Që prej datës 1 janar është hapur zyrtarisht dhe merkato e janarit, ku skuadrat do kenë mundësi për të afruar lojtarë në repartet ku kanë më shumë nevojë, por dhe për të larguar futbollistë që nuk kanë bindur dhe s’kanë pasur minutat e duhura.
Dy ekipet pretendente Kukësi dhe Partizani e kanë nisur merkaton e dimërit me largime.
I pari futbollist që u largua ishte Kenan Horic.
“Futbollisti Kenan Horic nuk është më pjesë e klubit të Kukësit.
Pas një diskutimi mes palëve, është arritur marrëveshja e dyanshme për të ndërprerë këtu bashkëpunimin.
Horic u bë pjesë e skuadrës sonë në merkaton e verës dhe zhvilloi disa ndeshje me ekipin në Europë e kampionat.
Klubi i uron mbrojtësit suksese në të ardhmen dhe e falënderon për kontributin e dhënë. Faleminderit Kenan”, thuhet në njoftimin e Kukësit.
Edhe Partizani ka ndërprerë bashkëpunimin e mesfushorin Besnik Ferati, i cili ka qenë pjesë e të kuqve prej vitit 2018, por nuk arriti dot të fitonte një vend në formacion.
“Klubi njofton mbylljen e bashkëpunimit me Besnik Feratin. Mesfushori 20 vjeçar dhe drejtuesit kanë vendosur të ndërpresin me mirëkuptim marrëveshjen mes tyre, duke i dhënë mundësi lojtarit të jetë i lirë.
Ferati ishte pjesë e skuadrës nga gushti i vitit 2018. Klubi falenderon Besnik Feratin për kontributin e dhënë me fanelen e kuqe dhe i uron njëkohësisht suksese në karrierën e tij sportive”, ishte komunikata e Partizanit.
Ndërkohë, Vllanzia ka bërë goditjen e parë, duke afruar sulmuesin e Tiranës Albion Avdijaj.
“Nuk bëj premtime për gola. Kam besim se Vllaznia mund ta fitojë titullin sepse e di sesi punon profesori dhe shoh se janë ekip, që të gjithë bashkë duan të arrijnë diçka”, u shpreh Avdijaj gjatë prezantimit tek Vllaznia. (TemA)