Zoti Borisov dhe zonjat (dashnoret) e zotit Borisov

1 Dhjetor 2020, 09:14Bota TEMA

Ka disa muaj që në Bullgari mijëra qytetarë protestojnë kundër qeverisë, të cilën e konsiderojnë të korruptuar. Debati është ashpërsuar pasi janë publikuar disa fotografi nga dhoma e fjetjes e kryeministrit Bojko Borisov.

Në njërën fotografi shihet një komodinë pranë shtratit të gjumit. Mbi komodinë: një revole. Në sirtar: një grumbull parash dhe kallëpe floriri.

Tani Bojko Borisov ka folur për herë të parë për fotografitë (në një intervistë dhënë gazetës gjermane «Frankfurter Allgemeine Zeitung»). 

Borisov thekson se ai ka shumë armiq, sepse e ka reformuar sistemin bankar dhe kështu kanë pësuar dëme të mëdha oligarkët. Sipas Borisov koha kur në Bullgari spastroheshin paratë ka marrë fund. Borisov si sukses të tijin përmend luftën kundër kontrabandës me cigare. 

Një sukses tjetër, sipas Borisov, është vendimi që Bullgaria të blejë për 1,3 miliardë dollarë avionë luftarakë amerikanë F-16. 

Po ashtu Bullgaria, sipas kryeministrit, nuk do të jetë e varur vetëm nga Rusia sa i përket furnizimit me gaz. Po ashtu, tregon Borisov, qeveria bullgare e ka shpallur persona non grata dhe dëbuar nga vendi gjashtë agjentë rusë të maskuar si diplomatë.

Çfarë kanë të bëjnë të gjitha këto me fotografitë e shkrepura në dhomën e fjetjes të Bojko Borisovit?

Kryeministri bullgar thotë se fotografitë komprometuese janë inskenuar sipas metodave të KGB-së, shërbimit sekret sovjetik. Po si bëri vaki kjo?

Borisov, dikur karateist, thotë: «Fotografia është shkrepur në vilën qeveritare ku unë jetoj. Jam i shkurorëzuar qëmoti dhe jetoj vetëm. A kam jetë intime?

Natyrisht që kam. Nëse u intereson njerëzve, mund t’ju tregoj me qejf: unë jam njeri me nevoja njerëzore».

Çfarë përfundimi mund të nxjerrë publiku nga kjo deklaratë? 

Borisov thotë: «Kur më ka vizituar ndonjë zonjë, personeli i sigurimit asnjëherë gjatë këtyre viteve nuk ia ka kontrolluar çantat». Borisov beson se njëra nga zonjat që e ka vizituar, ka inskenuar fotografitë në dhomën e fjetjes.

Ai e pranon se veprimi i tij ka qenë tejet mendjelehtë. Bullgaria është vend anëtar i NATO-s dhe i BE-së dhe me gjasë s’ka gjë më të lehtë se një damë t’i hyjë në dhomën e fjetjes kryeministrit.

E vërteta mbase nuk do të dihet kurrë: ose Borisov ka qenë tepër naiv dhe ka rënë në kurthin e shërbimeve të huaja sekrete ose në komodinë ai vërtet ruan dengje me para dhe një revole…(E.Robelli)

2 komente në “Zoti Borisov dhe zonjat (dashnoret) e zotit Borisov”

  1. turkalvane says:

    gabeli bullgar

    1. Ali Pasha says:

      Romio- pisoglendi, mos e kruaj me alvanoset se do kercesh tango labce.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje