Ilir Yzeiri
Libri « Erosi dhe thanatosi në mjerim », ështe një monografi që autori e botoi në vitin 2020. Do të botojmë në vazhdim disa fragmente nga ky libër.
DUKE RILEXUAR «LUMIN E VDEKUR»
Leximi nuk është thjesht një akt kënaqësie, është edhe një marrëdhënie që ti vendos me atë që lexon, marrëdhënie që përcaktohet nga formimi i lexuesit, nga raporti që ai ka me tekstin e përgjithshëm të kohës ku jeton, me shkallën e kulturës dhe të dijes që zotëron. Teoria e leximit është e ndërlikuar, madje, më shumë se kaq, dhe ajo kërkon një shtjellim të posaçëm. Në këtë rast po mjaftohem të nënvizoj se lexuesi i kohës së diktaturës e kishte të gatshëm kodin e zbërthimit dhe të kuptimit të veprës. Edhe studiuesi i letërsisë, po ashtu. Pas rënies së diktaturës, për hir të së vërtetës, është krijuar njëamulli e plotë dhe kodi i leximit apo kuptimit të letërsisë dhe artit është ende i papërpunuar sa duhet. Ndërkaq, rileximi i teksteve të shkruara në komunizëm dhe nën detyrimin e metodës së realizmit socialist, e bën më të vështirë procesin, por e bën edhe mëinteresant, gjithashtu. Kështu, duke e rilexuar këtë roman, pata rastin të verifikoj vlerësimet e kritikës së kohës për të dhe, në shumicën e tyre, ashtu siç e përmenda, vura re se nëintepretimin e saj, mëtepër i është mëshuar paraqitjes si një traktat shoqëror që tregon gjendjen e vështirë të fshatarësisë në një regjim që ishte shpallur prej elitave komuniste si antipopullor, shtypës e shfrytëzues, vlerësuar lart për stilin dhe për gjuhën që mbështetej sidomos në ndërtimet popullore. Madje kjo e fundit theksohej më shpesh.
Natyrisht, kjo kritikë është një mënyrë vështrimi e veprës letrare dhe idetë që jepen aty janë korrekte, sepse mbështeten mbi një platformë të caktuar. Unë kam veçuar dy-tri citime në mënyrë që të krijohet një ide e plotë mbi mënyrën se si i qasej kritika zyrtare një vepreje letrare. Mark Gurakuqi është ndër të parët që ka botuar një recension të gjatë për këtë roman në gazetën «Zëri i rinisë».Duke u përpjekur në fillim të gjeje pse-në e romanit apo idenë kryesore të tij, autori shkruan:
Vepra ka në themel të saj këtë ide me randësi: fshatarin e vorfën s’e shpëton as beu as reshperi (tregtari), por ishin pikërisht këta, feudo-borgjezia, që e shfytëzonin, i banin vorrin.[1]
E pak më tej :
Ja, pra, çka asht themelore: forca e bashkimittë të vorfënve kundër klasave sunduese, vetë qeveria antipopullore zogiste, ma parë, e vetë Italia pushtuese, ma tutje.Këtë ide themelore autori e ka dhanë tue pasqyrue me realizëm me vërtetësi të thellë, nji vit jetë shqiptare, të fshatarëve të Myzeqesë.[2]
Siç shihet, kjo mënyrë vështrimi që ishte standard i vlerësimit të letërsisë në atë kohë, nuk e përfill veprën si një tekst më vete dhe nuk e vështron atë si një areal ku ndeshen pasione, ku ndërtohen personazhe imagjinare që janë zgjatime të imazheve nganjëherë sureale të autorit. Është e vërtetë se konteksti mbitë cilin vendosen këta personazhe, zotërohej nga padrejtësitë e nga shfytëzimi, por qëllimi i autorit nuk ka qenë të tregojë vetëm këtë dramë shoqërore. Sipas meje,ai ka qenë i tërhequr, i shtyrë e i frymëzuar nga magjia e pasioneve, e mëkateve dhe virtyteve që lëvrijnë në këtë kontekst. Kjo vepër, sipas mendimit tim, do të mbetej e pandriçuar mirë nëse nuk do ta vështronim më parë si një entitet trillues, si një realitet që nuk ngjet me botën reale, si njëutopi që ka vlerë vetëm përsa kohë qëështë një trillim i autorit. Natyrisht,këtu, nuk është rasti dhe as vendi për t’u shtyrë më tej në teoritë e narracionit, sepse do ta kapërcenim objektin dhe analiza do të bëhej cerebrale. Megjithatë, gjej rastin të përmend se letërsia e shkruar në vitet e socializmit ka nevojë të tregohet edhe në një formë tjetër për t’u kuptuar më mirë si tekst dhe për të ndriçuar më qartë raportin e zërit off me zërin on, për të marrë vesh më mirë rolin e autorit të tekstit dhe rrëfyesit dhe, në fund fare, për të kuptuar më mirë nëse autorët e realizmit socialist rrëfenin ngjarjen duke ilustruar një tekst të shkruar për të apo ndërtonin vetë njëtë tillë, duke mos iu bindur atij teksti të shkruar më parë. Duke e lexuar me këtë sy dhe duke pasur parasysh se ai është botuar para pesëdhjetë e katër vjetësh, në fillim në revistën «Nëntori» në vitin 1964, e pastaj si libër më vete me pjesë, vura re se ky roman nuk duket se është shkruar nën trysninë e realizmit socialist dhe është më shumë një narrativë natyraliste që ndërtohet jo aq nga shtysa për të vizatuar mjerimin, gjendjen e vështirë të fshatarësisë, ndarjen klasore, shfrytëzimin etj. Ky roman është shkruar nën një shtytje tjetër, mendoj unë.Rrëfimin këtu e vë në lëvizje pasioni, erosi dhe vdekja, thanators.Autorin e magjeps më shumë mënyra se si banorët e kësaj zone e rrëfejnë vetveten, vendin dhe jetën e tyre. Ata ndihen sikur janë peng të një fati të vendosur më parë dhe gjithçka që ndodh në jetën që çojnë, e ka një arsye. Kjo gjendet në librin e madh të përvojës së tyre që ata e rrëfejnë,sidomos, në momente kënaqësish, si ato kur mblidhen nëpër dreka, në vizita miqsh apo në vendtakime të tjera, si në raste fatkeqësish, në sheshin e kishës pas një përmbytjeje ose në pushimet pas ditëve të punës apo netëve të kujdesit për tokën e të mbjellat.
Siç e kam thënë që në titull, analiza që po i bëj romanit «Lumi i vdekur» është një përpjekje për ta intepretuar tekstin dhe për ta shpjeguar atë sipas kritikës semiologjike. Në themel të saj, ashtu siç e ka aplikuar atë sidomos Umberto Eko në studimet e tij, qëndron kuptimi se teksti është një shenjë që ka të shenjuarin dhe shenjuesin. I shenjuari në këtë roman është jeta e banorëve në një fshat të Myzeqesë me emrin Trokth. Për ta treguar atë, autori ka ndërtuar një personazh me emrin Pilo Shpiragu dhe, duke paraqitur fatin e tij brenda harkut kohor të një viti, përkatësisht në vitin 1939, ai ka ndërtuar një roman ku lëvrijnë pasione, ide, fate njerëzish dhe arsyetime për jetën e vdekjen. Ka zbuluar mënyrën se si këta banorë e jetojnë, e interpretojnë dhe e rrëfejnë jetën, të bindur që fatin e tyre e përcakton lakmia dhe mëkati. Ndërsa, fataliteti është përcaktuar qysh atëhere kur Lumi i Vdekur, sipas legjendës, një behar shteroi, sepse banorët e kishin mallkuar dimrin e mëparshëm kur ai pat përmbytur tokat anash tij. Në shenjë hakmarjeje, Lumi i Vdekur ndërroi drejtim dhe, në vend që të rridhte nga lart poshtë në det, një ditë, kur moti u nxi dhe shirat errësuan vendin, ai u ngjalldhe u ngjit nga deti lart në fshat duke përmbytur gjithçka dhe duke i kthyer tokat e buta të fshatit që dikur quhej Lumlumthi, në toka me kripë ku asgjë nuk mund të mbillej dhe fshati u quajt Trokth.
Dallimi mes fiksionit dhe realitetit jo vetëm në roman, por edhe në art, në përgjithësi, është një çështje e deabtueshme. Por të gjithë bashkohen në një pikë se romani është një rrëfim i trilluar mbi ngjarje dhe marrëdhënie që u binden ideve, emocioneve dhe imazheve të autorit. E vetmja gjë që e lidh utopinë e romanit, pra vendin ireal ku ndodhin ngjarjet me realitetin është mimessisi, imitimi, në kuptimin që shkrimtari tregon ngjarje, pasione, veprime dhe personazhe që janë si të atyre që jetojnë në tokë, pra që ngjasin me ta edhe në rastet kur ai ndërton figura imagjinare si pjellë të fantazisë, si mund të jetë fjala vjen veprimi dhe personazhi në filimin «Avatar», edhe në këtë rast, pasionet dhe emocionet e tyre ngjajnë me ato të njerëzve, sepse parimi organizues i narrativës është mimesisi që tregoi në fillim Aristoteli.
Një fragment nga libri « Erosi dhe Thanatosi në mjerim »
Libri i dytë titullohet « Përmbytja » dhe sentenca që hap kapitullin XII është një mishërim i intolerancës, racizmit dhe ksenofobisë që është hedhur mbi banorët e kësaj treve si mallkim nga Zoti.
O Zot! Përbuzja jote qënka si shiu, merr që lart-poshtë. Beu përbuz agallarët, agallarët subashllarët, subashllarët kosovarët, kosovarët myzeqarët, myzeqarët sarakaçanët, sarakaçanët evgjitët, evgjitët arixhinjtë, arixhinjtë… O Zot ç’është ky mallkimi yt që bie nga lart mbi njerëzit !
O rob! Urrejtja jote ngrihet nga poshtë lart, si flaka, Si flaka u xhindostë, që t’u vërë zjarrin atyre që janë sipër. (F. 213)
Vjen dimri dhe varfëria shfaqet me gjithë forcën e saj. Banesa mjerane, pa asnjë kusht minimal. Njerëzit ngrohen me frymën e tyre. Jeta shtyhet në gji të natyrës dhe banorët e asaj ane janë në luftë me gjithçka që i rrethon. Për të ruajtur të mbjellat e pakta, dalin natën dhe luftojnë me shpezët e egra. Kjo gjendje e degraduar ekonomike dhe sociale, siç e kam thënë më sipër, është e pashpjegueshme në një vend që ka peshkun, shpezët e egra dhe bagëtitë e buta.
Autori, nuk e harron që e ka lënë hapur linjën e subjektit që lidhet me barrën fantazmë të Vitës dhe me fjalët që i janë hapur në fshat për Kozmain dhe Adilin. Tani është radha e Llazit, vëllait të Vitës që merr përsipër të çojë përpara veprimin. Llazi në fillim do të mbyllë llogarinë me Kozma Ndrekën dhe i kërkon që t’i rrijë larg së motrës sepse:
Kush i ka aq shami sa të zërë gojët e botës… se ajo është femër e femra tek kullot viçin zë dobiçin. »
Kjo formë ligjërimi me aforizma dhe me sentenca është jo vetëm një konstante e silit të autorit, por ajo e mban atë gjithmonë në një tonalitet të lartë dhe e ruan gjuhën gjithmonë në nivelin me shprehësinë më të bukur. Pas kësaj ndodhie, autori na paraqet kulmin e konfliktit letrar që ka në qendër Vitën. Fshatarët janë jashtë dhe ruajnë të mbjellat nga rosat e egra. Adili, duke kërkuar një «rikë», siç u thonë myzeqarët rosave, vjen aty ku është Llazi, Karilla dhe Kozmai. Adili pyet Karillën për rosën, por përgjigjet Llazi. Me ty kam punë të tjera i thotë ai duke kujtuar denoncimin që i pat bërë për gurët e Apolonisë. Llazi ngrihet në këmbë e me çomangën në dorë dhe ashtu i bie rosa. Ja ku është, thotë Adili. Llazi e mohon. Dhe nis përleshja. Vita ulëret, të gjithë vënë kujën, porata janë mbërthyer të tre. Në një moment, Adili vë poshtë Kozmain dhe Llazin dhe, kur do të qëllojë me çomange Kozmain, i del Llazi përpara dhe qëllon atë. Vita, e tmerruar, hidhet mbi të vëllain dhe ashtu në tym si nëëndërr, ajo dëgjoi Adilin që tha: jo nuk e kam vra vetë, pra, në kuptimin që nuk doja ta vrisja.
Përleshja e Llazit me Adilin nxjerr në reliev dy botë dhe mospranimin e tjetrit të ndryshëm. Për Llazin « ju kosovarët jini muhaxhirë dhe ju silleni kështu se ju mbron mbreti ». Kjo skenë që kulmon me plagosjen e Llazit, ka përsëri si strumbullar Vitën, por shërben për të nxjerrë në pah edhe ndarjet krahinore, varfërinë që i ka bërë njerëzit si egërsira, mungesën e solidaritetit. Fshati është i mbërthyer në zili, egoizëm dhe thashetheme e barbari. E vetmja dritëështë Vita, por sapo ajo lëviz, shkëlqimi i saj shkakton tragjedi. Dhe Koz Dynjaja shpërthen:
O zot ! Përbuzja qenka si shiu, merr që lart poshtë. (F. 236)
Kapitulli që pason përqendrohet më shumë në prozën e jetës në fshat. Nëse deri këtu, Vita, sensualiteti i saj dhe peripecitë që prodhonte ajo, kulmuan me plagosjen e Llazit, tani autori ngjitet më lart, por, përsëri, me anë të një rrëfimi që qëndron mes reales dhe absurdit.Është hera e parë që autori del nga rrëfimi mbi emocionet dhe ndjenjat e këtyre njerëzve dhe tani nis të na rrëfejë mënyrën se si janë organizuar marrëdhëniet në hierarkinë e këtij areali. Beu është figura që qëndron mbi të gjithë, më lart se gjithçka. Siç, thotë autori, Zoti që hodhi mallkimin mbi ta, në fillim vendosi beun që urren qehajabashët e kështu me radhë. Nga pikëpamja e organizimit të jetës, marrëdhëniet e këtyre njerëzve dhe lidhjet mes tyre përcaktohen nga urrejtja që vjen nga lart poshtë dhe përçmimi e zemërimi që vjen nga poshtë lart.
Kështu, beu dërgon në fshat përfaqësuesit e tijqë të mbledhin taksat, por jo ato të zakonshmet, por taksën mbi rosat e egra që fshatarët kanë vrarë gjatë netëve që ruanin të mbjellat nga shpezët.
Ky është një topos i ri në peripetinë e subjektit të veprës dhe autori, ashtu siç bën me argumente të tjera, si dashuria e ndaluar apo puthja në gushë që provokon thashethemnajën sureale për shtatzëninë, edhe këtu, pas kësaj ndodhie në dukje absurde, autori nxiton e na rrëfen filozofinë dhe kuptimin e saj duke paraqitur ligjërimin popullor mbushur me sentenca dhe alegori që ngjajnë me versete gati hyjnore dhe që e tregojnë botën si të ishte një poemë ose një roman, edhe në këtë rast, ai kërkon në fillim jo të tregojë se si mblidhet taksa për rosat e egra, por na rrëfen se si e kupton këtë marrëzi gjindja atje dhe se si mund të shpjegohet ajo. Nëkëtë rast, arsyetimi me anë të analogjisë dhe përqasja me fatin jashtëtokësor e bën ligjërimin këtu gjithë dritë e ngjyrë.
Të gjithë personazhet e romanit duket sikur rrinë të fshehur në ligjërim dhe kur duan të shfaqen kapen pas tij ashtu siç mund të mbahet një i zhytur në ujë pas një trungu. Ligjërimi është shpëtimi i tyre, është një lloj mbrojtjeje dhe ngushëllimi. Sapo kridhen në të, ata duket se nuk ndihen më të përçmuar apo të mundur. Me anë të ligjërimit ata triumfojnë dhe e mundin atë që kanë sipër tyre. Për të shpalosur këtë cilësi, autori përsëri na çon në vendet e relaksit e të zbavitjes. Edhe këtu, klubi i fshatit, ashtu si hani, është vendi ideal për të hedhur si rrjetë mbi personazhet tanë, magjinë e ligjërimit.
Pasi kanë marrë vesh se beu do të kërkojë të tretën e rosave të egra, në klubin apo dyqanin e fshatit janë mbledhur Koz Dynjaja, dyqanxhiu dhe mësuesi.
– E o Kozi, ruaju beut më keq nga ç’i trëmbe Perëndisë. Perëndia të merr atë që ia ke borxh, ymrin, po beu të kërkon edhe atë që s’ia ke borxh.
– Këtu, më shumë të drejtë ka të kërkojë prifti si shpendë qielli që janë, -tha mësuesi. (F. 238)
Jo vetëm në këtë rast, por pothuajse në gjithë romanin, reagimi i aktorëve që luajnë apo pësojnë ngjarjen, ka brenda edhe ironinë dhe dëshirën për t’u tallur me veten dhe me fatin. Kjo ndjenjë vetironieje dhe kthimi i gjithçkaje të trishtë që ndodh, në një mundësi zbavitjeje është një veçori e ligjërimit në këtë roman, por vështrohet edhe si një tipar i konstitucionit psikik të banorëve të asaj ane, të cilët, shpëtimin nga e keqja, në të shumtën e herës nuk e kërkojnë duke ndryshuar gjendjen e sendeve, por duke u kredhur në ligjërim dhe duke kërkuar shpëtimin në magjinë që ka gjuha, të bindur ndoshta edhe për efektin kurativ të saj.
Aty, në dyqanin e fshatit, lajmin për taksën e beut të gjithë e marrin me të qeshur. Mësuesi, që hyripër të marrë një paketë cigare e doli, vuri në lojë papun, Trifon Kulari, që punon në kishë si ndezës qirinjsh, zemërohet që po i ngacmojnë priftin dhe i hakërrehet Koz Dynjasë që qesh:
Koz Dynjaja drejton trupin, i jep cigaren që ta ndezë dhe, duke ia ndezur, i kujton se ty të vjen ndoresh për të ndezur qirinjtë në kishë, por jo për të ndezur eshkën:
Pas këtij shkëmbimi batutash, vjen arsyetimi filozofik ose, më mirë, nën lëkurën e Kozit futet autori, i cili kujton për këtë rast një thënie nga ligjërimi tipik popullor që ndërtohet me parabolën e të vërtetave filozofike. Vazhdon Kozi:
– Po të lindte njeriu i zgjuar, do çmendej që ditën e parë nga budallallëqet me të cilat është kurdisur kjo botë e s’do të kishte paha urtia e tij. Po dhe kështu nuk ka shumë fajde, do të thuash ti… E ç’të bëjmë, kësisoj e ka ngrehur këtë botë i madhi zot, i paçim uratën!…. (F. 239)
– Nashti na qënkan bërë dy filozofë në fshat, sikur të mos na dilte prifti me paravolitë e tij, qeshi kishari. (F. 239)
Është shumë interesant ky dialog për të parë se në këtë rast, mes të dyve në dialog më shumëështë autori i fshehur, sesa vetë personazhet. Përdorimi i fjalës «filozof» prej kisharit duket pak i tepruar. Merita e Xoxës në gjithë këtë roman është se ai vetë ka asimiluar në mënyrë të paimagjinueshme gjithë këtë formë të rrëfimit të jetës që përdornin fshatarët e asaj periudhe dhe e shpërndan me mjeshtëri në të gjithë personazhet. Ideali i tij apo qëllimi i tij ka qenë më së shumti ligjërimor, pra ai është magjepsur në fillim nga teksti i gjuhës së folur me të cilin këta fshatarë të asaj krahine rrëfenin dhe ndërtonin e arsyetonin jetën e tyre. Si të thuash, ai ka zbuluar një roman dhe nuk bën gjë tjetër, por vetëm e rishkruan atë. Rivlerësimi i këtij teksti dhe rindërtimi i tij duket se ka frymëzuar më së shumti atë, njësoj si De Radën, që kërkoi të ndërtonte historinë e arbërve përmes tekstit poetik të rrëfimit, që ai e quajti Rapsodi të një poeme shqiptare. Dhe si për ta përmbyllur kërkesën e beut, Koz Dynjaja i jep fund dialogut të tij me një proverbë. Beu ka ardhur që të kërkojë vezë në hell, – thotë ai.
Në fshat, siç e përmendëm pak më sipër, vijnëpërfaqësuesit e beut që të kërkojnë të tretat e rosave.Dhe si për ta bërë këtë aksion më bindës, e nisin vizitën nga shtëpia e Koz Dynjasë, sepse ai është pengesa ideale ose institucioni i zërit off, në kuptimin që ai, me autoritetin e tij ligjërimor, e ka sfiduar autoritetin real të pushtetit të beut, sepse këtë kërkesë të tij ia ka nënshtruar arsyetimit filozofik mbi punërat e të gjallëve dhe ka gjetur në ligjërim modele që e paraqitin këtë kërkesë si një absurditet që mund ta përcjellësh me ironi. Dy përfaqësuesit e beut janë Sabri Kallamatreshi dhe qehajabashi i Suat bej Vërdhomës, Myftari i Veshnjës. Hyrja e këtyre të dyve në skenë e zbavit autorin dhe, qysh në fillim, i vë ata në situata pak qesharake dhe përballë tyre, Pilo Shpiragu dhe sidomos Koz Dynjaja gjejnë një shkak tjetër për të vijuar arsyetimin e tyre me alegori dhe parabola ironike. Të dërguarit e beut kanë punë me fshatarët dhe Pilo Shpiragu duket se nuk ka punë me ta. Unë kam punë me tyxharë e të krishterë, i thotë ai Kozit. «Larg o sherr nga kjo derë», – i përgjigjet tjetri. Me qenë se Koz Dynjaja njihet për zgjuarsinë dhe aftësinë për t’i sfiduar kundërshtarët e tij në ligjërim, të dërguarit e beut e fillojnë vizitën nga ai, sepse «ai është koka e fshatit, jo kryeplaku. Duhet fërkuar koka që të ulet bishti»,– thotë Myftari i Veshnjës. Dhe ashtu bëjnë, bujnë atë natë te koz Dynjaja për ta bindur atë dhe përmes tij pastaj edhe të tjerët që beut i duhen dorëzuar edhe të tretat e rosave. Dhe ashtu siç ndodh edhe në episodet e mësipërme, edhe këtu autori ndërton një agora të vogël, një mini parlament dhe vë përballë dy palët: pushtetin dhe plebejtë. E gjithë sfida është në ligjërim, në diskutim, në debat. Institucioni ku zhvillohet kjo ngjarje është darka e shtruar me raki e me mish natyrisht. Është mjaft interesante të hetohet në këtë rast se fshati shqiptar i kësaj periudhe nga pikëpamja e ekzegjezës, pra e të vërtetës historike, paraqitet pa institucioneligjore të njëmendta. Jemi në fazën folklorike, në të cilën rregulli i jetës mbahet e shtyhet përpara nga kodet e pashkruara dhe disa herë arbitrare, të cilat gjenden vetëm në ligjërim, pra, në gjuhën e folur.
Dy përfaqësuesit e beut janë shtruar për të ngrënë te Koz Dynjaja dhe rrahin ta bindin atë që të dorëzojë të tretën e rosave të egra. Kozi merret vetë me përgatitjen e darkës. U shtrua rakia, u kthyen gotat dhe kaloi një copëz herë gjer të merrte fill e të mbante fitil muhabeti, thotë autori. Nis debati, dialogu dhe këtu sfida është se kush do ta mundë tjetrin në ligjërim, pra, kush do ta ligjërojë këtë taksë dhe kush do ta hedhë poshtë me argumente.
–Ama, dhe ky beu ynë, nganjëherë s’di ç’kërkon o qehajabash… po ku është parë e ku ështëë dëgjuar ndonjëherë e tretë mbi gjah të egër?
–E o Kozi, po ta zëmë nga ato që janë marrë më përpara, mjerë ti, se do të ngrihemi nesër e do të kërkojmë hakën e dhëmbëve që po harxhojmë sonte duke të bërë nder ty e sofrës sate, po neve themi të na jepni atë që beu e shikon si të drejtë të tij sot…
-Ça flet dhe ti, o Myftar, se të kemi dhe qehajabash!…Ahu, mahere, në kohë të gjyshit tim, beu mase kërkonte dhe velenxë të papjerdhur, kur e zinte të shkonte natën nëpër bujqëri, po sot s’ka…Që kur i vuri kallamin nën të ndënjurën im atë, e preu këtë zakon dhe shpëtoi fshati…. (F. 249)
Dhe tani, Koz Dynjaja ka nxjerrë nga memorja një rrëfenjë që ka formën e parabolës dhe qëështë e mbushur me plot analogji me argumentin që po diskutohet dhe qëështë kërkesa absurde. Por më absurdja nga të gjitha ka qenë një kërkesë tjetër që jo vetëm shkaktonte habi në atë kohë, por edhe humor e ironi në të njëjtën kohë. Nis Kozi të rrëfejë se gjyshi i beut të sotëm ishte shumë huqelli dhe maniak i pastërtisë e sidomos kishte frikë nga erërat e këqija, ishte i sëmurë nga ajo që me termat e sotme quhet aromophobi. Kur shkonte për darkë te fshatarët, i fiksohej që velenxa me të cilën do të mbulohej për të fjetur, mund të ishte pjerdhur nga ata që ishin mbuluar më parë me të. Dhe kjo fobi e terrorizonte atë, por edhe fshatarët e gjorë që duhej të gjenin një velenxë të papjerdhur. Dhe Kozi tregon se si ia gjeti ilaçin kësaj sëmundjeje të gjyshit të beut, babai i Kozit.
Njëherë, pasi e pati ngrysur ditën e Perëndisë me gjah lepuri, na kthehet i lodhur në shtëpinë tonë dhe kërkoi t’i shtronim sofrën dhe jatakun, se do kalonte natën.
E, që thoni ju, si hëngri mirë e mirë një kaposh deti me përshesh…, ndjeu rehat në mullë dhe nisi të kapllojë qepallat.
Plakë, -i thirri gjyshi gjyshes, shtroi pashait se, pas lepurit të egër e mundoi cazëz dhe kaposhi i butë i detit…
Pashai bëri me kokë se nuk e kishte keq dhe tha:
– Dëgjo subash Ndini (se Ndini e quanintim gjysh, ndjesë pastë), për herë të parë të nderova e më nderove sonte, prandaj dhe mund të mos i dish huqet e mia. Plaka po më shtron, po çap i thuaj se pashai nuk mbulohet me çfarëdo velenxe, se ai do velenxë të paerosur…
– Qysh the, o pasha të paçim sa malet?- pyeti edhe njëherë im gjysh, jo se nuk dëgjoi ç’i kërkonte, po…
Gjyshi filloi të kruante kokën.
Ngrihet im gjysh, që ta kam fjalën, dhe ia thotë sime gjysheje, ç’i polli me mikun sqimatar.
Ra në mendime dhe gjyshja atje në mes të kasolles.
Atëhere u ngrit im atë gjashtëmbëdhjetë vjet djalë në atë kohë…
Dhe këtu rrëfimi i autorit bëhet më cinik. Është një shprehje pak vulgare që shenjon ndëshkimin me anë të përdhunimit dhe përçmimit anal, që, pak a shumë, përmblidhet në leksemën: e di unë ç’do ti, ti do të të fusësh një hu në bythë. Në fakt, në kohën kur vendi ndodhej nën qeverimin osman, një ndëshkim i tillë ishte i pranishëm. E gjejmë edhe në librat që flasin për Ali Pashë Tepelenën, të përmendur, gjithashtu, dendur. Me kohë, pastaj, kjo është bartur edhe në ligjërim dhe aty ka marrë formën e nëmës, mallkimit apo është zgjeruar në forma të tjera më të stërholluara për ta bërë qesharake viktimën, si në rastin e babait të Koz Dynjasë. Kështu, pasi i jep porosi të atit të çfarë të bëjë, babai i Koz Dynjasë nis të realizojë rengun e tij. Pashai dha e dha e nuk po duronte më dhe u shtri të flejë. E ëma e mbuloi me një velenxë çfarëdo dhe në këtë kohë, pashai ndien në të ndënjura t’i lëvizë diçka. Babai i Koz Dynjasë kishte dalë matanë dhomës dhe kishte hapur një vrimë në murin që ndante vendin ku po flinte pashai me dhomën e tij dhe që aty po rrëshqiste një kallam drejt e në të ndënjurat e pashait:
– O Ndino, çështë kjo që dëgjoj prapa krahëve ?…Mi të jetë ky apo kalit brirët ndonjë ka?…
Po s’arriti të merrte përgjigje. Nga e gërvishtura u hap një vrimë dhe nga vrima doli maja e një kallami që e shpoi mu në të ndënjurën.
Ho…ho…ho…hou! Ç’është kjo kështu o Ndino!… Më shqepi briri, ore ti, s’më luan nga vendi.
Bëj mundim pasha e kalle këtë kallam, nja dy gisht brenda në të ndënjurën, pa shiko, puthite sa të munç mirë, që të qëndrojë e të mos shkasë natën kur të këmbeç krah…
Ç’është kjo kështu, harbut që punon me pashanë tënd…
Ja, o pasha, nga e keqja e kemi dhe ne, duro dhe ti një çikëz… Të dalin erërat … e natës jashtë, them, se më s’dihet, vjen nesër a pasnesër ndonjë pasha, kajmekam a bej tjetër e na kërkon përsëri, sindozot zotëria jote, velenxë të atillë e s’kemi qysh t’ia gjejmë…
Kështu na gjeti me këtë beun tonë, sot… kërkon thanëza në shëndre… nëm të tretën – thotë – e mishit të egër, të qiellit të kënetës. (F. 251-259)
Në kapitullin që pason, në atë XIV, autori na rrëfen një anë tjetër të fenomenologjisë së atij realitetit që po vizaton: raportin e banorëve me ligjin. Ka ndodhur një plagosje dhe nga organet e rendit kanë ardhur xhandarët dhe hetuesit që ta investigojnë e të ndalojnë agresorin. Mirëpo kjo tipologji e veprimit civil refuzohet nga fshatarët dhe, për ta, edhe institucionet e rendit refuzohen. Edhe këtu, autori bie në ndikimin e ndërtimit të botës në dy pjesë: institucionet qeverisëse – kriminale, shtypëse dhe të qeverisurit – viktima. Kryeplaku, xhandarët, hetuesi nga njëra anë dhe fshatarët nga ana tjetër. Autori nuk ngurron të na vizatojë një shoqëri tribale, barbare e pa asnjë rregull. Ironia që përdoret edhe këtu ndaj tyre, na paraqit një popull që nuk njeh asnjë autoritet. Këtu, kundërvënia ndaj insticioneve bëhet pa asnjë shkak. Veprimi tani lëviz nga shtëpia e Pilos te kisha, në oborrin e saj dhe, edhe këtu, autori vë përballë, ashtu si në një agora,dy krahët e ndryshëm dhe të kundërt të organzimit politik e shoqëror të fshatit. Edhe këtu, ndeshja do të bëhet në ligjërim.
Autoritetet kanë ardhur që të kërkojnë dëshmi për plagosjen e Llazit, por autori e ngatërron intrigën dhe e ideologjizon debatin. Xhandarët dhe gjykatësi i japin të drejtë edhe beut që të kërkojë taksën e të tretave të rosave të egra. Por kundër kësaj, tani djali i Koz Dynjasë e ka gati proverbin, të cilën e paraqet si një akt mbrojtës përballë gjykatësit:
Mos hidh shumë kokrra misri në gurët e mullirit se dalin pa bluar. (F.259)
Ndërsa, Koz Dynjaja e ka sfidën në fund. Të gjithë janë të bindur për zgjuarsinë e tij, por, bashkë me të, ai ka edhe ndjenjën e lartë të humorit dhe vetironisë. Edhe ai është i bindur se në këtë betejë që zhvillohet në ligjërim, kundërshtarët e tij jo vetëm që janë të dobët, por ai i mund edhe duke bërë ironi me veten:
Mendjen e kemi të hollë ne fshatarët, si qumshtin, po na e preve, bëhet hirrë e s’vlen më as për derrat e jo më për goxha gjykatës. (F. 260)
Fshatarët janë mbledhur në oborrin e kishës dhe përballë tyre ndodhet hierarkia e ligjit që kërkon të hetojë plagosjen e Llazit, por edhe t’i detyrojë fshatarët të paguajnë taksat. Dhe pikërisht në këtë momentshfaqet beu. Është hera e parë që autori e nxjerr në skenë këtë figurë. Hija e tij deri tani kishte përcaktuar fatin e disa veprimeve të jashtme që shenjonin subjektin. Tani edhe ai do të përfshihet vetë në ngjarjet që do të pasojnë.
Atje poshtë, te brrylaku i marinave, kishte dhënë ballë mortja vetë, beu. (F. 265)
Romani ka shumë faqe të bukura, por përshkrimi i ngjalljes së Lumit të Vdekur është, me të vërtetë, i magjishëm. Fillon shi, pastaj dëgjohet një zhurmë e llahtarshme. Gjithë këtë ngjarje autori e tregon duke zgjedhur hallkën më të dobët të subjektit, qëështë Rrapi, një lopar i vjetër dhe Leksi që po kullosin gjënë e gjallë në kënetë. Piloja, sa ka nisur shiu, dërgon Ndonin te Leksi. Babë e bir dhe një bari janë duke kullotur në kënetë. Ka filluar një shi i rrëmbyeshëm. Befas dëgjohet një uturimë dhe një zhurmë e llahtarshme nga deti. Në pamje të parë duket se jemi përballë një përmbytjeje të jashtëzakonshme, mirëpo autori këtë tragjedi të natyrës e transformon në një ndodhi në kufijtë e legjendës. Rrapi, qëështë më i vjetër dhe që e di se ç’po ndodh, thotë se deti po ngjall gjarprin, po ngjallet Lumi i Vdekur. Ndoshta është një fenomen i natyrës që nga një përmbytje e jashtëzakonshme ujërat nga deti ngjiten lart, por përmasat e jashtëzakonshme të kësaj kataklizmoje dhe përzierja e përjetimeve të banorëve me paragjykimet, besimet dhe fatet tragjike të tyre, e shndërron këtë dukuri në një legjendë dhe të gjithëve u kujtohet mallkimi që i kanë bërë dikur lumit, por tani duket se ai po ua kthen këtë mallkim dhe po hakmerret më shumë se sa e mendonin ata. Në përytyrimin e tyre, ai është një gjarpër gjigand që po i ngjitet fshatit:
– E dëgjon? – shënoi nga perëndimi! Është deti!… po rreh të ngjallë gjarprin!… O zot! Njëherë në një brez ngjan kjo, po kur ngjan… O Zot!
Leksi e Ndoni, ngrirë në mes të fushës s’i kuptuan fare fjalët e bariut.
Thirrjet e njerëzve u ndoqën nga britmat e kafshëve. Fusha u mbush me hingëllimat e pelave, me palljet e buallicave, me blegërimën e deleve dhe të shqerrave që kërkonin njëri-tjetrin nëpër tufan e mjegullimë. Një vajtim i përgjithshëm ngjethte mishtë e shtatit. Qante qielli, ulërinte deti, thërriste robi, blegërinte e pallte gjëja e gjallë.
Një valë uji, shtruar-shtruar, po i ngjitej fushës përpjetë, nga jugu në veri. Të dy, atë e bir, në mes të fushës lakuriqe, pa ditur nga t’ia mbanin e të kredhur në llahtarinë e thirrjes, që s’u dilte dot nga mendja, e që tani po merrte për ta një kuptim të vërtetë: «U ngjall Lumi i Vdekur!», nisën të dridheshin si purtekë nga athëtma që po u ngjitej kërcinjve e nga trëndja që po u zbriste zemrës poshtë. U prapsën të tmerruar kur panë si bënte ujët përpjetë, sikur nën këmbët e tyre të paskësh plasur ndonjë burim, po u zhytën më thellë.
Ngjallja e Lumit të Vdekur shënon viktimën e parë, Ndonin, por për këtë autori do të narrëfejë më vonë përmes përjetimeve të sëëmës, Dafinës. Dënimi i fatit është aq i madh, sa dikush shpërthen: «O Zot, ç’ke mos na i rrëfe!» Kisha është vendi më i ngritur dhe të gjithë braktisin kasollet dhe ngjiten atje në oborrin e saj. Pamjet janë të llahtarshme, njerëz mbi pullaze shtëpish, bagëti që lundrojnë të mbytura, por, sapo njerëzit mblidhen te sheshi i kishës, këtu ndërtohet një semantikë tjetër e utopisë së rrëfimit. Sheshi i kishës shndërrohet befas në një panair të çuditshëm karnavalesh njerëzore mbi ujë dhe secili zë vendin e vet në këtë hetereotipi. Nga pikëpamja e narrativës, këtu është me vend të përmendim se personazhet e romanit sjellin me vete në këtë panair romuzesh, debatesh, dialogësh që plasin sapo njerëzit zënë pozicionet e tyre, rolin dhe vendin që zënë ata në utopinë e romanit. Dhe ndarja apo identifikimi i tyre bëhet sipas vlerës që kanë në ligjërim. Këtu, të gjithë janë kthyer në kategori rrëfimi. Dallimi i parëështë myzeqarë dhe muhaxhirë, jabanxhi/vendas, pastaj burrat dhe gratë. Një parim tjetër që përcakton marrëdhënien mes tyre, është edhe nderi. Dhe nga kjo pikëpmaje, Vita është e përçmuara dhe objekti i fyerjes dhe i urrejtjes. Këtu shfaqet dhe një personazh tjetër, Zoga, grua e ve, e veja e djalit të xha Llazit. Duke parë kiametin e madh që u ka dërguar Zoti, tëgjithë duan një kurban. Autori me mjeshtëri vizaton një ambient të marrë peng nga bestytnitë dhe paragjykimet. Tashmë të gjithë janë të bindur se fshati po vuan këto fatkeqësi për shkak të mëkatit, për shkak të Vitës. Dhe Zoga bën kërcënimin fatal. Ta mbytim në ujë, thotë ajo. Por pikërisht këtu nis kthesa në rrëfim dhe në këtë pikë Xoxe është i paarritshëm. Ai di ta kthejë rrëfimin nga projektimi tragjik në atë komik. Zoga, që ka marrë flamurin e ndëshkimit, nuk është aq e virgjër sa ç’hiqet dhe ajo ngjet më shumë me personazhet e ditëve tona, sidomos me ato që bartin hipokrizinë si armë për t’iu kundërvënë të tjerëve.
– Po me priftin, kur nxorët sytë të dy, harrove?… E harron ti, po s’e harrojmë ne, pa. (F.308)
Dhe këtu rrëfimi ndryshon trajektore. Tragjedia e Lumit tëVdekur, përmbytja, ka mbetur atje në fushë, poshtë. Këtu lart, në skenën e improvizuar të kishës, shpërthen talenti i rrëfimit ironik dhe Vala i kujton Zogës historinë me priftin. Kjo është një ndër skenat më të bukura të romanit.
Është shumë vështirë të gjesh një ligjërim të tillë, me kaq ngjyrë dhe me kaq alegori brenda, ku analogjia e dardhës, e hipjes dhe kënaqësia nga ajo rrëfehen si mbulojë e kënaqësisë që vjen nga epshi. Tani të gjithë, burra e gra, thotë autori, e kanë harruar zemërimin e parë, ai ishte kthyer nëgaz. Që të gjithë kishin harruar lumin, kasollet, gjënë, grizarakët dhe qeshnin e s’ngopeshin dot me atë që rrëfente Vala, sikur të kishin kohë që s’kishin bërë gaz. Mirëpo, Zoga e ofenduar i përgjigjet:
– Tyt, moj gojëkëllirë! Unë lidha të ritë e mi me këtë djalë, ty s’të vjen keq të më turpërosh kësisoj! – dhe e veja e xha Llazit ngriti të birin në duar.
– Po atë djalë, moj që e ma ngre ashtu ndër duar, harrove me cilë e ke?… Harron ti, po s’harron fshati, pa!…
Dhe këtu është skena finale, ajo që kulmon me bukurinë e gjetjes dhe me ironinë e pashoqe. Pikërisht kjo skenë më kishte mbetur në mendje si nëpër tym dhe kjo më nxiti të rimarr edhe njëherë në dorë këtë roman e të nis këtë aventurë.
– U më marrç pleshtat e djalit ! Unë me tim shoq e nisa e me tim shoq e bitisa që në gjalljetë tij, moj e pacipë!
– Me cilë e bitisë s’e di unë, po me cilë e nise e di gjithë fshati, që të pa nuse me barkun te goja.
Nga të katër anët plasi një gaz i fortë që tronditi themelet e foltores dhe trazoi ujët e lumit, sikur me këtë që tha Vala të kishin qenë të gjithë me një mendje.
Po e veja e xha Llazit, që s’kishte ku të futej, ngriti foshnjen përpjetë, sikur kërkonte të fshihej pas tij.
Ahere Vala këmbeu zërin si të Zogës, nisi ta qëllonte me numërimin e muajve të barrës, të së Llazit:
– Ja, më thuaj edhe ti, o burrë… A s’u martuaç në mars?… Në mars… nashti, marsi, shilarsi dhe ai që e mbarsi, a nuk bëjnë tre?…Tre… – dhe nisi të përthyente lart, që ta shihnin bota, gishtërinjtë e dorës së mëngjër. – Prilli, bandilli dhe ai që e mbilli…a nuk bëjne gjashtë? Gjashtë!… Kur vajti te numri gjashtë kaloi nga njëra dorë në tjetrën dhe vazhdoi prapë llogarinë e saj:
-Thamë gjashtë? Gjashtë… Maj, marshallai dhe ai që mbaj… a nuk bëjnë nëntë? Nëntë plot!… Ça thotë mahere fshati, për pëllumbin tim që i ngjan babagjyshit në vend?
Gratë dhe burrat ia dhanë gazit me lot. (F. 316)
Kjo ështënjë nga skenat më të bukura të romanit, ndërtuar në formën e një komedie që shfaqet në një amfiteatër të zymtë.Gazi dhe ironia, humori brilant dhe përqeshja me nderin të kujton shoqëritë postmoderne që janë çliruar nga klishetë e ngurta të dogmës sociale dhe adulterin apo kurvërinë e përdorin si një stilemë që personazhin duket sikur e ruan, duke e përqeshur e ironizuar, por nuk e djeg në zjarrin e dhunës verbale apo edhe në zjarrin e kodeve të nderit. Në anë tjetër, stili kontrastues. Pikërisht kur toni i rrëfimit bëhet i zymtë dhe notat tragjike e mbysin ngjarjen, autori ndërton një skenë tjetër dhe i vendos personazhet e tij që tërecitojnë komedinë e jetës së tyre dhe për këtë ka gati romanin tjetër, atë të narrativës së traditës së rrëfimit gojor të zonës që ai e njeh në mënyrë brilante.
Kur të gjithë kujtojnë se rrëfimi ka marrë një drejtim që mund ta komplikojë vijimin e rrëfimit, autori, zemërimin e Zogës, pas asaj që i bëri Vala, e tret me shpejtësi dhe na kujton të gjithëve se ky panair i personazheve tragjikomikë që e rrëfejnë fatin e tyre herë me tragjizëm dhe pastaj me vetironi, nuk beson shumë te klishetë shoqërore të fanatizmit vrasës, siç jemi mësuar ta njohim ne. Gjithçka mbyllet këtu dhe veprimi zhvendoset jashtë te uji, që po përmbyt çdo gjë dhe te Vita që u bë shkak i kësaj shfaqjeje. Ndaj e nxjerr kamerën e tij jashtë sheshit të kishës dhe ndërton një skenë tjetër për ta futur në veprim edhe Vitën. Pak më sipër, Zoga, si e ndërkryer, duke mallkuar Vitën, kërkoi që ta hidhnin në ujë e ta mbytnin sepse mëkatet e saj i kishin sjellë tragjedi fshatit. Pas kësaj, Vala rrëfeu romanin dhe kuptimin e mëkatit në një areal ku nderi nuk është një tabu, përkundrazi, loja me të është një semantikë e mrekullueshme që shenjon ndjeshmërinë dhe përjetimin gazmor për ato tema që në pamje të parë duket sikur e mpijnë jetën. Në fakt, qëndrimi ndaj erosit bëhet, edhe në këtë rast, një kriter estetik për të na rrëfyer një ambient tëçlirët dhe të mbushur me dëshirën për të qeshur edhe atëherë kur fati i shtyn ata banorë drejt vdekjes.
Befas, sheshi i fshatit përmbytet nga uji që ngjitet lart dhe të gjithë zihen në befasi. Merr përpara gjithçka dhe, në një moment, foshnja e Zogës i shpëton nga duart sëëmës dhe gati mbytet, por Vita hidhet dhe e shpëton. Gjithçka ndryshon dhe tani armiqtë e dikurshëm bëhen miq.
Ndërkaq, pas shumë peripecish, në kishë ka ardhur edhe prifti. Ai është lënë pak mënjanë nga fshatarët që kanë nxituar të ndihmojnë njëri-tjetrin që të ngjiten lart, por jo priftin. Me të ardhur aty, ai përpiqet të zërë vendin në ligjërim, sepse sheshi i kishës është shndërruar tashmë në një teatër ku personazhet recitojnë jo vetëm fatin e tyre, por edhe dukuri të moralit, të fatit dhe të gjendjes së rëndë. Prifti ka monopolin e të vërtetave hyjnore, ai është ndërmjetësi me atë që përcakton fatin e njerëzve në tokë. Mirëpo, banorët edhe priftin e marrin me të qeshur. Është mjaft interesante dhe e bukur të shikosh këtë marrëdhënie mes priftit dhe besimtarëve të tij. Kriteri që i bashkon ata, është dyshimi dhe qesëndija. Mes tyre duket sikur ka një garë të heshtur se kush e zotëron më shumë artin e bindjes, prifti që luan edhe me rolin e tij si njohës i testamentit dhe i të fshehtave të Perëndisë apo fshatarët që, duke qenë mes qiellit dhe tokës, e kuptojnë më mirë se çfarë ju sjell Perëndia dhe çfarë i shkakton robi fatit të tij. Kjo sfidë mes rrëfimeve të priftit dhe romuzeve apo batutave që hedhin fshatarët, vizaton një roman ku të gjithë dyshojnë te të gjithë dhe ku gjithçka filtrohet në mushtin e ironisë dhe humorit. Edhe prifti bëhet simpatik sepse edhe ai trillon me humor të vërteta që justifikojnë mjerimin dhe fatalitetin e paradokseve të atij fshati. Në disa raste, dialogët e fshatarëve me priftin paraqesin edhe diegjezën e re të kuptimit revolucionar të kohës.
Nuk është vështirë të kuptohet këtu cinizmi mosbesues dhe një lloj ateizmi, karakteristikë e ligjërimit të mëvonshëm, që vë në dyshim dogmën. Mirëpo, autori nuk dorëzohet dhe kalon sa nga figura e atij që pyeti, te ajo e priftit. Papu bën këtu një arsyetim të shkëlqyer plot ironi e humor dhe cinizmin ateist të fshatarëve e sfidon me ironinë brilante. Në fakt, është autori që i përplas të dyja palët në sheshin e një ligjërimi magjepsës që i përket romanit popullor, të cilin ai e ka zbuluar dhe po na e rrëfen. Si personazh, autori thotë se prifti ishte mjeshtër i paravolive.
Njëherë në kohët e lashta, ka qenë vakt behari atëhere, na mblidhen robt e Perëndisë e na i dërgojnë një lutje zotit që t’u çojë disaore me shi, se të lashtat e të vonat u mbetën bitërr nga vapa. Po ju e dini, o të bekuar, sa larg është Perëndia këtej. Lutja na arrin në qiell pas tre muajsh. Do të thoni ju: «Sa shumë!» Jo, o të uruar, s’qe dhe aq shumë, po engjëjt, megjithëse kanë krahë, nuk janë gjithnjë të shpejtë, se kanë miliona e miliona lutje për t’i parë e vënë në radhë. Kështu, ia paraqitën rixhanë të madhit, pas tre muajsh të tjerë, domethënë pas gjashtë muajsh, kohë dimri.
– Shi kërkojnë?- pyeti perëndia, për t’u siguruar, se i vinte çudi që njerëzia kërkojnë shi në dimër.
– Po, shi, i gjithëfuqishëm, – iu përgjigjën engjëjt.
– Lëshoni shiun e le të rrjedhin qiejt – urdhëroi perëndia e kënaqur që po u plotësonte dëshirën robëve të tij.
E, që thoni ju, u hapën menjëherë gjithë musllukët e qiellit, ata më të mëdhenjtë, si musllukët e vozave kuintalçe të nartiotëve dhe bota u bë ujë…po ç’e do që kishte ikur vera, asnjeriu s’i lipsej më ujë, se fusha ishte bërë det nga shirat e stinës së dimrit.
Dhe që atëhere njerëzit vazhdimisht i bëjnë lutje perëndisë në verë të ndërpresë vapën e madhe, në dimër të reshtë shiun e dendur e vazhdimisht lutjet i bien në dorë me gjashtë muaj vonesë. E që atëhere ka mbetur qëdimrit të mbytemi e verës të piqemi… (F. 316-317)
Njerëzia mbledhur aty ia plasën gazit, por dhe prifti u kënaq nga shkoqitja hokatare që dha.
Mirëpo vetëm kaq, sepse autori e hedh vështrimin tani tej fushës së përmbytyur. Prifti ishte ngjitur në kambanare dhe ajo po ushtonte me një tingull të përzishëm vdekjeje që të ngjethte mishtë. Gratë ia dhanë vajit. Përpara, thotë autori, nuk kishte asnjë arkivol të zi që të mbështillte këta tinguj të llahtarshëm vdekjeje. Sot, edhe gropat e varreve të reja ishin mbushur dhe zhdukur nga përmbytja e Lumit të Vdekur.
[1] Mark Gurakuqi, Mbi romanin « Lumi i Vdekur » të Jakov Xoxës, « Zëri i Rinisë, 26 maj 1965.
[2] Po ai, po aty.
??????
Zoti Ilir Yzeiri.
Nje veper qe duhet lexuar nga cdokush.
Ju uroj suksese ne punen tuaj.
O Zot cfare tjeter cmenduri do te na shohen site,nje carcaf me karlliqe!?
Mire qe nuk e lexova der ne gjysem (te gjithe nuk behet fjale) se te iken truri…
Akoma ne Albanistan edhe pse jemi ne 2021 merren me karlliqe…..
Nje roman rreal do te ishte me istorine e myzeqare(dhe jo vetem) shtypur nga plehrat turkoshqipfolese (bejlere e agallare) bashkepuntore te turqeve.
Ky kari autor na shkruan per rika apo rosa apo lumenje te vdekur apo te gjalle!!!!
Shkruani o plehra rrealitetin, istorine,vuajtiet e vendasve dhe shfrytezimi i i tyre nga turkoshqipfolesit sherbyes te pushtuesit turk,te vertetat e mohuara nga sistemi kriminel i enver kurves.
Por kush do te shkruaj,ata qe sot jane pasardhes te ketyre njethundrakeve turq!?
Dje lexoja nje shkrim ne nje gazete greke me rastin e 200 vjetorit te pavaresise nga plehrat turke ,ku i pergjigjej disa psevtoistorianeve evropiane per”tolerancen osmane”!!!!
Per cfare”tolerance” flisni,kur agai turk e vriste grekun ne ciflikun e tij pa me te voglin hezitim,i merrte femijet e i grabiste gruan!?
Pra ky rrealitet ka ndodhur edhe ne token shqiptare ne myzeqe,jug apo veri.
Istoria eshte kokforte, eshte e gjate dhe lyer me gjak e brezat ne vazhdim duan realitet e jo pordhe me rigone….
vepra është dinjitoze,por kritika me greqizma, që yzeiri kujton se i rritin vlerën, është katundareske.