Pjerin Kçira, gazetari dhe hetuesi i Sigurimit të Shtetit që u pushkatua pse dekonspiroi inskenimin e Sigurimit me priftërinjtë françeskanë

25 Dhjetor 2020, 20:00Politika TEMA

Memorie.al publikon historinë e panjohur të Pjerin Kçirës nga qyteti i Shkodrës i cili menjëherë pas mbarimit të Luftës u mobilizua dhe shërbeu si gazetar, korrespodent i gazetës “Zëri i Popullit” dhe më pas hetues e nënoficer i Sigurimit të Shtetit në Degën e Punëve të Brendëshme të Shkodrës, ku punoi vetëm 13 muaj deri në vitin 1948, kur u arrestua duke u akuzuar si “kryetar i një grupi antiparti që kishin shpërndarë trakte me përmbajtje kundër pushtetit popullor”. Dënimi fillimisht i Kçirës me 20 vite burg politik, pasi deklaroi në gjyq se armët në Kishën e Françeskanëve duke u gdhirë data 17 nëntor e vitit 1946, i kishte futur vetë Sigurimi i Shtetit dhe më pas dënimi me vdekje e pushkatimi i tij, pasi kishte dekonspiruar inskenimin e Sigurimit të Shtetit. Dëshmitë e rralla të Padër Leon Kabashit, një prej dëshmitarëve të ngjarjes së “Armëve në Kishë” (e cila konsiderohet si një nga më të bujshmet e historisë së regjimit komunist në luftën ndaj Klerit Katolik) dhe disa prej ish-të dënuarëve politik nga qyteti i Shkodrës, të cilët tregojnë se si ish-gazetari, hetuesi dhe nënoficeri i Sigurimit të Shtetit, Pjerin Kçira, i ka shpëtuar ata nga torturat dhe dënimet me vdekje, duke u’a manipuluar procesin hetimor në favor të tyre.

Nga Dashnor Kaloçi

“Por desht zoti, e vërteta mbi ‘armët në kishë’, doli qysh në vitin 1949, kur një ish-punonjës i Sigurimit të Shtetit, hetues, i cili i dënuar në gjyq për fajet kundër partisë e pushtetit, si kryetar grupi, dhe si përpilues traktesh, me 20 vjet burg, dënim të cilin nuk e pranon dhe ngrihet para trupit gjykues e para popullit dhe deklaron, se: ‘armët në Kishën Franceskane nuk ishin të fretënve, por ishin armë të fut nga Sigurimi i Shtetit, për të fajsue totalisht Klerin Katolik’ dhe për këtë, dënimi nga 20 vjet, i’u kthye në vdekje, dhe u pushkatue.

Shumë fjal, posht e nalt janë ba për këtë deklaratë të Pjerin Kçirës, të cilën unë e kam ndie me veshtë e mi. Ndoshta ndonjë për qëllime të veta, edhe ja kanë ngjeshë Pjerinit këtë gjë, por unë them se sot, ka ardh koha që e vërteta të dalë ashtu siç është. Unë jam dëshmitar i kësaj ngjarje”.

Kështu është shprehur në mes të tjerash në një deklaratë publike të bërë që në 4 mars të vitit 1995, Padër Leon Kabashi, një nga të burgosurit politik që vuajti vite të tëra në burgjet dhe kampet e internimit të regjimit komunist të Enver Hoxhës, lidhur me ngjarjen e shumëpërfolur të “armëve në kishë” të ndodhur në qytetin e Shkodrës natën e 17 nëntorit të vitit 1946, ku në Kishën e Fretnëve Françeskanë, Sigurimi i Shtetit “gjeti armë”!

Që nga ajo ditë e deri në shëmbjen e regjimit komunist, historiografia zyrtare dhe propaganda e asaj kohe e ka konsideruar dhe paraqitur atë ngjarje si një “veprim armiqësor të Klerit Katolik me qëndër në Shkodër, që i mbushi edhe institucionet fetare me armë, për të luftuar pushtetin popullor”.

Por lidhur me të vërtetën e asaj ngjarje, ka dëshmuar që në vitin 1949, një ish-hetues dhe punonjës i Sigurimit të Shtetit, i quajtur Pjerin Kçira, i cili në gjyqin ndaj tij, ku ai akuzohej si: “Kryetar i një grupi antiparti që kishin hedhur trakte me përmbajtje armiqësore kundra pushtetit popullor”, deklaroi se: Armët në kishë i kishte futur vetë Sigurimi i Shtetit, dhe me anë të torturave, i kishte detyruar priftërinjtë katolikë të deklaronin se ato armë i kishin futur ata”. Pas kësaj, gjyqi ndaj Pjerin Kçirës u ndërpre dhe pasi nxorrën popullin jashtë sallës, nga 20 vjet që ishte dhënë dënimi për të, Kçirën e dënuan me vdekje me pushkatim dhe e ekzekutuan.

Lidhur me këtë ngjarje nga më të përfolura në historinë e regjimit komunist të Enver Hoxhës në luftën e tij ndaj Klerit Katolik, Memorie.al ka hulumtuar dhe siguruar disa dokumente arkivore të marra nga Arkivi i Ministrisë së Punëve të Brendëshme ku përveç një dokumenti që përmban ‘Karakteristikën’ (vijë-sjellje e punës) e Pjerin Kçirës të nënshkruar nga ish-Kryetari i Degës së Punëve të Brendëshme të Shkodrës, Zoi Themeli, ku ai (Kçira), ishte efektiv, ndodhet edhe dokumenti me traktin (komunikatë) me përmbajtje antikomuniste që kishin shpërndarë “Grupi antikomunist” i kryesuar nga Pjerin Kçira, gjë për të cilën ata edhe u arrestuan e u dënuan.

Po kështu, krahas këtyre dokumenteve arkivore, Memorie.al ka siguruar edhe dëshmitë të ndryshme nga ish-të burgosur politik nga rrethi i Shkodrës, të cilët hedhin dritë si për atë ngjarje të largët (nga më të përfolurat gjatë periudhës së regjimit komunist) të ndodhur në mesnatën e 17 nëtorit të vitit 1946, e njohur ndryshe se “ngjarja e armëve në kishë”, ashtu dhe për Pjerin Kçirën, komunistin idealist dhe hetuesin e punonjësin e Sigurimit të Shtetit, që jo vetëm nuk kishte pranuar në vitin 1946 që të bënte një shkrim për atë ngjarje kur ai ishte si korrespodent i “Zëri i Popullit”, por në gjyqin ndaj tij, tha të vërtetën, duke demaskuar hapur intrigat dhe makinacionet e Sigurimitv të Shtetit, në tentativën për të përligjur goditjen ndaj Klerit Katolik.

Lidhur me këtë ngjarje që siç thamë më lart, është një nga më të përfolurat në periudhën e regjimit komunist të Enver Hoxhës lidhur me akuzat e bëra ndaj Klerit Katolik, pas viteve ’90-të është shkruar jo pak dhe një prej tyre që është marrë gjatë me atë ngjarje dhe konkretisht me aktin burrëror e të pashëmbullt të Pjerin Kçirës që dekonspiroi publikisht makinacionet dhe prapaskenat e regjimit komunist “me futjen e armëve në kishë”, ka qenë edhe studjuesi e deputeti i Parlamentit Shqiptar, Dr. Pjetër Pepa, autor i disa librave me studime për krimet e komunizmit, pjesë nga të cilat i kemi përzgjedhur dhe po i publikojmë në këtë shkrim.

Karakteristika e Pjerin Kçirës: “Nuk asht besnik i punës, ka raste që ka dekonspirue sektorin e punës së vet në Sigurim”

PJERIN KÇIRA, MARSHALL CIVIL

I përmenduri nuk duket të jetë edhe aq besnik i punës, tue dasht me u shitë jasht si një njeri që ka një pozitë në Sigurim. Kanë ndodhë raste që ka dekonspiru edhe sektorin e punës së vet, si p.sh., tash së fundi me rastin që ndodhet në pushime verore në Theth Dukagjin, në mes të një rrethit shokësh, shtron bisedën në lidhje me Hetuesinë, se si ka torturu një Prift dhe në sajë të këtij mjeti, e ka bërë me kapitullue.

Si asht në korrent në lidhje me veprimtarinë e Riza Danit, personifikon punë të mëdhaja të Sigurimit, në forma të ekzaxherueme e tjera. Kjo e metë për me u shitë i madh, e për këtë gjë detyrohet me dekonspirue, i është bërë si pekt. Për dekonspirimin dhe damin që sjellë, kjo e mbetë i është vënë në dukje qysh në çastin e parë që i përmenduri erdhi në Sigurim, ku edhe prej kësaj kohe e tutje, asht këshillue në këtë drejtim.

Nuk është edhe aq i sinqert e kjo rrjedh siç u tha më sipër, nga se i pëlqen me u dukë mbi të tjerët, aq sa aty këtu ndër shokët e Sigurimit, ka fitue një antipati.

Ky asht hetues pranë Seksionit Sigurimit Shtetit në Qark. Sa për sektorin që ky ka sot tue kenë si i ri, akoma nuk e zotron sa duhet, por që ka prespektiva që shpejt të zhvillohet në këtë drejtim. Tue kenë i ri, siç u permend në këtë punë, nuk ka arrijtë akoma të fitojnë një pjekuni të duhun, sa me u ngjijzë më lart. Nga ana tjetër, ai pengesë kryesore ka të metat që theksuem ma sipër, pos ktyne, asht edhe shumë feminist.

Asht element i zgjuar dhe deri diku asht i lidhur me punën.

Përsa i përket pakënaqësivet, vetëm një gjë është vrejtje në të, në lidhje me gradën, i cili asht shprehë vetë, se si kur t’i vijë grada N/Oficer, nuk do veshet fare, e në lidhje me këtë, kur shkovi nder ditët e para nëpër burgje, për me u bërë pyetje të burgosurvet, rojeve të burgut i paraqitej Oficer me gradën N/Toger. Nevet besojmë se ka për t’u prekë tash që të kthehet nga pushimi, kur nevet kemi me ja komunikue gradën si Marshall civil.

I përmenduri nuk është çfaqë as ndonjë herë në se i pëlqen a jo, puna në Sigurim, por që nga puna e tijë e përditshme, konstatohet se e don këtë punë.

Përsa i përket qëndrimit të familjes së tijë gjatë okupacionit, nuk asht kompromentuar që të ketë pasë ndonjë bashkëpunim me zaptuesit, por siç dijmë, kjo ka mbajtë një qëndrim indiferent, kurse mbas çlirimit, lidhet ngushtë me Pushtetin.

Përsa i përket gjendjes ekonomike, nuk e ka aspak të mirë, dhe nuk ka të ardhuna të tjera përveç rrogës që posedon.

Tue u mbështetur mbi sa u tha më sipër, i përmenduri mund të bante shumë i vlefshëm për Sigurimin, sikur t’i zhduken të metat që u përmendën ma sipër, gja që ka probabilitet me ju dalë një gjëje të tillë, mbasi është i ri nga mosha.

PJERIN KÇIRA, Hetues ne Seksion Shkodër

Lindur në Shkodër me 1926 nga një familje e ulët puntore me profesion nënpunës. Ka simpatizue Lëvizjen Nacional Çlirimtare qysh në fillim dhe është hedhë në aktivitet tue bërë agjitasion dhe shpërnarë trakte etj. Ka mbajt qëndrim të mirë mba çlirimit dhe deri tash.

Politikën e Partisë e kupton, ka dashur për Partinë dhe sakrifikon për të. Eshtë element i squt dhe kupton shpejt. Ka eksperiencë në administratë të Pushtetit. Eshtë bërë Antar Partije në vjetin 1946 në Shkodër.

Sekretet e Partisë dhe të Pushtetit i mban mirë, me përgjegjësat dhe inferioret ka sjallë të mira, por i mungon autoriteti si A.P. Ka cilësira për të ecë përpara, por don dhe përkrahje se është dhe i ri (i mungon pjekunija). Ka kryer 4 klas Gjimnaz në shkollën Françeskane.

Zoi Themeli

Komunikata me përmbajtje antikomuniste e Pjerin Kçirës dhe grupit të tij

Vdekje e Fashizmi                        

Liri Popullit

K O M U N I K A T E

Marksizmi është një bazë theorike e botë. Lenini me mënyrat e tij të hodhi në theorinë e Marksit në mënyrën e aplikimit të veprave të Marksizmit jo në kondita të veçanta pune, por që i ka rrënjët e tija në gjithë zhvillimin internacional.

Prandaj kemi mbështjetje, dijmë të orientohemi.

Shokë komunistë, Popull i Shkodrës.

Vetëm theorija na mëson si të orientohemi, na tregon… vigjëlent që kurdoherë jemi, po shohim shtrembërime theorike, politike dhe ekonomike në këtë Shqipëni të vogël, ndaj këtij popull të uritur.

Disa krenë të Internacionales së XX Komuniste, principialisht kanë vendosun atë që një popull që ëndërron të drejtën për….d.m.th. të drejtën e popujve të shtypur për të patur…kulturale, duke lënë të gjithë pushtetin politik në duart e një pakice ndonjëherë.

E tilla gja ngjet për Popullin Shqiptar nga nacionalistët jugosllav, për mos udhëheqjen e mirë nga ana e Komitetit Central të Partisë Komuniste Shqiptare, por këta nuk ishin shtyrë nga theorija Marksiste, por kopjuan theorinë me vepra nacionaliste të Jugosllavëve, të cilët janë devijatorë të tehorisë Marksiste-Leniniste.

Paturpërisht, anëtarët e Komitetit Centarl të Partisë Komuniste…Pak flasin për politikën e tyre deri tani me këtë Parti…dhe bazohen në …. e dikaturës së proletarjatit….!

Përpara anëtarëve të Partisë Komuniste Shqiptare, shtojmë se Jugosllavija…! Tash pyesim si ngjet kjo, gjithë këto gabime nuk po i shohim? Thonë se peshku qelbet nga kryet, faktet flasin kështu.

Rreakcjoni i Komitetit Central të Partisë Komuniste Shqiptare, në mbledhjen e Pleniumit të VII-të i studjoj shtrembërimet e vijës së Partisë. Po për drejtimin e gabuar që kishin marrë disa shokë kundrejt marrdhënieve me Jugosllavinë dhe këtë gjë e dënojë rreptë.

Komiteti nuk pru…informacione nga Konsulta e 9 Partive që i nxorri të palarat Komitetit Central të Partisë Komuniste Jugosllave për fjalët e Komitetit Central të Partisë Komuniste Shqiptare, duke e trashë veten e tyre për shtrembërime, të kujtoj me relacionin dhe ta ndal vrapin kundrejt Titos., kundrejt atyre që veç frika i duket se me vdekjen e…!

Por edhe mbrenda Komitetit të Partisë së Qytetit dhe të rrethit, në mes anëtarëve të tyre ka divergjenca dhe inate e ndërmjet tyre lozin shumë dallavare.

Partija organizativisht nuk asht ajo e para disa muajve dhe vjetëve, nuk ka kontroll, mbrenda mban element të degjeneruar, mjeran të tarafit që nuk lejohen.

Të vërejmë me vëmëndje, të përcjellim format, të studjojmë theorinë e Marksit për të ecur në rrugën tonë…e mos me ra në greminën e udhëheqësve nacionalistë.

Neve, anatërëve të Partisë që na dhimbset gjaku i derdhur…lufta dhe fitoret, do të jemi të pamëshirshëm kundër devijatorëve të tipit Tito me shokë.

(Shënim: Kjo është vetëm një pjesë e traktit dhe pjesa tjetër nuk lexohet e nuk kuptohet, pasi dokumenti është shumë i vjetër

Dëshmia e Padër Leon Kabashit: Pjerin Kçira, asht një hero, ai dha jetën për të nxjerrë në dritë të vërtetën që i shërben edhe klerit katolik

Fakte rreth një të vërtete

Dihet, sidomos në Shkodër, është bërë një luftë e madhe kundër Klerit Katolik. Arrestime, dënime, burgime e internime, ka pas qysh në vitin 1944 -‘45, por si veprim me stil të gjerë dallohet viti 1946. Në këtë vit në Kishën Françeskane të qytetit tonë, ngjau krimi ma i madh i Sigurimit të Shtetit, kundër Klerit Katolik: futja e armëve në kishë dhe pastaj kontrolli i saj, dhe në fund arrestimi e dënimi i fretënve. U gjetën, gjoja, shumë fakte që vërtetojshin fajësinë e tyne.

Më kujtohet një fotografi e Padër Çiprian Nikaj me pushkë në dorë. Unë e dij shumë mirë se e kuj është ajo pushkë. Unë mbajshe çelësin e Muzeut të Kishës, dhe ndër të tjera orendi, ishte dhe pushka e Dedë Gjon Lulit. Unë, po punojshe diçka të Kuvendit, kur po vinë, Çesk Kabashi, bashkë me dy të tjerë, më kërkojnë dhe më marrin çelsin, duke më thënë se nuk më përkiste më mua, dhe kështu çelsi i Muzeumit Françeskan, ra në dorë të Sigurimit të Shtetit, i cili përfitoj nga rasti dhe, pushkën e Dedë Gjon Lulit i’a dha në dorë Padër Çiprian Nikës, me qëllimin diabolik, për t’a fotografue me armë në dorë.

Të parët që psuen pasojat e egra të Sigurimit të Shtetit, qenë Padër Mati Prenushi dhe Çiprian Nikaj. Ata asnjëherë nuk ishin marrë me politikë, por me qenë se ishin drejtuesit e Kuvendit, dhe ne si priftërinj kemi pasur kulturën dhe edukimin e rinisë edhe për këtë, ata dojshin të na fajsonin më shumë. Ne si priftërinj shifshim se diçka do të ndodhte, madje edhe disa figura, për t’i ruejt, i kemi shpërnda edhe nëpër shtëpija për të mos ra në duart e tyne.

Synimi i tyne ishte shkatërrimi dhe demaskimi i Kishës, por këtë në atë kohë nuk e ka bërë direkt, por na kanë sulmue ne si persona, si individë. Por desht zoti, e vërteta mbi “armët në kishë”, doli qysh në vitin 1949, kur një ish-punonjës i Sigurimit të Shtetit, hetues, i cili i dënuar në gjyq për fajet kundër partisë e pushtetit, si kryetar grupi, dhe si përpilues traktesh, me 20 vjet burg, dënim të cilin nuk e pranon dhe ngrihet para trupit gjykues e para popullit dhe deklaron, se: armët në Kishën Franceskane nuk ishin të fretënve, por ishin armë të fut nga Sigurimi i Shtetit, për të fajsue totalisht Klerin Katolik dhe për këtë, dënimi nga 20 vjet, i’u kthye në vdekje, dhe u pushkatue.

Shumë fjal, posht e nalt janë ba për këtë deklaratë të Pjerin Kçirës, të cilën unë e kam ndie me veshtë e mi. Ndoshta ndonjë për qëllime të veta, edhe ja kanë ngjeshë Pjerinit këtë gjë, por unë them se sot, ka ardh koha që e vërteta të dalë ashtu siç është. Unë jam dëshmitar i kësaj ngjarje. Sipas disa të dhanunave që unë kam marr nga disa shokë të mij të besuar, urdhëri për futjen e armëve në Kishë ka ardh direkt nga Tirana, disa herë, sepse nuk asht zbatue menjëherë nga Dega e Brendëshme e Shkodrës.

Siç e thashë ma parë, ne ishim të përgatitur për diçka se do të ndodhë, por faktikisht nuk e dinim. Për këtë, Padër Aleks Baqli, kishte disa net që ruente kishën. Në këtë periudhë u shtetëzue gjimnazi i frentënve. Punonjësit e Sigurimit, janë fut nga dera e gjimnazit, duke trokitur në dritaren e xhakonit, Ndoc Vasili, me një kallam në majen e të cilit ishte një letër. Xhakoni merr letrën ku ishte shkruar “dil e na hap derën”. Mbasi hapet dera, punonjësit e Sigurimit të Shtetit bisedojnë me xhakonin, duke i thënë se: “këta kanë mbarue, prandaj ti banu me ne. Ne do të japim ty edhe bursë për jashtë shtetit”.

Të gjitha këto janë fjalët e Ndoc Vasilit, q’i m’i ka thanë më vonë kur jam takue me të. Mbasi Ndoc Vasili ka hap derën e Kishës, punonjësit Sigurimit të Shtetit, Elez Mesi, Mynyr Kurti dhe Ismail Lula, futën armët në kishë. Padër Aleks Baqli, i cili ishte i mshehur në sakristi, ka pa njerëz tuj lëvizë nëpër kishë atë natë. Të nesërmen, doli fjala se u gjetën armët në Kishën e Fretënve. Kjo ashjt e vërteta që mbeti në errësirë deri në kohën e demokracisë.

Unë Padër Leoni, i kam dijtë këto fakte por nuk kam mujtë me folë, për të mos kopmpliku çashtjet që do të randonin ma tepër në Klerin Katolik. Përsa i përket Pjerin Kçirës, unë e kam thanë dhe e them, se: ai dha jetën e tij duke nxjerrë në dritë të vërtetën e armëve dhe duke demaskue punën e Sigurimit të Shtetit.

Me aktin e tij, ai bani njiherësh shërbim nacionalizmit dhe fesë. Nëqoftë se ketij akti nuk dona me i dhanë ngjyra fetare, ky njeri asht një hero, që bani një heroizëm të madh për kombin. Ndërsa, duke u nisur nga ana fetare, Pjerin Kçira asht një martir i së vërtetës, sepse dha jetën për një të vërtetë që i shërben aq shumë klerit katolik, para popullit dhe botës.

Padër Leon Kabashi

Dt.4.III.1995

Dëshmia: Pjerin Kçira njoftoi vëllanë tim, Lecin, se do e arrestonin dhe ai u arratis e shkoi në Kanada

D E K L A R A T E

Unë e nënshkruara Gjyljana Vasija, deklaroj:

Se në vitin 1990 jam takuar me vëllanë tim, Lec Vasija, në Kanada, i arratisun jashtë shtetit që në vitin 1948 dhe në mes të tjerash, informata që morra rreth arratisjes së tij dhe të tjera që nuk i dinim, më deklaroi si vijon:

Arratisja ime u bë për arsye se morra njoftimin prej Pjerin Kçirës, i cili më tha: Lec, deri këtu jam përpjekë për ta shtye për të mos me t’ë arrestue, por tash nuk kam se ça me të ba ma, bani derman vetes

Me këtë njoftim të Pjerin Kçirës, vendosa të arratisesha pa i njoftue asnjeriut lajmin e marrë prej Pjerin Kçirës.

DEKLARUESI

Gjyljana Vasija

Dëshmia: Kur Pjerini deklaroi në gjyq se armët në Kishë i futi Sigurimi, u ndërpre seanca dhe popullin e nxorrën jashtë

D E K L A R A T E

Unë Gjovalin Mazreku, pjestar i “grupit antiparti”, i vetmi i mbetur gjallë, deklaroj sa më poshtë vijon:

Unë jam një anëtar i “grupit antiparti” të formuar në vitin 1948 dhe të drejtuar nga Pjerin Kçira. Jam dëshmitar i vuajtjeve dhe ngjarjes, e zhvillimit të gjyqit.

Shkaku i arrestimit tonë është veprimtaria antiparti dhe antipushtet e jona, si dhe përpilimi e shpërndraja e një trakti. Për këtë pas 11 muajve tortura, dolëm në gjyq dhe u dënuam me, ma i pakti me 10 vjet dhe ma i shumti 20 vjet, që ishte Pjerin Kçira, kryetar i grupit.

Na kishim ma vonë të drejtën e fjalës dhe kur i erdhi rradha Pjerinit me folë, pas disa minutash, i hoqën të drejtën e fjalës. Ai, si ishte në kambë, pshtyu trupin gjykues dhe u shpreh: “Mos mendoni me ma mbyllë gojën e me ma ba si ja kemi ba priftënve, që ja kemi fut armët në kishë, e me tortura i kemi ba me pranue se janë të tynet”.

Pas këtij deponimi, gjyqi u mbyll, populli u nxorr jashtë dhe seanca tjetër e gjyqit u ba me dyer të mbylluna, në të cilën Pjerin Kçira u dënue me vdekje, me pushkatim.

Atëhere lind pyetja Ku e dinte Pjerin Kçira që armët në kishë i kishte fut Sigurimi i Shtetit?

Gjithkush ka të drejtë me e ba këtë pyetje, së cillës unë do t’i përgjigjem.

Ky akt u krye në vitin 1946. Një ditë të bukur, Kisha Franceskane njeh e rrethueme dhe në kontroll të saj, gjehen armë. Pjerin Kçira, që në atë kohë punonte si korrespodent i “Zëri i Popullit”, dërgohet të shkruj një artikull mbi këtë ngjarje, të cilën ai nuk pranoi ta shkruj. Pse? Sepse me syt e vet vërtetoi se armët ishin të vojtisura, e nuk kishin pamjen e armëve të futura në altar.

Në vitin 1947 Pjerin Kçirën e emnojn në punë në Degën e Punëve të Brendëshme të Shkodrës. Emnohet me 1 maj dhe në fillim nuk pranon, mandej më 1 qershor fillon punë dhe vazhdon për 13 muaj deri më ditën që arrestohet. Gjatë këtyre 13 muajve, aty mbrendë në mësuam në mes të tjerave se personat që kishin fitur armët në kishë, ishin:

Kapterr, Elez Mesi

Rreshter, Mynyr Kurti

Tetar, Ismail Lulo

Këta të urdhnuem nga Zoji Themeli, natën, të veshur me pelerina, fusin armët në kishë.

Të nesërmen Dul Rrjolli dhe Dulaç Lekiçi me të tjerë, gjenjë pas lterit “armët e priftënev françeskanë”. Kjo asht e vërteta mbi këtë ngjarje. Për traktin dhe veprimtarinë antiparti e antipushtet, Pjerin Kçira u dënue me 20 vjet burgim. Pas deklaratës mbi armët në kishë, ai u dënua me vdekje me pushkatim.

Deklaruesi

Gjovalin Mazreku

Dëshmia e ish-të dënuarit me vdekje: Jetën time i’a dedikoj, Pjerin Kçirës, më gjeti të varur në pemë dhe më çoi në spital

D E K L A R A T E

I nënshkruari Ragip Fetah Meto, lindun e banues në Shkodër, vërtetoj si ma poshtë:

Me datën 6 prill 1946, jam arrestu nga Sigurimi i Shkodrës dhe menjeherë kan fillue hetimet për mu. Kam ndej 16 muej në hetuesi tuj hjek torturat ma çnjerzore dhe në nëndor të 1947, jam dënue me vdekje.

Gjatë hetuesisë, kam njoft Pjerin Kçirën, i cili më ka gjetë në tortura dhe një rast më ka gjet të varur për peme, 6 ditë pa hangër dhe pa pi ujë. Mu personalisht më ka ndihmu, tuj më çu në spital të Shkodrës, mbasi e pau se isha në gjandje të rëndë, tuj dekë.

Vetëm kujdesi i Pjerinit, më pshtoj jetën. Këtë ai e bani me kryet e vet, me nisiativën e vet, pasi ai nuk ishte hetuesi im. Hetuesi im ishte nënkryetari i Degës.

Pra edhe njëherë, jetën ja dedikoj Pjerin Kçirës. Nga shokët e mij të burgut, asnjëherë nuk kisha ndigju ankesa për sjelljet e tij ndaj tyre.

Ja lshoj këtë deklaratë familjes së tij, për ta përdor ku t’i nevojitet.

Dt. 8.II.1993                 

Deklaruesi           

Ragip Feta Meto 

Dëshmia: “Hetuesi Fadil Kapisyzi më torturonte në mënyrë çnjerzore, kurse Pjerin Kçira më shpëtoj nga pushkatimi dhe u dënova vetëm 3 vjet”

Një ish-i burgosun politk, Met Licaj dëshmon:

Isha i arrestuar dhe kisha gjashtë muaj rresht që torturohesha në mënyrë çnjerzore nga Fadil Kapisyzi. Një nat, në orën 12 më marrin dhe më çojnë në hetuesi. Këtë rradsshë një tjetër që nuk e njihja.

Ishte Pjerin Kçira. Pasi nxorri jashtë policët, filloi të më pyeste për çështjen dhe unë i përgjigjesha duke mos pranuar kurrgja.

Natën tjetër m’u drejtua me po ato pyetje dhe unë i dhashë po ato përgjigjie. Por në atë dhomë ku unë mendoja se ishim vetëm ne të dy, ishte dhe dëshmitari i fshehur, trrë cilin Pjerini e nxorri me dëshmu. E njofta menjeherë, ishte dhe ai i arrestuar.

Na vuri përballë njëri-tjetrit dhe i tha fol. Dëshmitari i arrestuar filloi të flasë. Fjalët e tij ishin të vërteta, por unë në ansjë mënyrë nuk pranoja asgja dhe kundërshtoja fort. Atëhere Pjerini u kthye nga dëshmitari. Thirri policët dhe e nxorri jasht. Mbasi ikën të gjithë, më zgjidhi duart dhe më that ë ulesha. Ai vazhdoi: “Mos kujto se ma hodhe, unë i di të gjitha, e di se edhe fjalët e dëshmitarit janë të vërteta. Por ti je burrë dhe qëndron, dhe unë i ndihmoj njerzit që i rrinë fjalës. Tash ti ke me e pa se kush asht Pjerin Kçira. Po të pyes për diçka: A ke besë?

Dhe pastaj vazhdoi: Ti e ke vendimin me u pushkatu, por në rast se e ke fatin me ndej deri në fund të hetimit me mu, ti as nuk do të pushkatohesh, e as nuk do të dënohesh randë. Në qoftë se kanë me të çue te ndonji hetues tjetër, do t’i thuesh kështu: “Më torturoni, më rrahni, më mbytni, bani ça të doni me mu, veç në dorë të Pjerin Kçirës mos më çoni ma”. E tash thuej se çka kërkon prej meje. I thash me ba të mujtun mos me shtërngue fort duert në pranga, dhe me m’ë pru pak buk e duhan. Të gjitha këto kërkesa, indirekt m’i plotsoi.

Të gjithë e dimë se sa vlerë kishin fjalët e të pandehurit para trupit gjykues, por procesi që kishte ba për mu hetuesi Pjerin Kçira, bëri që unë jo vetëm të mos pushkatohem, por të dënohem vetëm me tre vjet burgim. Pjerin Kçira ishte ai që ma shpëtoi jetën. Ma vonë kur iusha në burg, morra vesh si Pjerin Kçirën e kishin pushkatuar.

Me nderime 

Met Licaj

Dr. Pjetër Pepa: Ja e vërteta për ngjarjen e ‘Armëve në Kishë

Kur At Çiprian Nika dëshmonte: “Armët nuk i kam pas vetë. Ishin disa mbeturina të lëna nga gjermanët kohë më parë, që kur ishin strehuar dhe kishin banuar në seminarin tonë”, mendonte se bëhej fjalë për 3-4 mbeturina rrangallë të mbetura si trofe pas ikjes së gjermanëve, dhe me sinqeritet e thoshte edhe atë, pa e ditur se do të dilte në fotografi pranë një mori pushkësh fare të reja, që ishin futur një mëngjes në atë kuvend e në atë kishë.

“Njeriu e ka për detyrë të thotë gjithmonë të vërtetën, por jo të thotë gjithë të vërtetat”, – porosit Aristoteli, por ishte koha e Lilo Zenelëve, dhe jo e Aristotelëve.

“Gjithë arkivin me vlerë historike e futëm në dy koshunj të mëdhenj, – dëshmon At Zef Pllumi. – Ishte një pasuri e pamasë dokumentesh të Rilindjes Kombëtare, si dhe shkrimet, letrat, kujtimet e dorëshkrimet e Luigj Gurakuqit, Hasan Prishtinës, imzot Doçit, imzot Bumçit etj. Ishin dhe dokumentet e Gjeçovit, fondi i Fishtës etj. Dorëshkrimet përgjithësisht i sistemuam në valixhe metalike, që kishin qenë dikur arka municioni dhe ishin lënë bosh nga gjermanët, sepse ishin të përshtatshme kundër lagështirës. E ironia e dhimbshme konsistonte në faktin se në libra, revista dhe ekspozita nxirrnin fotografitë tona para atyre arkave të shoqëruar me nënshkrimin: ‘Ja municioni i fshehur në kishë, në ato arka që me shkrimet e tyre gjermanisht kishin diçka të tillë lidhur me municionin…’ Natyrisht, ishte kjo një djallëzi ‘e vogël’ e Sigurimit, e vështirë për ta kuptuar cilido”.

“Në të dalë të dritës, – tregon At Zef Pllumi, – forcat e Sigurimit shpërthyen brutalisht kuvendin, mblodhën gjithë fretërit, organizuan atë ‘kontrollin e imët’ deri ndër altare, dhe në njërin prej tyre gjetën me shumicë armë…”. I nxorën gjithë fretërit në oborr, shumica përfunduan në pranga, shuplakë e pështymë, shkelma e sharje, çka s’ishte parë asnjëherë në asnjë vend të botës. Kuvendi ishte shkelë në atë mënyrë, sa banorët përreth s’e harrojnë ende sot. S’vonuan shumë dhe ia behën të ftuarit dhe autoritetet. U gjendën menjëherë prezent telekamerat jugosllave për të dokumentuar këtë ngjarje, zjarri i së cilës sapo ishte vënë.

E përballë kësaj të vërtete, ja se si bëhej propaganda: “Armët e shumta dhe të llojeve të ndryshme që u gjetën të fshehura në seminar, kuvend e institucione të tjera, – pohon provinciali françeskan Mati Prendushi, – ne i ruanim me shumë kujdes. Depot me armë, një pjesë të pushkëve, të mitralozëve, të bombave dhe mortajave e municionin përkatës, ne i patëm marrë nga ushtria italiane”. (Rakip Beqja, f. 72).

Në altarin e zemrës së Krishtit, në ish-kishën françeskane Shkodër, sipër dhe në fund të tij janë fshehur armë lufte (fishekë, mitraloza e bomba), për t’u përdorur kundër pushtetit popullor. (Idem. f.80).

“Në altarin e Shën Ndout, në kishën françeskane u gjetën armë brezi. Disa ditë më vonë, edhe në kishën e madhe në Shkodër u gjetën armë lufte të markës gjermane dhe arka me municion”, – thuhet në një vend tjetër. “Më 16 dhjetor 1946, seksioni i Sigurimit të Shtetit zbuloi në abacinë e Mirditës, brenda në kishë e në qelë, armë e materiale të tjera komprometuese”, – njofton përgjegjësi i Sigurimit të Mirditës, togeri Bardhok Biba.

“Më 1946 u zbuluan me shumicë armë lufte, pushkë, bomba e mitraloza të fshehura nga klerikët në arqipeshkvinë e Shkodrës… Prifti Donat Kurti, mbasi ka prishur murin e dhomës së tij, tregon vendin ku gjendej depoja e armëve të fshehura, që kleri katolik kishte marrë nga gjermanët”, – thuhej në një vend tjetër.

E përballë kësaj propagande që bëhej në opinionin kombëtar dhe
ndërkombëtar, si mund të zbulohej e vërteta, kur dëshmitar i vetëm ishte Zoti e frat (vëlla) Ndou, portieri i kishës? Ai nuk pranoi të dorëzojë çelësat e të hapë portën për të futur armët e reja e pa pluhur, pushkët e gjata e mauzeret e llustrosura, rreth orës 4.30 të mëngjesit të asaj dite të zezë. Për këtë veprim, e masakruan si mos më keq!

“Ishim te burgu i Ulqinakut, – kujton Terezina Zorba. – Natën erdhën e morën At Mati Prendushin. Të nesërmen na tregoi se bashkë me At Pal Dodën, Donat Kurtin e Çiprian Nikën, ata i çuan në kishën e françeskanëve, hapën elterin e Shna Ndout, u vunë pushkë e mitraloza në krahë dhe i fotografuan disa herë”

AKTI I DYTË – ZBULOHET E VËRTETA

Të vërtetën e dinte vetëm Zoti e frat Ndou, portieri, të cilit i kishin kërkuar çelësat… por tashti edhe ai nuk mund të fliste, sepse e kishin çuar edhe atë tek Zoti… Çfarë mund t’i ketë mbetur pa thënë kësaj drame të përgjakshme? Nuk kanë kaluar as katër muaj nga pushkatimi, dhe një valë e re arrestimesh shpërthen sërish në Shkodër, e bujshme dhe tepër e veçantë për llojin e saj. E veçanta konsistonte te të arrestuarit. Është një grup tashmë të rinjsh, 20-25 vjeçarë, tre nga të cilët janë jo vetëm anëtarë partie, por edhe punonjës të Sigurimit të Shtetit.

Më 28 korrik 1948 do të arrestohen:

1Pjerin Kçira– 25 vjeç, anëtar partie, aspirant në seksionin e sigurimit Shkodër, korrespondent i “Zërit të popullit”.

2Gjovalin Mazreku – 20 vjeç, anëtar partie, kapter në seksionin e sigurimit, Shkodër.

3.Lin Çollaku – 23 vjeç, anëtar partie, kapter në seksionin e sigurimit, Shkodër.

4Zef Bardhoku – 24 vjeç, anëtar partie, nëpunës.

5Nush Simoni – 22 vjeç, nëpunës banke.

Edhe për ta – rituali i zakonshëm. Po cila ishte akuza?

Natyrisht, do të bëhej shpejt e shpejt edhe për ta një…!
Proces-verbal: Prokuroria ushtarake e Tiranës me funksion në Shkodër, me Aktakuzën e saj datë 26.5.1949 i sjell për gjykim kësaj gjykate çështjen penale për të pandehurit Pjerin Kçira… me shokë se:

– Kanë qenë anëtarë të një grupi të organizuar në mbledhje të fshehta.

– Kanë bërë agjitacion e propagande me gojë e me shtyp.

– Kanë marrë vendime që të kryejnë atentate kundër funksionarëve të partisë e të pushtetit dhe kanë kërkuar të bëjnë atentat kundër një anëtari të sigurimit, por që nuk e kanë kryer nga frika se mos diktoheshin… etj.

Kur u formua dhe çfarë ishte ky grup?

Mbi bazën e dokumenteve rezulton që grupi u krijua më 18 korrik 1948, dhe se në një mbledhje të rregullt me votime kanë zgjedhur kryetar Pjerin Kçirën.

“Koçi Xoxe nuk ka dominuar mbi sekretarin e parë të partisë, E. Hoxhën, prandaj ky i fundit është fajtor e përgjegjës për gjithçka që po ndodhte në Shqipëri”. Ishte ky mendimi i anëtarëve të këtij grupi në atë periudhë të turbullt, kur një “tradhti” zbulohej në Shqipëri e që me vonë (3 mars 1949) u hiqej mandati edhe vetë Koçi Xoxes e Pandi Kristos (Arkivi i Kuvendit Popullor). Pra, veprimtaria e grupit rezulton të jetë zbuluar në krye të dhjetë ditëve… Të ishte një armiqësi apo truk që organizonte Sigurimi, i cili nuk kursente as edhe shërbëtorët e vet kur duheshin zhdukur gjurmët?!

Dhe, hetimet do të zgjasin njëmbëdhjetë muaj, e natyrisht edhe torturat me devocion të posaçëm po i realizonin Ali Xhunga, Kasem Troshani e shumë të tjerë, që deri dje kishin qenë shokë të tyre…! Madje, gjatë procesit gjyqësor, të pandehurit akuzojnë për këto tortura dhe të mësipërmit detyrohen të vijnë dhe të dëshmojnë në gjyq siç e ka kërkuar mbrojtja. Por natyrisht, as që mund të ndodhte ndryshe. U provua “katërcipërisht” se deklaratat e të pandehurve ishin marrë “pa asnjë detyrim e presion”! Akuzohen gjithashtu për atentate që kishin dashur të bënin kundër Abaz Lazes, Lilo Zenelit, Ali Begut etj.

Dhe… një proces-verbal tjetër:

“Sot, më datën 28.5.1949 trupi gjykues, i përbërë nga kapiten i parë, Vangjel Kocani, kryetar, dhe toger Haxhi Beqiri e kapter Ali Tirana, anëtarë, me prokuror, kapiten i parë, Harito Nashin, hapin gjyqin kundër të pandehurve…”

Për të arritur kështu në pretencën e prokurorit që dënon Pjerin Kçirën e Nush Simonin me 20 vjet, Zef Bardhokun me 15 vjet, Gjovalin Mazrekun me 13 vjet e Lin Çollakun me 8 vjet. Të nesërmen, më 11.6.1949, pas mbrojtjes formale, gjykata vendos për Pjerin Kçirën dënim me vdekje, me pushkatim e gjithçka merr fund. Kjo, së paku zyrtarisht në bazë të dokumenteve të arkivuara.

Pjerin Kçira dërgohet tek Zalli i Kirit e pushkatohet, siç ishin pushkatuar shumë të tjerë para tij e siç do të pushkatoheshin edhe shumë të tjerë pas tij.
Ku qëndron e veçanta? Fatkeqësisht, dokumentet e arkivit nuk na
ndihmojnë… Ato ose janë zhdukur, ose me qëllim janë ndryshuar që të mos përmendet fare ai sekret që lidh bashkë këto dy akte të kësaj drame të përgjakshme.

Ndoshta e veçanta kishte filluar që më herët… Ajo kishte filluar që atëherë kur Pjerin Kçira nga A-P kthehej në a-p po me një ndryshim tepër të madh… Pra, nga anëtar partie, në armik i popullit. Dikur, anëtar partie me privilegje e favore. Dikur, aspirant i sigurimit të shtetit e përgjegjës i burgut të kishës. Dikur, hetues i At Mark Harapit, dom Anton Muzajt e sa e sa të tjerëve. Dikur, i njohur e i fuqishëm me miq e shokë, oficerë e hetues të sigurimit. E tashti, përsëri a-p, por me vulën e zezë si armik i popullit. Pra, antipod i asaj çka kishte qenë dikur; nga persekutor, në i persekutuar e kaq menjëherë e papritmas…!

Për hir të së vërtetës duhet pohuar që të rinjtë kishin qëlluar trima dhe realizuan një gjyq që do të kujtohej për shumë kohë për llojin e vet. Të 16 seancat do të vazhdonin njëra pas tjetrës, për të arritur në pikën kulmore, kur kryetari i gjykatës do t’i mbyllë gojën Pjerin Kçirës. Ai, për të pastruar ndërgjegjen, nxjerr një sekret që e digjte prej kohësh, por që do të binte si bombë mbi trupin gjykues e mbi të gjithë sallën:

“Mos mendo se bën me mua siç kemi bërë me klerikët katolikë, duke ia futur armët në kishë e duke i detyruar përmes torturave çnjerëzore të pranojnë se janë të tyret… Për të mbuluar poshtërsitë tuaja e të E. Hoxhës, ju doni të dënoni njerëzit e pafajshëm!”.

Natyrisht, kjo shokoi plotësisht kryetarin e trupit gjykues, që deri atëherë me zor po e mbante veten e po zotëronte situatën. Nuk kishte rrugë tjetër. Seanca duhej të mbyllej.
– Neve që kishim radhën të gjykoheshim mbas Pjerinit, – dëshmon Ernest Përdoda, – gjyqi do të na bëhej me dyer të mbyllura… Deklarata e tij për futjen e armëve në kishë i kishte futur frikën…

Ndërsa bashkëvuajtësi i qelisë, zoti Ahmet Bushati kujton çastet e fundit: “Erdhën duke kënduar himnin kombëtar e menjëherë sapo e futën në birucë, me sinjalin që kishim filloi menjëherë të më tregojë për qëndrimin e tij dhe vendimin e gjyqit…! U përpoqa t’i mbush mendjen se nuk mund ta pushkatojnë, por ai fare i qetë m’u përgjigj: – Jo, jo! Që do të më pushkatojnë atë e di mirë, jam i sigurt, sepse i kam dekonspiruar aty ku atyre u djeg më fort, por unë e bana timen”.

– Të nesërmen ne u ndamë se Pjerinin e çuan në Burgun e Gestapos. – Ishte viti 1949, – kujton ish-i burgosuri Gjon Ljarja. Gjendesha i arrestuar në burgun e sigurimit, të quajtur Burgu i Gestapos. Tek një birucë-nevojtore, ku zakonisht ndrynin të dënuarit me vdekje, ato ditë kishin futur të dënuarin me pushkatim Pjerin Kçira! Një paradite dëgjova që u hapën hekurat e dyert dhe dikush u fut tek ai e sapo u largua, Pjerini filloi të këndojë me zë të lartë: “Por si fleta e ejllit të Zotit” e këngë të tjera patriotike… Nga darka mundi të më tregojë se i kishin komunikuar pushkatimin e se në drekë ishte takuar edhe me nënën dhe të fejuarën për të fundit herë para pushkatimit.
-Deshëm t’i japin shpresë, – vazhdon një tjetër dëshmitar, – duke i thënë se kemi ndërhyrë te Tuk Jakova e se do t’i falej jeta, por përsëri jo!

– Gjithçka ka marrë fund! – ishte përgjigjja e Pjerinit, – veç ju lutem më sillni një prift që të rrëfehem për të fundit herë. E nëse nuk do ta lejojnë si prift, le të maskohet e të veshet si fshatar e të vijë tek unë, se e pres patjetër për rrëfimin e fundit”. Më tej zoti Gjon Ljarja vazhdon: -Rreth orës 22 dëgjuam sërish zhurmë çelësash e dyersh, na e mori mendja. Pjerini filloi të thërrasë me zë të lartë: “Lamtumirë, ma bani hallall shokë!” E kështu, doli në oborr ndërsa zhurma e motorit të një makine që u nis përfshiu gjithçka. Pastaj, prapë heshtje varri…

12 komente në “Pjerin Kçira, gazetari dhe hetuesi i Sigurimit të Shtetit që u pushkatua pse dekonspiroi inskenimin e Sigurimit me priftërinjtë françeskanë”

  1. Musa Xh. babai i Mucit qe spiunonte Petro Zhejin says:

    Ne hafijet jemi race e zgjuar

  2. opa opa says:

    Na keni ca trapin me mashtrime! O rrota cari nuk ju beson kush!
    Enveri kishte te drejte, ju jeni funderrina!!!

  3. shqiptar tirone says:

    Permend Lilo Zenelin, por harrojne se i biri i Lilos, Bashkimi, nderohet nga gazetat tona. Ironi e fatit! Persekutore, por edhe te persekutuar. Njelloj si Fatosi i shokut Todi.

  4. Sula. says:

    Bravo Kaqol! Me ka pelqye shume “shtrimi”. E ke qare…

  5. Popull dele says:

    Spiunat. Aktive ketu tek. Gazeta. Tema …hiqen Si Komentues dhe Spiunojne per Grate e tyre ,,te njerit tjetrit .Harojne qe Grate e tyre i lexojme keto komente…Plehra…Spiuna te Degjeneruar ..
    Me Dipllomat e Plehpave….

  6. bislimi says:

    në vitin 1946 gazeta Zëri Popullit nuk dilte fare.
    Dilte vetëm Bashkimi.

    prifti ka mashtrue.

  7. Katoliku I shkodres says:

    Or tel qe ke shkruajtur ket artikell.
    Eshte fakt se kisha e vatikanit ka ndihmuar dhe kaluar jashte europes kreret naziste . Prandaj derr e verrà o kalosh mos bej. Po e patet gjalle Rakip Beqja ju tregon te verteten.

  8. Sadiku says:

    Nese vertete Sigurimi i kishte futur armet ne kishe, kete as mund ta pohojme dhe as mund ta mohojme, por nga materiali propagandistik mund te konkludohet me llogjike qartazi se Pjerin Kcira kishte qene gazetar dhe jo punonjes i Sigurimit te Shtetit ne kohen qe ” ishin futur armet ne kishe “, pra ne 1946. Pas me shume se nje viti ai rekrutohet ne Sigurimin e Shtetit. Pas pak me shume se nje viti tjeter, ai arrestohet dhe denohet. Duke e pare veten ne cfare gjendjeje kishte perfunduar, ai shprehet se ” ne ua kemi futur armet ne kishe prifterinjve “. Mirepo, ne kohen qe pretendohet se ka ndodhur ngjarja me armet Pjerin Kcira as ishte ne S.Shtetit dhe as kishte kurrfare mundesie te shihte apo kishte dijeni per aktin. Rrjedhimisht ” shfryrjet ” e tij ne gjyq kur po e denonin, nuk mund te merren si prove e se vertetes. Ky material i ” Memorie.al ” qe na shitet si Institut Historie por qe ka disa dekada qe i bombardon lexuesit me mashtrime e genjeshtra, eshte botuar edhe disa here te tjera, dhe nuk permban kurrfare vlerash historike dhe as shkencore.

  9. Shenjestra says:

    Te dhjefsha m’u ne shkrim qe u dashka nje jave te lexohet.Ka vetem trillime dhe zmadhime.Kleriket katolik dhe françeskan, kane qene kundra pushtetit popullor dhe kane punuar kundra tij me forma nga me te ndyeshmet.Sigurimi i shtetit, ka bere detyren e tij te shkelqyer per te mbrojtur ate pushtet.Kleriket ishin ata qe jo vetem mbanin arme neper kisha,po strehonin diversant e kriminel q desantonin me parashute ne male.Ata vinin me shprese te rrezonin pushtetin e popullit, por ama ata rane ne grackat e mençura te sigurimit te shtetit dhe moren denimin e nerituar.

    1. KOZi... says:

      Ore per cil pushtet popullor flisni ? Edhe Duce e Hitler flisnin ne emer te popullit !Stalini patjeter ! Por historia nuk i pranon ! Ato prifterinjte qe thua jane qe kane mbajtur ne kembe shqiptarine dhe gjuhen shqipe ne ate kohe te sulltanit . Prandej u shpallen Martire te gjith ato qe luftuan komunizmin. Dhe u shpallen ne Tirane me prezence te vete Papes se Romes. Ne prezence te maxhorances e opozites e trupit diplomatik. Kryetari i Partise Socialiste ne pushtet beri ceremoni tek Papa per cunin e vogel. Edhe ato diversantet qe thua sot quhen Luftetare te lirise. Keshtu jane quajtur e quhen nga miqte anglo= amerikane e keshtu quhen nga gjith neve edhe nga maxhoranca qeverisese e kryetari i saj. Cil jeni juve dhe ke perfaqesoni sot !!!???

      1. uhahahaaaaaa says:

        Ne jemi POPULLI dhe ti je jashteqitja e tij, bashkje me kleriket dhe diversantet o Koqi!

  10. Mandravellua says:

    …….
    Dëshmitë e rralla të Padër Leon Kabashit një prej dëshmitarëve të ngjarjes së “armëve në Kishë” (e cila konsiderohet si një nga më të bujshmet e historisë së regjimit komunist në luftën ndaj Klerit Katolik) dhe disa prej ish-të dënuarëve politik nga qyteti i Shkodrës, të cilët tregojnë se si ish-hetuesi dhe nënoficeri i Sigurimit të Shtetit, Pjerin Kçira, i ka shpëtuar ata nga torturat dhe dënimet me vdekje, duke u’a manipuluar procesin hetimor në favor të tyre…..

    Sipas Padre Kabashit ketu me siper, Kcira ka manupuluar procesin ne favor te Klerit Katolik….prandaj dhe eshte denuar…

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje