Shqipëria në kujtimet e ambasadorit sovjetik

5 Janar 2021, 19:05Dossier TEMA

Nga Hasan Bello

Kujtimet e ambasadorit sovjetik në Shqipëri D.S.Çuvahin, i cili shërbeu në vendin tonë në vitet 1946-1952 mbeten një rrëfim intrigues dhe burim mjaft i rëndësishëm për lexuesit dhe historianët.

Ai erdhi në Shqipëri në janar të 1946-tës, pas një shërbimi nëntëmujorë si këshilltar i legatës së BRSS në Beograd. Para largimit nga Jugosllavia, në shenjë kortezie ai do të takohet me Titon, i cili pasi e uroi për detyrën e re i flet për perspektivat e zhvillimit të Shqipërisë si një vend që, nuk mund të ecte përpara pa ndihmën e Jugosllavisë dhe BRSS.

Në fakt, emërimi në këtë detyrë ishte pritur me shumë habi nga Çuvahin-i, sepse, siç shkruan ai në këto kujtime, para se të vinte në Jugosllavi ishte specializuar për vendet anglo-saksone. Por ministri i Jashtëm, Molotov-i, në një bisedë telefonike i kishte theksuar jo pa qëllim se “aty do të ndesheni edhe me anglo-saksonot”. Kjo përkon me periudhën kur SHBA dhe Britania e Madhe ende përfaqësoheshin në Shqipëri nga misionet e tyre diplomatike. Ndërsa në mesin e aleatëve antihitlerianë po konturoheshin ethet e Luftës së Ftohtë.

Në kujtimet e Çuvahinit, një vend i rëndësishëm i kushtohet kushteve që SHBA i vendosin qeverisë komuniste të Enver Hoxhës për ta njohur atë në aspektin diplomatik, si një qeveri legjitime.

Sipas tij, ato e vinin theksin tek zgjedhjet e ardhshme të cilat duhej të mbaheshin në baza të vërteta lirie; të gjithë elementët demokratikë dhe grupet politike duhej të ushtronin të drejtën e fjalës së lirë dhe të kishin të drejta të plota ligjore, për të nxjerrë e mbështetur kandidatët e tyre; të lejoheshin korrespondentët e huaj si dhe vëzhgimi dhe liria e komunikimit për ecurinë e zgjedhjeve dhe punimeve të Asamblesë Kushtetuese.

Në vijim të këtyre kërkesave, qeveria amerikane i kërkonte qeverisë së Enver Hoxhës të njihte traktatet dhe marrëveshjet mes Shqipërisë dhe SHBA që ishin nënshkruar para 7 prillit 1939.

Çuvahin-i shkruan për marrëdhëniet me Enver Hoxhën dhe drejtuesit e tjerë të shtetit shqiptar. Ai shkruan se me E.Hoxhën e kishte gjetur shumë shpejt gjuhën e përbashkët dhe se ai kishte gjetur tek ambasadori sovjetik njeriun, të cilit mund t`i shprehte përjetimet e grumbulluara në vetvete dhe të ndante hapur mendimet e tij për situatën në vend e në parti. “Veç asaj,-thekson Çuvahin-i,-për të kishte rëndësi, se ne ishim vetëm që të dy, pa dëshmitarë”.

Çuvahin-i ishte kthyer kështu në “kryeprift”, ku e gjithë elita drejtuese e regjimit komunist “rrëfehej” për të gjitha hallet, grindjet dhe keqkuptimet që ata kishin me njëri-tjetrin. Prandaj, në raport me aq sa di ky diplomat i huaj, nuk tregon asgjë.

Ai flet për marrëdhëniet shqiptaro-amerikane, britanike, jugosllave; për zgjerimin e marrëdhënieve me BRSS dhe vizitat e delegacioneve shqiptare në Moskë etj. Sipas tij, ishte Stalini ai që i kishte sugjeruar delegacionit shqiptar ndryshimin e emrit të PKSH, në Partia e Punës. Kjo pasi ai kishte mësuar se shumica e anëtarësisë përbëhej nga fshatarët.

Një detaj interesant mbetet takimi që ai kishte patur me Mehmet Shehun, i cili po kalonte çaste tepër kritike pas mënjanimit që i kishte bërë Koçi Xoxe dhe grupi filojugosllav. Në qefmbetje e sipër M.Shehu do t`i deklaronte ambasadorit sovjetik “…në shtëpinë time kam vendosur dy mitraloza dhe kam armë rezervë dhe municione. Unë jam i gatshëm që t`i pres agjentët e Xoxes ashtu si duhet dhe po të jetë nevoja të hedh në erë shtëpinë time, por nuk do të dorëzohem. Ç`është e vërteta, me kthimin tuaj në Tiranë dhe vizitën tek unë, situata mund të ndryshojë”.

Në marrëdhëniet shqiptaro-jugosllave të këtyre viteve mbizotëronte parimi se “rruga e Shqipërisë drejt Moskës, kalon nga Beogradi”. Kjo kishte bërë që disa komunistë si Nako Spiru, të gjendur nën presionin e politikës antishqiptare të specialistëve jugosllavë dhe të akrobacive të Enver Hoxhës, të “vriste veten”.

Politika e gabuar ekonomike e PPSH dhe reforma agrare që u zbatua në Shqipëri duke nisur që nga viti 1946 me të drejtë do të kritikohet edhe nga Stalini. Krijimi i kooperativave ishte një veprim i sforcuar për një vend të varfër dhe malor si vendi ynë. Kur E.Hoxha i shpjegoi Stalinit se regjimi i tij i kishte konfiskuar borgjezisë të gjitha pronat, ai i deklaroi se kjo nuk ishte një gjë e mirë. “Ata mund tju ndihmojnë përderisa shteti nuk është forcuar dhe veçanërisht në qoftë se ndërmjet tyre ka njerëz të cilëve u është e shtrenjtë pavarësia dhe liria e vendit”.

Për këtë, ai solli shembull praktikën e Kinës Veriore ku borgjezia kombëtare bashkëpunonte me komunistët kinezë dhe i largoheshin Çan Kai Shi-së, i cili nuk ishte i aftë të mbronte pavarësinë e vendit nga agresioni japonez. Gjithashtu, Stalini e këshilloi delegacionin shqiptar që të mos e mbanin larg inteligjencën dhe ta përdornin atë në interes të punonjësve. Por ajo që ndodhi realisht në Shqipërinë e atyre viteve ishte krejtësisht e kundërta e këshillave të Stalinit. Pjesa më e shkolluar e shqiptarëve ishte në fokus të organeve represive, siç ishte policia, hetuesia, prokuroria dhe Sigurimi i Shtetit.

Kujtimet e ambasadorit të parë sovjetik në vendin tonë, pavarësisht nga numri i vogël i faqeve, përbëjnë një material me interes për të hedhur sado pak dritë mbi zhvillimet politike të viteve të para të instalimit të regjimit komunist.

6 komente në “Shqipëria në kujtimet e ambasadorit sovjetik”

  1. sulo Permeti says:

    Mallkuar qofte ajo kohe dhe ajo marredhenie!

  2. PN says:

    O Sulo te humbte vula, o derman!
    Themelet e zhvillimit ekonomik, dhe te gjithe fushave te tjera ne Shqiperi jane hedhur pikerisht nga Ruset o derbardhe, apo fol meqe te gjithe flasin.

  3. kirurg says:

    Dmth, Stalini që tregohet si diktatori më i madh, na dalka këtu si këshilltar në mbrojtje të borgjezisë! Sa çudi! Kooperativat bujqësore nuk u krijuan në ‘946-ën, por vetëm nga mesi i viteve ’50. Ndërsa mospëlqimin për reformën agrare të 46-ës nuk e besoj… Ndoshta nga që keni shkëputur një fjali këtu e një atje dhe i keni bërë gjërat lëmsh.

    1. joel shkodra says:

      Ndoshta ke harruar, por kooperativa e pare u ngrit me 1946 ne Krutje te Lushnjes.

  4. Ppsh says:

    Ska ndryshuar asgje
    Te njejten gje bejne dhe sot nqs nuk do ishte ambasadori (kete here i krahut tjeter) do ishin bere mut mbase per ne do ish me mire

  5. lato says:

    Mallkuar qofte pjella e Gjylo Cucit,nje perbindesh i lyer si grate,por me i zi se Stalini.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje