Është mbledhur paraditen e sotme Komisioni i Posaçëm Parlamentar për Raportin e Dick Marty, të miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë për administrimin e dokumentacionit dhe hartimin e një raporti përmbledhës dhe informues për gjetjet dhe konkluzionet, që kanë nxjerrë verifikimet e kryera nga institucionet përkatëse në Shqipëri për çështjet e raportit të ish-anëtarit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës.
Në këtë mbledhje të parë u bë konstituimi i Komisionit, ngritja e sekretariatit teknik dhe përcaktimi i relatorëve. Deputetët vendosën që për këtë komision të jetë dy relatorë, një nga PS dhe një nga grupi i deputetëve të pavarur, respektivisht Klodilda Bushka dhe Elena Xhina.
Ulsi Manja ka prezantuar edhe fokusin e punës së këtij Komisioni dhe ku do të konsistojnë çështjet kryesore që do të trajtohen.
“Komisioni i Posaçëm i ngritur me vendimin nr. 71 të vitit 2020 në Kuvendin e Shqipërisë nuk është komision hetimor. Nga pikëpamja formale dhe procedurale, veprimtaria e këtij komisioni bazohet në rregullohet në rregulloren e Kuvendit të Shqipërisë.
Rregullat e punës së këtij komisioni do t’i nënshtrohen rregullave 21 dhe 22 të Kuvendit të Shqipërisë. Është një komision ekuivalent me komisionet e përhershme të Shqipërisë.
Do të jetë një komision i përkohshëm, me kohëzgjatje 3 mujore. Në fokus do të ketë një nga aspektet kryesore të veprimparisë parlamentare, që lidhet me kontrollin parlamentar.
Pas prezantimit të raportit të Dick Maryt, KE i kërkon autoriteteve të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut për të vërtetuar të gjitha të dhënat e publikuara në raportin e Dick Marty.
Të gjitha pretendimet e ngritura në raportin e Dick Marty. Veprimtaria e këtij komisioni lidhet me kontrollin parlamentar se si autoritetet kanë zbatuar ligjin lidhur me këto pretendime.
Fokusi i punës tonë do jetë zbatimi i ligjit nr. 53 viti 2012, nga institucionet shqiptare në lidhje me autorizimet që ka dhënë kuvendi në këtë ligj për të verifikuar të dhënat në raportin e Dick Marty.
Komisioni do të vlerësojë gjetjet dhe do të miratojë dokumentin me sugjerimet përkatëse nga ky Komision”,- tha Manja.