Situata sa vjen e rëndohet në vendin tonë, me shtimin e rasteve të reja ditore. Spitalet çdo ditë po mbushen dhe kapacitetet janë drejt ezaurimit.
Ndaj dhe me urdhër të autoriteteve përkatëse, disa spitale rajonale po fillojnë të përshtasin ambientet e tyre në mënyrë që të presin pacientë me Covid-19.
Mjeku infeksionist, Martin Marku tha se spitali i Lezhës mund të hapë repartin për Covid, sapo të dalë udhëzimi nga Ministria e Shëndetësisë.
“Nuk është dhënë urdhër që të sëmurët me COVID të shtrohen në spitalin e Lezhës. Megjithatë po bëhen edhe përgatitjet në spital për këtë gjë.
Aktualisht rreth 16 shtretër po shihen që mund të lihen për të shtruarit me COVID.
Është mundësia që të ju ofrohet edhe oksigjeni të sëmurëve si dhe medikamente të tjera. Edhe nëse i shtrojmë këtu do i shtrojmë sipas gjendjes.
Të sëmurët rëndë do i dërgojmë në spitalet COVID. Lezha i ka kapacitetet për momentin.
Duke parë situatën mund që i gjithë spitali të jetë për këtë sëmundje. Për momentin kemi 16 shtretër”, u shpreh mjeku infeksionit, Martin Marku për Report tv.