive, ia kam shkruar këtë Erionit.
Nëse kemi pasur gjysmën e fëmijëve që kanë pasur probleme me oraret e shkollave, sot kemi një përmirësim 60-70%. Jam shumë i sigurt që shumë shpejt të gjithë fëmijët do i kemi në orare të arritshme në strukturat sportive.
Kur unë fillova të bëja kompleksin sportiv, një nga njerëzit që më dha një mbështetje shumë të madhe morale e jo vetëm ishte Erioni. Dhe nuk ishte pak në atë moment që unë mora një nismë shumë të rëndësishme. Ka qenë një suport shumë i rëndësishëm.” – tha Jupi.
Një tjetër emër i njohur i futbollit shqiptar ka dal në fushatë elektorale në mbështetje të Partisë Socialiste. Bëhet fjalë për kapitenin e skuadrës së Tiranës, portierin e njohur Ilion Lika.
Në një takim me banorët e njësisë 9 në Tiranë, Lika rrëfeu zhgënimin e tij me kryedemokratin Lulzim Basha, që sicc e tha ai e e zhyti skuadrën e Tiranës në borxhe.
“Në vitin 2011 kam bërë fushatë për Lul Bashën. Prisnim gjëra të mëdha, sakrifikuam, por thashë do ia vlejë, sepse u dhanë shumë premtime për sportin, ekipin. Administratori i përgjithshëm i ekipit ishte kryetari i bashkisë në ato vite, Lulzim Basha. Përveç premtimeve, llafeve, gënjeshtrave që unë i kam mbajtur mbi kurriz, po ashtu futbollistët, shokët e mi, stafi drejtues, ekipi në ato vite mori një rrugë drejt greminës. Ishin vite të zeza. Ekipi i Tiranës u fut nëpër borxhe, 1 miliard e gjysmë lekë.
Gjithë lojtarët dhe stafi drejtues u drejtuam nëpër gjykata që të zgjidhnim çështjet. Presidenti aktual i ekipit të Tiranës, Refik Halili është ai që po i lan këto borxhe dhe them se po dalim avash-avash, por është paguar një shumë e madhe falë edhe mbështetjes, – jo për reklamë, por është çdo gjë realitet, – të bashkisë së Tiranës me në krye Erion Veliajn, që na ka ndenjur afër, na ka ndihmuar në çdo aspekt, si në aspektin sportiv, me fushat, terrenet, te të gjitha, duke përmendur edhe shpërblimin e fundit që na dha, rreth 150 milionë lekë të vjetra për ekipin, sepse doli kampion,” deklaroi Lika.
Përvecc Ilion Likës, radhën për të dal krah kryebashkiakut Veliaj e kishte Gjergji Muzaka. Një tjetër futbollist që ka lënë gjurmë në kampionatin shqiptar duke shkëlqyer dhe fituar trofe me të gjitha skuadrat ku është aktivizuar.
“Sportistët e talentuar si Muzaka, me frymëzojnë pafund me mentalitetin fitues dhe pasionin me të cilin i bëjnë gjërat. Ai e di se veç puna dhe besimi në forcat e tua të çojnë përpara!
Mirë se erdhe në familjen e madhe të PS-së, aty ku puna shpërblehet dhe fitorja shihet si mundësi për të bërë edhe më shumë për qytetin dhe Shqipërinë”, theksoi Veliaj pas përfshirjes së Muzakës në fushatën në mbështetje të PS-së.
Gjithashtu, edhe në Partinë Demokratike janë përfshirë emra të njohur në listën e deputetëve të zgjedhjeve të 25 prillit.
Dy emrat të njohur si Gentian Muça që sezonin e kaluar u shpall kampion me skuadrën e Tiranës, tashme pjesë e ekipit të Prishtinës në Kosovë, ashtu dhe Andi Lila janë propozuar për deputet në listën e PD-së.
Gentjan Muça u propozua si deputet në listën e PD-së nga dega nr.8 në kryeqytet. Edhe pse momentalisht Muça nuk ndodhet në Tiranë për shkak të angazhimit të tij me skuadrën e Prishtinës, ai pritet që të dal në fushatë për të mbledhur vota për Partinë Demokratike ku do të synojë që të dal dhe vet si deputet në parlamentin e ardhshëm.
Ndërsa, për emrat e mësipërm mund të konsiderohet legjitime pjesëmarrja për të bërë fushatë për partitë e caktuar, ndryshe është situata për ish- lojtarin e kombëtares shqiptare Andi Lilën.
Ashtu si Gentian Mucca, edhe Andi Lila është propozuar si deputet në listën e PD-së. Propozimi për deputet i Lilës ka ardhur nga dega e PD-së në Kavajë, qyteti ku ai ka lindur.
“Sot u votua për listen e kandidatëve për deputetë në Degen e Partisë Demokratike Kavajë. Me këtë rast, i falenderoj të gjithë demokratet e Kavajës, jo vetem për konfirmimin tim për të vijuar këtë garë,po për konfirmimin e të gjithë listës pasi vetem të bashkuar do ta fitojmë betejen e 25 prillit!”, shprehej Lila pas përfundimit të proccesit të votimit në Kavajë.
Por ajo që është jo legjitime në kandidimin e Lilës për deputet është fakti se aktualisht Andi Lila mban postin e kryetarit të Sindikatës së Futbollistëve Shqiptar.
Një pozicion që kurrësesi nuk duhet të ketë në krye një personazh që është i përfshirë në politikë, pasi do biene ndesh me parimet e kësaj sindikate që ka krijuar.
Kjo gjë është vënë në dukje dhe nga shumë komente të sportdashësve në rrjetet sociale që e kundërshtuar idenë që Andi Lila të jetë dhe në krye të Sindikatës dhe në listën për deputet, pasi do i humbiste besueshmërinë. Nuk dihet ende se si do të vijojë apo do jap dorëheqjen nga ky pozicion për të vijuar karrierën si politikan.
Ndërkohë, që në Partinë Demokratike dhe Partinë Socialiste sa vjen e shtohet numri i personazheve nga fusha e sportit, në Lëvizjen Socialiste për Intergrim nuk ka ende asnjë emër që të dal për të bërë fushatë për këtë forcë politike.