Mister pse Meta rrëzoi ligjin për taksat e kromit: Situatë ekstreme e trajtimit preferencial

13 Janar 2021, 15:56Politika TEMA

Presidenti Ilir Meta nuk dekretoi ndryshimet ligjore propozuar nga dy deputetë socialist për përjashtimin nga taksa e rentës minerare për mineralet metalore që përpunohen në vend dhe eksportohen në formën e nënprodukteve minerare.

Kreu i shtetit thotë se përjashtimi nga kjo taksë deri në vitin 2023 dhe në masën 1/3, për vitin 2024 e në vijim, i sjell buxhetit të shtetit një dëm  prej afërsisht 500 milion lekësh ose 5 milionë dollarë. Ligji i miratuar thekson presidenti, bën një trajtim të favorizuar fiskal të një dege të industrisë në raport me degët e tjera.

“Është detyrë e pushtetit qendror që të thellohet në shqyrtimin e parametrave fiskalë dhe të mos krijojë një situatë ekstreme të trajtimit preferencial, duke favorizuar degë të veçanta të industrive, të cilat i nënshtrohen regjimeve të natyrave të njëjta. Kësaj nisme i mungon transparenca që nga momenti që është propozuar”, arsyeton Meta.

Ligjin e miratuar presidenti Ilir Meta e cilëson si situatë aspak e sinqertë të mirë-administrimit të  pasurisë publike.

“Përveç humbjeve të të ardhurave në buxhet, dhe diferencimit fiskal mbi baza klienteliste, ndryshimi i propozuar cenon shfrytëzimin me objektivitet të pasurisë kombëtare e cila nëse konsumohet në këtë mënyrë, pa vjelë ato të mira që i takojnë gjithë shoqërisë, konsiderohet shpërdorim flagrant i saj.

Shteti përmes këtij ligji, me dashje, heq dorë nga e drejta e tij për të vjelë të ardhurat që i takojnë nga një pasuri që i takon të gjithëve, me qëllimin e vetëm që të favorizojë biznese të caktuar, që aktualisht kanë, apo mund të pajisen me autorizimet/lejet për ta shfrytëzuar atë”, deklaron Presidenti.

Megjithatë mbetet një mister i madh se pse Meta ka rrëzuar pikërisht ligjin për tarifat e kromit, duke qënë se në veçanti Buqiza është  kthyer në një burim konflikti, ndërsa rruga dikur e re Klos-Rrëshen-Milot, është shkatërruar nga kalimi i makinave të tonazhit të rëndë, që dërgojnë kromin e paperpunuar në Durrës. Makineri që vlejnë miliona euro dhe që zërat për pronarin e tyre orientohen nga politika e lartë!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje