Peshk të cilësisë së parë për Ramën, i cilësisë së tretë për azilin. Drejtoresha: Rama e meriton, sepse punon…

5 Nëntor 2020, 21:07Sociale TEMA

Fiks Fare denoncoi veprimet e institucioneve shtetërore, të cilat blejnë peshk të cilësisë së parë për shtëpitë e pushimit të krerëve të shtetit dhe peshk të cilësisë së tretë për azilet.

Redaksia e emisionit investigativ siguroi dhjetëra dokumente nga tenderët e këtyre institucioneve, dhe pas një shfletimi të thjeshtë, rezultati ishte befasues. Shtëpitë e Pushimit, atje ku qëndrojnë krerët e shtetit, blejnë peshk dhe fruta deti të cilësisë së parë. Madje, edhe pajisje për pastrim dhe filetim të peshkut. Ndërkohë, i vetmi institucion që blen peshk të cilësisë së tretë është Shtëpia e të Moshuarve në Tiranë (Azili i Pleqve).

Para pak ditësh, Agjencia e Blerjeve të Përqendruara, ka hapur një tender me objekt “blerje artikuj ushqimorë” me fond 6.7 milionë lekë. Në lotin 2, kjo agjenci kërkon “Blerje peshq” për Shtëpinë e të Moshuarve Tiranë, me fond 274 mijë lekë. Dhe, vetëm për Azilin, kërkohet të blihet peshk i cilësisë së tretë. Ndërkohë, institucionet e tjera në këtë tender kanë kërkuar të blejnë peshk të cilësisë së dytë.

Gazetarët e emisionit investigativ shkuan në Azilin në Tiranë, ku punonjësja tha se ushqimi është i pranueshëm. Sipas saj, “peshku bëhet, por jo përditë. Jemi Azil, kuptohet!”. Kur e pyesim për cilësinë, ajo shprehet se “tani, kuptoje, nuk je hotel me 5 yje. Nuk je në shtëpi!”. Ndërkohë, Shërbimi Social Shtetëror në Tiranë thotë se shteti ka shumë pak Azile dhe në ato që ka, brenda mundësive, mundohet të trajtojë ata persona që nuk kanë askënd kush t’u japë një dorë. “Nuk e ke mundësinë e zgjedhjes, sepse nuk jemi si jashtë që ke azile me dhjetëra dhe ti mund të shikosh aty ku të përputhet. Ne kemi shumë pak vende dhe nuk mund të marrim këdo” thotë një punonjëse.

Por, ndryshe nga cilësimet e peshkut që ka kërkuar Shtëpia e të Moshuarve në Tiranë, disa institucione të tjera siç janë shtëpitë e pushimit të zyrtarëve, kanë kërkuar ndër të tjera, blerjen e peshkut të cilësisë së parë. Madje, kanë kërkuar edhe pinceta, pjata për peshkun. Fiks Fare ka siguruar dhjetëra dokumente të tenderëve të kryer nga Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare dhe nga Shtëpia e Pushimit Durrës. Sipas një dokumenti, Shtëpia e Pushimit Durrës, ka bërë një tender për “blerje peshk” me fond limit 1.3 milionë lekë të reja. Kjo shtëpi ka kërkuar të blejë 2520 kilogramë peshk dhe fruta deti. Ka kërkuar disa lloje peshku, kocë, levrek, karkalec, merluc, kallamarë, sepje. Peshku të jetë i freskët, i cilësisë së parë, me aromën e algave detare. Pamja e jashtme e shndritshme dhe me ngjyra të gjalla të peshkut të freskët. Syri konvesk dhe transparent, ndërsa velzat me ngjyrë të kuqe të plota.

Ndërkohë, sipas një tjetër dokumenti, Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare ka blerë disa enë kuzhine vetëm për peshkun. Këto shtëpi, ku pushojnë krerët e shtetit, kanë gërshërë për pastrim peshku, pinceta për halat e peshkut, thikë për fileto e rosto mishi, thikë për fileto salmoni. Pra, për Azilin po blihet peshk i cilësisë së tretë, ndërkohë për Shtëpitë e Pushimit, i cilësisë së parë me ngjyra të gjalla dhe me alga! Madje, këto shtëpi kanë edhe pajisje për pastrim dhe filetim të peshkut.

Fiks Fare shkoi në Azilin e Tiranës për të marrë informacion për procedurat e tenderit për blerjen e peshkut, pasi në Agjencinë e Prokurimit Publik, tenderi po realizohet nga Agjencia e Blerjeve të Përqendruara. Gazetarët telefonojnë drejtoreshën, e cila nëpërmjet telefonit thotë se procedurat i bën financierja. “Unë vetë nuk bëj tendera ushqimesh, mua mi bën dikush tjetër. Tani po kujtohem. Unë e di që nuk lejohet, megjithatë, megjithatë, do ta sqaroj deri në fund, se tani që po më thua dua edhe unë çfarë po ndodh” thotë ajo, ndërsa i telefonon gazetarët pas disa minutash. “Më thotë (financierja), jo nuk e kemi bërë tenderin, jo njëherë në muaj marrim peshk. I thashë përse e keni bërë cilësi e tretë, më thotë varet nga fondi që kemi” pohon ajo.

Drejtoresha dhe shefja e financës takojnë grupin e Fiks Fare jashtë ambienteve të Azilit, duke i shpjeguar se përse kjo Shtëpi e të Moshuarve po blen peshk të cilësisë së tretë. “Ne kemi një kuotë për ata, kur thotë zonja e kanë 3 mijë lekë, dhe shumëzoje për 50 dhe del 150 në ditë. 170 mijë lekë në ditë. Nëqoftëse unë këtë 170 mijë lekëshin e blej peshk, ata s’hanë as mëngjes e as darkë, vetëm atë do hanë” thotë drejtoresha, ndërsa pohon se të moshuarit hanë 1 herë në muaj peshk. “Atë ditë që hanë peshk, gjërat e tjera i kanë më të ulëta. Dhe neve, sa për dijeni, që nga qershori, peshk nuk është marrë, se nuk është zhvilluar tenderi akoma” thotë financierja. Drejtoresha irritohet dhe thotë se “të marrësh Covid se ça m… peshku hanë këta, që hanë 15 a 40 në muaj, tani hajde shpejt ça do”.

Fillimisht, drejtoresha pranon të japë intervistë dhe të shpjegojë procedurat, por më pas, tërhiqet pa asnjë arsye! “Nuk i bie unë Edi Ramës me peshk, harroje. Këta s’mund të hanë peshk të cilësisë së parë dhe Edi ka të drejtë të hajë cilësi e parë se punon. Kurse këta rrinë gjithë ditën shtrirë” thotë drejtoresha, ndërsa pohon se çdo i moshuar ka një kuotë dhe nuk mund të marrin cilësi e parë. “Dhe pikë, po deshe, po s’deshe. S’të del leku po të them, se hanë peshk dhe s’hanë më darkë, s’hanë më darkë!” pohon ajo.

Drejtoresha u tha gazetarëve të Fiks Fare se do përgjigjet me shkrim. Fiksi i dërgoi një kërkesë për informacion dhe mori një përgjigje se “është kërkuar peshk i cilësisë së tretë me çmimin 1053 lekë me TVSh për kilogramë”. Sipas drejtoreshës, kuota ditore është 360 lekë për person. “Në institucion konsumohet peshku dy herë në muaj. Për sqarim, jemi të detyruar të kërkojmë këtë cilësi, duke nisur nga çmimi i përcaktuar dhe për të respektuar kuotën ditore. Është vërtetuar që me peshk të cilësisë së tretë nuk të zë Covid 19” përfundon drejtoresha e Azilit në Tiranë.

Shtëpia e të Moshuarve Tiranë

Punonjësja e Azilit – Kushtet janë këto, janë dhoma treshe dhe dhoma dyshe. Kanë banjo, në dhomë kanë frigorifer. Ka dollapin e vetë, ka krevatin e vetë, ka komodinën e vetë. Është kuzhina, është mensa, ka të ngrënët, të pimet, të lamet, lavanderi… Pa mish nuk rrinë asnjë ditë.

Fiksi – Nuk keni ndonjë formular, ose diçka.

Punonjësja e Azilit – Kjo është, unë po ta shpjegoj shumë thjeshtë.

Fiksi – Jo, është mëngjesi, darka…

Punonjësja e Azilit – Tani, kur është dimër, trahana, qumësht, gjalp, çaj dhe trahana. Në drekë ka supë, mish me patate, speca të mbushura. Sipas stinës, janë edhe zarzavatet këtu. Sallatë me domate.

Fiksi – Se ai kërkon…

Punonjësja e Azilit – Le të kërkojë sa të dojë, ka ushqim me bollëk.

Fiksi – Dhe peshkun thotë, e dua çik peshkun të mirë…

Punonjësja e Azilit – Peshku bëhet, po jo që ta bëjmë përditë. Jemi Azil, kuptohet! Merret peshku, porositet, por…

Fiksi – Çfarë cilësie?

Punonjësja e Azilit – I ke shumë të mira. Ça hahet në shtëpi, hahet edhe këtu.

Fiksi – Tani, e kemi edhe te cilësia e peshkut…

Punonjësja e Azilit – Tani, kuptoje, nuk je hotel me 5 yje. Nuk je në shtëpi!

Shërbimi Social Shtetëror, Tiranë

Punonjësja e SHSSH – Shteti ka shumë pak Azil dhe në ato që ka, brenda mundësive, mundohet të trajtojë ata persona që nuk kanë askënd kush t’u japë një dorë. Nuk e ke mundësinë e zgjedhjes, sepse nuk jemi si jashtë që ke azile me dhjetëra dhe ti mund të shikosh aty ku të përputhet. Ne kemi shumë pak vende dhe nuk mund të marrim këdo.

Drejtoresha: Edi Rama meriton të hajë peshk të cilësisë…

Financierja e Azilit – Tani, ne llogaritim, gramatura është 300 gramë.

Drejtoresha – Aman, t’ja them unë çik këtij çuni se nuk duroj dot pa fol.

Financierja e Azilit – Jo drejtoreshë se është përgjegjësi e imja.

Drejtoresha – Të llap unë një çik. Se tani e kapa unë dhe më hipën nervat.

Financierja e Azilit – Tani llogariten 45 të moshuar, herë 300 gramë, 14-15 kile. Dhe kur konsumojnë atë ditë peshk .

Drejtoresha – Ne kemi një kuotë për ata, kur thotë zonja e kanë 3 mijë lekë, dhe shumëzoje për 50 dhe del 150 në ditë.

Financierja e Azilit – 170 mijë lekë.

Drejtoresha – 170 mijë lekë në ditë. Në qoftë se unë këtë 170 mijë lekëshin e blej peshk, ata s’hanë as mëngjes e as darkë, vetëm atë do hanë.

Gazetari – E kuptoj. Peshkun e kanë një herë në javë, një herë…

Drejtoresha – Një herë në muaj.

Financierja e Azilit – Atë ditë që hanë peshk, gjërat e tjera i kanë më të ulëta. Dhe neve, sa për dijeni, që nga qershori, peshk nuk është marrë, se nuk është zhvilluar tenderi akoma.

Gazetari – Po dokumentet standarde…

Financierja e Azilit – E ka hedhur ai, po është anuluar disa herë.

Drejtoresha – Të marrësh Covid se ça mut peshku hanë këta, që hanë 15 a 40 në muaj. Tani hajde shpejt ça do.

Financierja e Azilit – Prit drejtoreshë, të lutem.

Drejtoresha – Ça do, intervistë?

Gazetari – Intervistë, hajde.

Fillimisht, drejtoresha pranon të japë intervistë dhe të shpjegojë procedurat, por më pas, tërhiqet pa asnjë arsye!

Drejtoresha – Harroje! Nuk i bie unë Edi Ramës me peshk, harroje. Këta s’mund të hanë peshk të cilësisë së parë dhe Edi ka të drejtë të hajë cilësi e parë se punon i … nëna. Kurse këta rrinë gjithë ditën shtrirë.

Gazetari – Po cilësi e dytë, a nuk i lejohet? O drejtoreshë…

Drejtoresha – Të thashë se çfarë deshe.

Financierja e Azilit – O drejtoreshë përgjigju.

Drejtoresha – Jo, nuk përgjigjem.

Financierja e Azilit – S’ka lidhje o drejtoreshë.

Gazetari – S’ka lidhje Edi Rama, unë s’kam ardhur as te Edi Rama, unë kam ardhur te Shtëpia e të Moshuarve.

Drejtoresha – Çuni, po deshe sqaroje. Kishin një kuotë dhe nuk mund të marrin cilësi e parë. Dhe pikë, po deshe, po s’deshe.

Gazetari – Po cilësi e dytë s’mund të marrin dot?

Drejtoresha – Po s’të del leku po të them, se hanë peshk dhe s’hanë më darkë, s’hanë më darkë!

Gazetari – Kuota ditore?

Financierja e Azilit – 360 lekë.

Drejtoresha – Po ata atje ça hanë, peshk të cilësisë së tretë. Po ik se është gabim e gjithë historia, histori …

Financierja e Azilit – Sqaroja që kilja është 1053 lekë.

Drejtoresha – Do të dalë unë në këtë gjuhë, pa bërë asnjë prerje.

Gazetari – Pa prerje, hajde dil!

Drejtoresha – Do të përgjigjem me shkrim.

Drejtoresha – Po të të them, do ta sjell me shkrim. Do thuash, vajtëm atje, takuam drejtoreshën, ishte e çmendur…

Gazetari – Atë e di unë.

Drejtoresha – Ishte e çmendur…

Gazetari – Atë e di unë, mënyrën se si do ta bëj. Unë kam ardhur këtu.

Drejtoresha – Do të jap përgjigje me shkrim pra. Po nuk jam mësuar, s’kam dalë kurrë. S’kam spiunuar njeri more. 50 vjet s’kam spiunuar njeri, s’kam futur njeri në burg në kohën e Enverit.

Gazetari – S’ka spiunim këtu. Prandaj kemi ardhur direkt këtu.

Drejtoresha – Ke bërë shumë mirë që ke ardhur. Ti si person, unë dhe Koli jemi në rregull. Mua kaq më duhet, që Koli e di të vërtetën.

Gazetari – Mirë.

Drejtoresha – Mirupafshim.

Gazetari – Mirupafshim.

Drejtoresha na bëri me dije se do na përgjigjet me shkrim. Ne i dërguam një kërkesë zyrtare dhe morëm këtë përgjigje; Konfirmojmë që është kërkuar peshk i cilësisë së tretë me çmimin 1053 lekë me TVSh për kilogramë. Kuota ditore është 360 lekë për person. Në institucion konsumohet peshku dy herë në muaj. Për sqarim, jemi të detyruar të kërkojmë këtë cilësi duke nisur nga çmimi i përcaktuar dhe për të respektuar kuotën ditore. Është vërtetuar që me peshk të cilësisë së tretë nuk të zë Covid 19.

8 komente në “Peshk të cilësisë së parë për Ramën, i cilësisë së tretë për azilin. Drejtoresha: Rama e meriton, sepse punon…”

  1. Lik says:

    Haha..deri ketu paska shkuar Fiksi !
    Po pse nuk mjafton nje here ne muaj peshk per azilin…por kerkohet e njejta menu si ne shtepine e pushimit qeveritareve !! Paska rrjedhur edhe Çakulli me duket.
    Po pse ka pak raste korrupsioni per te investiguar qe qenkan investuar tek cilesia e peshkut te azilit.
    Reklame per qeverine me duket.

  2. Lulka says:

    Cfare investigimi idiot !
    Azili ne Shqiperi me kushtet qe ka hane mish per dite kurse jashte azilet qe i ndihmon shteti hane konserva te qelbura me vite neper magazina ?

  3. Poko says:

    o fix, ja ke mbytur kot.ka kuot ditore mor byrazer,peshku eshte gje afife, me ate cmim qe ka edhe familjet ne gjendje te mire nuk e konsumojne ate si mishin, jo me per azilin, e ke nxehur kot dhe dreftoreshen.

  4. aleko says:

    E paske dreqosur fare o fiksi,…cjane keto budallalleqe qe flet..Nuk thua shyqyr qe paskan gjete nje vend ku te flene pleqte e shkrete po kerkoke dhe peshke te cilesise se pare …ha ha 1..

  5. D.DIDANI says:

    Nuk ju vjen rende??? Si e katandisni median,cjane keto lajme?..Edhe me menune e drekerave dhe darkave do merret FIXI… O Cakuli…kujdes,kap probleme madhore te korrupsionit,mos e katandis FIXIN te kontrolloj pjatat e Azilit…se ne fund te fundit nuk pame ndonje plak qe ishte leqendisur se nuk kishte ngrene peshk te kualitetit te pare!

  6. tony says:

    Më duket se eshtë hera e parë që po ja futni kot fiks fare kur në mënyre teknike llogaritarja ju e shpjegoje shumë qarte fondin ditor per person që ka caktuar qeveria per azilantet e mdshuar gjë të cilën me shumē kulture u mundua te bindë gazetarin injorant i cili ligjet ekonomike kur ajo esqaron shumë dhe vazhdon prapë ti bjeri kavallit per të mbushur oren e programit. Yu si fiks mund ta kerkonit tjeter vend pēr limitin sa e kanë ne nje dite ne min e financave. Keshtu fiiksi duhet te pregatise fazetaret ne çdo fushe jo te dalin si idiot pse si jepni peshk te cilesise pare. Turp pēr emisioni prej injorantesh

  7. met bathorja says:

    Fiksi nuk trajton faktin pse azilet furnizohen me peshk te kategorise se trete por pse behet diferencim per qeveritaret e furnizohen me peshk teper cilesor,duke u shenuar ne tender edhe ngjyra dhe syri i peshkut si dhe aroma e algave. A ka naivitet e servilizem me te madh te thuash se Edi rama do peshk cilesor pasi punon,kurse pleqte rrine shtrire. Komentues shikoni thelbin e investigimit,jo ti mbani iso pushtetit.

  8. KTL "Mao Ce Dun" Divjake says:

    “Fiks Fare” eshte bere i neveritshem edhe si format, edhe si realizues. Ata dy “aktoret” ta shpifin, sidomos kur japin reklama, pale ato balerinat, edhe vet nuk dine ç’far bejne e ç’far kerkohet prej tyre. Kohe pas kohe, me duket se ky emisjon i çartallosur, ve edhe gjoba. “Do ti them fiksit; falemderit fiksit”, o zot ç’fare injorance.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje