LVV fiton Podujevën, ia "rrëmben' LDK-së! Lista Serbe nuk e lëshon Mitrovicën e Veriut

29 Nëntor 2020, 22:54Rajoni TEMA

Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ) ka njoftuar se në zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar komune në Podujevë, sipas rezultateve preliminare, kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje, Shpejtim Bulliqi ka fituar 51.64 për qind të votave, ndërsa Millan Radojeviq nga Lista Serbe ka fituar 89.86 për qind të votave në Mitrovicë të Veriut.

Dy kandidatët tjerë për pozitën e kryetarit në Podujevë, Nexhmi Rudari nga Lidhja Demokratike e Kosovës, ka fituar 35.97 për qind të votave, ndërsa Naim Fetahu nga Partia Demokratike e Kosovës ka fituar 12.40 për qind të votave.

Në Mitrovicë të Veriut, ndërkaq, Erden Atiq nga Lëvizja Vetëvendosje ka fituar 3.68 për qind të votave, Dushan Millunoviq, kandidat i pavarur, ka fituar 2.92 për qind dhe Florent Azemi nga Partia Demokratike e Kosovës ka fituar 3.54 për qind të votave.

Mandati i kryetarëve të rinj do të jetë deri në zgjedhjet e ardhshme lokale që pritet të mbahen në tetor të vitit 2021.

Kurse Mitrovica e Veriut mbeti pa kryetar më datën 3 qershor, kur u votua Qeveria e re e Kosovës, e udhëhequr nga Avdullah Hoti.

Duke komentuar rezultatin preliminar, ish-kryetari i Podujevës, Agim Veliu ka thënë se në proceset tjera zgjedhore, Lidhja Demokratike e Kosovës do t’i kthehet fitores.

Ndërkohë para selisë së Lëvizjes Vetëvendosje në Podujevë ka nisur festa, meqë simpatizantët e kësaj partie janë dëgjuar duke kënduar dhe duke përmendur emrin e liderit të kësaj partie, Albin Kurti./REL/

1 komente në “LVV fiton Podujevën, ia “rrëmben’ LDK-së! Lista Serbe nuk e lëshon Mitrovicën e Veriut”

  1. Fatossi says:

    Gezuar, Shqiperia dhe Kosova behet vetem ne krye me Albin Kurtin

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje