Emra dhe rrugë

15 Dhjetor 2020, 14:32Blog TEMA

Nga Ernest Bunguri 

Më ngazëlleu lajmi që një rrugë në Tiranë do të mbajë emrin e Klodian Rashës, po aq sa më pikëlloi propaganda gjithnjë e tepruar e qeverisjes vendore, që në Shqipëri, duam s’duam bie erë shfrytëzim politik. Njësoj si shumë ndjesi të tjera bardh e zi që përcjell ai vend ku gati çdo gëzim gërshetohet me pikëllim në të njëjtën masë e në të njëjtën kohë.

Kur e lexova lajmin, mendova që në fakt do duhej, madje do të ishte shumë mirë, që shumë rrugë në kryeqytet e gjithandej në Shqipëri të mbanin emrat e qytetarëve viktima të babëzisë politike, e jo vetëm, në vend.

Një rrugë me emrin Aleks Nika diku, e një më tej me emrin Hekuran Deda, e ca më tutje akoma Faik Myrtaj, para se të kthehesh në bulevardin Ziver Veizi, do të na kujtonte të gjithëve – edhe atyre që në kohët e sotme, vetëm 9 vite pas, do kërkonin në google për të parë ç’ka bërë e për të zbuluar ç’i kanë bërë – sa herë ta përshkonim, ashtu me kokën ulur me turp, për të kujtuar se sa i madh është ende sot çmimi i babëzisë kryesisht politike në vend.

Por ajo që më ka dhembur e therrur më shumë e në gjithë këto vite, nuk është fakti që në Shqipëri politika ndërhyn gjithandej e që politika është kudo e që merr gjithça. Por që kolegë që i thërrasin vetes gazetarë, si dhe pronarët e profesionit të fjalës së lirë, nuk kanë se si, duke mos qenë ndryshe nga pjesa dërrmuese e popullsisë dhe profesioneve, të mos i bëjnë temena udhëheqësve të mëdhenj e të vegjël, për të mbushur barkun apo për të shtuar vilat, sipas synimit e investimit.

Me vjen ndot kur shoh se njësoj si në kulturën, e thënë, tipike të Ballkanit e të gjithë Mesdheut, edhe këta presin vetëm që punët t’jua shtrojë e t’jua rregullojë ndonjë këshill evrope, ndonjë organizatë a shoqatë e huaj që këta i tërheqin zilen, ashtu siç presin shqiptarët që drejtësinë në Shqipëri ta sjellë Kimi, e ta vërë Luigi, se ne nuk jemi për atë punë.

Më pikëllon pa masë fakti që media në vend është kthyer në një makth që iu shkakton shqetësim dhe i rrit tensionin shqiptarëve, jo me lajme për fatet e tyre, por kryesisht të atyre që merren me ngjitje-zbritje kolltuku.

Me dërrmon fakti që një pjesë e mirë e tyre tulaten, e nuk marrin përsipër përgjegjësitë e detyrës që kanë zgjedhur të ushtrojnë, e të bëjnë përpjekje për t’i kthyer shqiptarëve në ekran e në gazetë e online po deshe, hallet e tyre e jo ato të partive politike apo të pronarëve, për t’i treguar ku shkojnë paratë e tyre e jo të presin të pikojnë paratë e politikës zhvatëse. E kërkojnë lirinë dhe bërtasin për të sa iu çirret zëri dhe mbrojtjen e duan nga Venecia, por nuk luajnë këmbën që të bëjnë pjesën tyre të detyrës, të jenë të ndershëm, të saktë e kërkues, dhe të përpiqen vetëm me vullnet të mirë të ndriçojnë sadopak një popull viktimë, nëse kjo gjë nuk i shkon për shtat atyre lart tyre dhe atyre edhe më lart këtyre.

Jo të gjithë janë të tillë sigurisht, por në vendin ku hajduti quhet i barabartë me policin, sepse ky i fundit është budalla nëse është i ndershëm e ai tjetri i mënçur, e njëjta gjë vlen për të tërë. Një gazetar i ndershëm, pa parti, vërtet i guximshëm, zbulues e kritik brenda rregullave të profesionit, është po ashtu i barabartë dhe merr të njëjtat çmime me të shiturit, shpifësat, e rrëfyesit partiakë, sepse jo vetëm këta janë të mënçur e ata të tjerët budallenj, por edhe sepse këta të mënçurit i etiketojnë si veten, sa herë hapin gojën, duke lëshuar baltë e shpifje edhe mbi këta « budallenjtë » që duhet të mbajnë mbi kurriz edhe shpifjet, por edhe vështirësitë që sjell ruajtja e integritetit.

Në këtë zallamahi edhe kryetarët e partive edhe pronarët e fjalës së lirë vijojnë të kënaqen duke zgjedhur me dorën e tyre kush është e kush nuk është gazetar, sipas qejfeve e babësisë së tyre. Deklarojnë qëndrime të ububushme në mbrojtje të lirisë së medias, duke lëshuar njëkohësisht qentë e gjahut të kafshojnë ata gazetarë vërtetë të tillë që ju nxjerrin të palarat.

Nëse media në Shqipëri do të kishte vuajtur cungim të vërtetë në kryerjen e detyrës, në atë vend, me ato gjëma, trafiqe e pisllëqe që ndodhin aty, shumë gazetarë tani do të kishin patur fatin fatkeq të koleges së tyre malteze, e cila u hodh në erë sepse zbuloi korrupsionin e qeverisë së vendit anëtar të BE-së, me paratë e kësaj të fundit. Por një pjesë e mirë e kolegëve të mi në Shqipëri preferojnë t’i bien gjithë ditën fyellit të politikës, që natën të bien në shtrat me po atë, pa marrë parasysh dhe pa asnjë pikë përgjegjësie për fytyrën e tyre e as të këtij profesioni të bekuar, që ka në themel përpjekjen me vullnet të mirë për zbulimin e të vërtetave dhe vënien e fajtorëve para përgjegjësisë publike, e jo mbulimin e shtrembërimin e tyre me gjoba për të ngritur edhe më shumë mjegull në shtegun e ujkut që niset të shqyejë qingja.

Do ishte mirë gjithashtu të kishte në Tiranë, aty pranë fakultetit të gazetarisë, edhe ndonjë rrugë me emrin Fatos Baxhaku. Me shpresën se të paktën ata që nisen t’i futen këtij profesioni me synimin që një ditë të ulen në studio e t’i tundin shkopin politikanëve që të tringëllojë roleksi, të hedhin sytë tek tabela e rrugës, e dashtë fati të kuriozohen për të kërkuar në google ç’na kujton ky emër. 

11 komente në “Emra dhe rrugë”

  1. !! says:

    Viktimat dhe shoqeria kerkon drejtesi, jo emerim rrugesh.

    1. Drejtesia says:

      Dhe emri i vihet rruges per ti kujtuar shoqerise drejtesine e munguar, kur e harron

    2. Drj says:

      Drejtësia funksionoi si rrallëherë, ndaj boll me justifikime që nuk i ha njeri në opinion. Nuk mund të shkatërroni çfarë ju del përpara në emër të mungesës së drejtësisë. Nuk ju beson njeri, shikojini sondazhet njerzit i keni kundra, ndaj boll me marrëzira shkatërrimesh…

    3. Fiqiri says:

      Ka shum emra t munguar n rrug !
      1 rruga Noc Roku .. dihet pse..
      2 rr. Aqif Kapertoni..emblem demokracije
      Rr Abaz Llamarina…simbol industrie demokratike shqiptare..
      4.rr.pidh Qikari..rrug suksesi
      Rr

  2. dardan says:

    Pse duhet te kete nje rruge ne kryeqytet emrin e nje shkelesi te ligjit,
    i cili u ndeshkua ne tejkalim vdekjeprures te mases se ndeshkimit per fajin e tij.
    A e kuptoni se cfare mesazhi negativ kunder ligjeve percjell ky “hero” tek brezat?!!

    1. Arber says:

      Do i kujtoje policeve te mos i pergjigjen sheljes de ligjeve vetem me plumb ?

      1. taksapaguesi says:

        Jo vlla, jo vetem me plumb por edhe me lule, PS4 games, cokollata, akullore, samsung, iphone si tu doje bytha shkelseve te ligjit. Ne shqiperi do shpiket rrota nga e para dhe do na kopjoj gjithe bota. Pershembull me gjej nje rast ne bote qe nje rruge i vendoset emri i dikujt me histori kriminale dhe qe vdiq meqe nuk i ndaloi policit? Nuk na ngelet gje tjeter vecse ta bejme deshmor tani. Kjo nuk do te thote qe viktima nuk meriton dinjitiet, por kjo eshte vullgarizem.

      2. Bureto says:

        Gazetari “investigativ”, Spartak Koka, në një studio televizive, mesa mbaj mend në emisionin ‘Open’ të Eni Vasilit, deklaroj me kopetencë maksimale, se polici ishte përleshur me Klodian Rashën dhe se ai i kishte parë vet fotot origjinale nga ekspertiza e kufomës!! Ndërkohë që prokuroria e hodhi sot poshtë një fakt të tillë. Thënë kështu, a mund të quhet gazetar ky, i cili minimalisht quhet një gënjeshtar dhe maksimalisht manipulator i opinionit publik për qëllime politike për t’i hedhur benzinë zjarrit? Dikush duhet ta thërresë këtë lake dhe t’i kërkojë llogari. Ligji e parashikon.

  3. cipini says:

    Jane bere njerezit e ndershem e te ditur te thone…pse pata kete fat e linda ne kete vend. Ky eshte demi qe i ben ketij vendi e populli klasa bastarde e politikes….Berish, Meta, Rama, Basha e shume te tjere.

  4. joel shkodra says:

    Perse ky nxitim? Perse nuk pritet vendimi i drejtesise? A nuk lidhet me politiken edhe ky nxitim? Po sikur nga drejtesia i ndjeri te dale fajtor dhe polici pa faj? Do te ndryshohet emri i rruges?

  5. katundari laraman pa din e pa iman says:

    Tallava,gjithandej tallava,po keshtu dhe me emra rrugesh,ne kete vilajet te humbur te Anadollit,ndodhur ne territor europian .
    Ketu rruget jane mbushur me emra njerzish,jo vetem qe nuk kane asnje merite,por kane qene dhe ne te kundert me interesat dhe dinjitetin historik te kombit tone,thjesht se institucionin tone pushtetor e ka kapur ky lloj soj sorollopi.
    Por dhe sikur te kishim emra,te cilet jane dalluar nga turma,per guxim dhe vepra cilesore qytetare,perseri duhej te ishim te kujdesshem ne emertimin e rrugeve,me emrat e tyre,mbasi jeta dhe historia e kombit vazhdon me tej,qe mund te rezervoj emra dhe me te shquar ne te ardhme,
    Prandaj dhe Perendimi demokrat i shmanget ketij nxitimi,duke i vendosur rrugeve dhe shesheve ne pergjithesi emra qe lidhen me natyren dhe historine ne pergjithesi dhe rralle me emra te pervecem njerzish te shquar.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje