Trajneri i Realit të Madridit, Zinedine Zidane, nuk e ndoqi nga pranë seancën stërvitore të së enjtes kjo pasi i është dashur të vihet në karantinë dhe të presë rezultatet e analizave për COVID-19.
Mediat spanjolle raportuan se 48-vjeçari është vënë në karantinë pasi një kontakt i afërt me të rezultoi së fundmi i infektuar nga coronavirusi.
Zidane thuhet se ka qenë i pranishëm në impiantin sportiv të Valdebebas këtë mëngjes, mirëpo thjesht sa për t’iu nënshtruar testit PCR.
Gazeta AS raportoi se francezi kishte rezultuar negativ në një test të shpejtë, mirëpo stafi i tij ka kërkuar siguri maksimale duke qenë se atij i duhet të ketë kontakte direkte me lojtarët.
Protokollet e La Liga-s kërkojnë që tashmë Zidane të qëndrojë në izolim për së paku tre ditë dhe më pas t’i nënshtrohet një tjetër testi PCR, edhe nëse rezulton negativ në testin e kryer të enjten.
Në këtë mënyrë trajneri francez mund të humbasë ndeshjen me Osasunën që Reali i Madridit ka në plan të shtunën dhe po kështu ndeshjen e Super-Kupës me Atletic Bilbaon më 14 janar.