Nuk e kanë me Bledi Çuçin, por me ministrin e Brendshëm!

16 Dhjetor 2020, 20:43Blog TEMA

Nga Alfred Peza

Sapo Kryeministri Edi Rama njoftoi se do të dërgonte për dekretim nga Presidenti, Bledi Çuçin si ministër të Brendshëm, nuk kaluan as pak minuta dhe opozita, propaganda e mediat pranë saj e vendosën atë në syrin e ciklonit. Nuk ka rëndësi nëse ai ende nuk e ka marë detyrën. Ende nuk e ka bërë betimin. Ende nuk ka shkuar në zyrën e re. Jo. Nuk ka rëndësi as emri në këtë rast, sepse me këdo, do të silleshin po njëlloj.

Për opozitën tonë, nuk ka rëndësi se kush do të ulet në atë karrike, sepse kushdo qoftë ai ose ajo, e çfarëdoqoftë që të ketë bërë apo të mos ketë bërë në këtë jetë, do sulmohet kësisoj. Mjafton të emërohesh ministër i Brendshëm i qeverisë socialiste dhe do jesh gjithmonë më i sulmuari, më i atakuari, më i keqi, më i ziu dhe bartës i çdo të keqeje që arrin të prodhojë fantazia opozitare.

Edhe nëse nuk do e kishe emrin Saimir Tahiri, Fatmir Xhafaj, Sandër Lleshaj apo Bledi Çuçi por do të ishte Zoti apo i dërguari i tij mbi tokë, do sulmoheshe njëlloj. Edhe nëse do kishe jetuar nga materniteti e deri në atë çast në kushtet ideale të programuar në mënyrë kompjuterike, ministri i Brendshëm në qeverinë e Kryeministrit Edi Rama, do kritikohej njësoj. Do të shahej njësoj. Do të etiketohej njësoj. Do të gjuhej me baltë po njësoj.

Kaq e vërtetë është kjo, sa mjafton të shohësh, dëgjosh apo lexosh se çfarë po flitet vetëm në pak orë për Bledi Çuçin për të kuptuar se nuk e kanë me të personalisht, por me ministrin e Brendshëm. E kanë me postin e tij të ri, siç e kanë patur me të gjithë të tjerët përpara tij. E kanë më kreun e dikasterit të rendit. E kanë me njeriun që do të drejtojë politikat e qeverisë në drejtim të sigurisë publike.

Bledi Çuçi ka qenë me përgjegjësi publike e shoqërore këtu e 20 vjet më parë, që kur ishte kancelar i Gjykatës së Tiranë, e më pas në shumë poste e funksione të tjera të rëndësishme, brenda dhe jashtë Shqipërisë. Është i angazhuar politikisht, që më 2007 kur u zgjodh për herë të parë, anëtar i Asamblesë Kombëtare të PS. E deri si deputet, drejtues politik i PS në qarkun e Gjirokastrës, ministër i Çështjeve Vendore e sëfundi i Bujqësisë.

Deri sot në mëngjes, Bledi Çuçi nuk ka qenë as i lakuar për keq, i anatemuar, i përfolur, i kritikuar, në qendër të vëmendjes apo sulmeve të PD, LSI dhe liderëve të tyre apo progandës opozitare. Përkundrazi. Por mjaftoi një njoftim i Kryeministrit Edi Rama për të në twitter, që shqiptarëve sot, opozitarët tanë të fillojnë ti ofrojnë një njeri krejt tjetër nga ai që i është paraqitur prej tyre këto dy dekadat e fundit.

Kaq mjafton për të kuptuar se sulmet e opozitës sonë në këto mbi 7 vitet e fundit, kundër ministrave të brendshëm socialistë, janë pjesë e një strategjie. PD për nga mënyra sesi e bën opozitën përmes aksionit që mban ndezur flakën e tensionit dhe destabilitetit, ka parë tek ministrat e Brendshëm të së majtës jo vetëm pas 2013, por edhe në periudhën 1997-2005 “Thembrën e Akilit”. Pikën për tu goditur, në mënyrë që të dobësojnë pa u ndalur mazhorancën, derisa të rikthehen sërisht në pushtet.

Është versioni modern i mallkimit 108 vjeçar që ndjek kreun e këtij dikasteri, arsyeja se përse Bledi Çuçi ka filluar të sulmohet që tani, si paradhënie për atë që duan të mbjellin deri në zgjedhjet e 25 prillit 2021. Nga qeveria e Ismail Qemalit e deri tek Sandër Lleshaj, nga 63 ministrat e Brendshëm që ka patur Shqipëria, 7 prej tyre janë vrarë, 1 është vetëvrarë, 8 janë pushkatuar, 5 janë dënuar me vdekje, 1 është arrestuar për krime lufte dhe 20 të tjerë, të dënuar për krime të tjera.

Kur Shqipëria të shpëtojë nga sindroma e ministrave të Brendshëm, mund të themi me siguri, që ka filluar të prosperojë për tu bërë një vend Europian me opozitë normale. Një alternativë që nuk e bazon sfidën e rikthimit në pushtet tek tensioni publik, por tek zhvillimi social- ekonomik e mbrothësia e Shqipërisë dhe shqiptarëve.

9 komente në “Nuk e kanë me Bledi Çuçin, por me ministrin e Brendshëm!”

  1. K.b says:

    Super shkrim ! ??????

  2. Qente lehin says:

    E ke qare.
    I ke thene te gjitha me kete artikull
    E kane se duan ta kene , jo se kane arsye ?
    Qente lehin
    Karvani perpara.

  3. N.O says:

    Kedo te vene ne ate vend te “mallkuar” do e haj.
    Dhe nje te marri nga rruga ai (sic mori sandrin) do ia gjejne te keqijat ne biografi…
    Keta jane ata !

  4. Krimineli says:

    Luli merzitet se rrezik do te behet prape vete qe ti vrasi dhe kater te tjere nga ana tjeter e Bulevardit .

  5. luani u.s.a. says:

    Nga Alfred Peza hajdutin e PS qe vodhi e 1 milione euro qe sheptoje nga Skenderbe Edi Rama kryehajdut i PS nga prokurori dhe gjykata pa arrestuar,denuar dhe konfiskimin e pasurise!!!

    1. asnjeansi says:

      Ku i vodhi nje milion euro , more idiot , ne redaksine e gazetes ku punonte ? Peza nuk ka punuar kurre ne ndonje detyre te rendesishme shteterore dhe pasurine e kishte plotesisht te justifikuar .

  6. doktori says:

    Me gjithate edhe une qe jam me Ramen koke e kembe,po te me kishte pyetur …nuk do t’ja miratoja zgjedhjen e nje ministri nepotik ne kete post kaq shume delikat!!!
    Perse e beri…Pse duhet ta sakrifikonte? Une do te isha 100% per zgjedhjen e Dritan Demirajt
    KAQ!

  7. Nik says:

    Z. Lleshi ishte nje minister i shkelqyer! Opozita jone eshte e degraduar totaisht. Dhe Z. Cuci eshte nje minister i provuar, pune shume e fjale pak. I uroj suksese per te miren e Shqiperise!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje