Sulmuesi momentit, Cikalleshi mund të synojë rekordin e Bogdanit

24 Nëntor 2020, 16:06Sport TEMA

Ndonëse karriera me klube në Turqi nuk po i shkon ashtu siç duhet, kur vesh fanellën kuqezi të Kombëtares, Sokol Cikalleshi nuk zhgënjen asnjëherë dhe këtë e tregoi edhe me tre golat e shënuar në dy ndeshjet e fundit të Shqipërisë, ku ndihmoi skuadrën të ngjitet në krye të grupit dhe të kalojë në Ligën B.

Sulmuesi 30-vjeçar nga Kavaja ishte në një lidhje direkte me emisionin “Procesi Sportiv” në Top Channel, ku foli për formën aktuale, golat me fanellën kuqezi dhe objektivin për të arritur rekordin e Erjon Bogdanit.

“Ndihem mirë dhe shpresoj që ky moment të vazhdojë sa më gjatë. Futbolli ka ulje-ngritjet e veta dhe në këto momente unë jam në ngritje. Dje isha titullar, fituam ndeshjen dhe çdo gjë po shkon ashtu siç duhet. Këto ndeshjet e fundit e kam ndihmuar Kombëtaren, por nuk është vetëm meritë e imja, pasi ka funksionuar i gjithë ekipi. Megjithatë të qëndrojmë me këmbë në tokë”.

“Bogdani është akoma larg dhe duhet akoma shumë punë. Duhet ta nis me kavajasin tim, Altin Rraklin njëherë, që e kam më pranë. Të përqendrohemi te kjo njëherë”.

“Është thënë shpesh që Cikalleshit, Sadikut apo Balajt po u vjen fundi. Unë kam besim te vetja, që edhe për disa vite do të bëj maksimumin. Sulmi i Kombëtares nuk është pronë e askujt dhe gjërat ndryshojnë shumë shpejt, sidomos në futboll. Cikalleshin do e keni gjithmonë të hapur për çdo gjë, pasi unë nuk i shmangem asgjëje”.

“Golat e Kombëtares kanë kënaqësi krejt ndryshe. Të shënosh për ekipin Kombëtar, të jep një kënaqësi që nuk krahasohet me asnjë gol tjetër”, ka deklaruar Cikalleshi.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje