Si e zvogëloi Shqipëria detin në ‘90-ën, nga 15 në 12 milje! Pse Gjykata Kushtetuese shfuqizoi marrëveshjen e vitit 2009?

28 Dhjetor 2020, 08:43Politika TEMA

Ndryshe nga shtetet e tjera, Shqipëria ka pasur mungesë të përcaktimit të koordinatave të hapësirave për vijat bazë dhe detit territorial.

Sipas një artikulli të përgatitur nga Ivi Bejtja për “Exit News”, në vitin 1990 Shqipëria zvogëloi detin territorial nga 15 në 12 milje detare. Ajo pranoi dhe respektoi për herë të parë nenin 3 të Konventës, edhe pse nuk e kishte ratifikuar, ende duke i qëndruar gjerësisë të 12 miljeve detare, dhe depozitoi këtë vendim pranë Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Në viti 1992, Shqipëria arriti për herë të parë një marrëveshje ndërkombëtare mbi të drejtën e detit. Marrëveshja u lidh mes saj dhe Italisë dhe kishte të bënte me delimitimin e shelfit kontinental.

Shelfi kontinental është shtrati i detit, i cili është vazhdimi i bregut deri në një pikë ku ky shtrat pëson ulje në thellësi të mëdha. Shelfi përfshin ekskluzivitetin e shtetit për kërkime në tokë dhe nëntokë deri në 200 milje, dhe në raste të veçanta deri në 350 milje detare, nga vija bazë.

Ndryshe nga shelfi kontinental, Zona Ekonomike Ekskluzive (ZEE), me gjerësi deri në 200 milje detare, është hapësira nga sipërfaqja e ujit deri në thellësinë e shelfit, por pa e përfshirë atë. Ajo shfrytëzohet nga shtetet për aktivitetet kërkimore, peshkimi, lundrimi etj. Në shelfin kontinental dhe në ZEE shtetet nuk ushtrojnë sovranitetin e tyre.

Negociatat Shqiperi-Greqi

Në vitin 2007, Shqipëria filloi negociatat me Greqinë për delimitimin e shelfit kontinental dhe hapësirave detare përkatëse. Në funksion të negociatave, në vitin 2008 shfuqizon tërësisht ligjin e vitit 2001, duke hequr vijën bazë të drejtë. Marrëveshja për delimitimin e hapësirave detare midis Shqipërisë dhe Greqisë u arrit në 2009.

Ajo nuk u ratifikua në Parlament pasi u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese. Në vitin 2010, Gjykata Kushtetuese me Vendimin nr. 15 e shfuqizoi marrëveshjen duke argumentuar se marrëveshja nuk po delimitonte shelfin kontinental dhe zonën ekonomike ekskluzive, por detin territorial.

Kjo do të thotë se palët do të binin dakord për delimitimin e kufijve mes Shqipërisë dhe Greqisë dhe jo të zonave detare. Nga ana tjetër, GJK konstatoi se Greqia dhe Shqipëria përdornin vija të ndryshme bazë për të delimituar zonat detare. Konkretisht, Shqipëria përdorte vijën bazë normale, ndërsa Greqia vijën bazë të drejtë. GJK argumentoi se kjo gjë do t’i jepte palës greke më shumë det sesa i takonte.

Më tej, GJK shprehet se palët kishin rënë dakord të përdornin vijën e mesit si vijë ndarëse për brigjet e secilit breg. Vijat e mesit përdoren për të ndarë në mes hapësirat detare të shteteve, të cilat kërkojnë të delimitohen. Mirëpo, kjo gjë sjell pabarazi në pjesë mes shteteve, pasi brigjet e secilit shtet kanë karakteristika të ndryshme. Pas vendimit të GJK, në vitin 2012, Shqipëria miratoi ndryshime në ligjin “Për kufirin” dhe risjell vijën bazë të drejtë.

Përpjekjet për rinegocim me palën greke vazhduan sërish, duke tentuar për zgjidhje përfundimtare nga qeveria pasardhëse. Greqia është shprehur se nuk është në interesin e saj respektimi i vendimit të GJK të Shqipërisë dhe dakordësia mbi ato kushte nuk e favorizon.

Ndërsa për palën shqiptare, nëse marrëveshja nuk arrihet sipas vendimit të GJK do të ketë fatin e marrëveshjes së mëparshme. Gjasat janë se e vetmja zgjidhje për arritjen e një marrëveshje janë Tribunalet Ndërkombëtare për të Drejtën e Detit.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje