Prej Janarit jemi mësuar të shohim dy analistët Andi Bushati dhe Baton Haxhiu të përplasin idetë e tyre pro dhe kundër në emisionin Shock, që transmetohet në televizionin Euronews Albania. Por dje në mbrëmje, debati nuk ka ndodhur vetëm mes dy analistëve, por edhe me moderatoren e emisionit Bruna Çifligu.
Bushati pretendoi se televizioni Euronews Albania i kishte çensuruar titullin e emisionit, tema e të cilit ishte fushata politike me banditë. Titulli që kishte sugjeruar analisti, ashtu siç e përmendi në emision, ishte “Meta, fushatë me banditë”. Sipas tij emri i Metës ishte hequr nga titulli dhe këtë e cilësoi çensurë.
Moderatorja i kujtoi se emisioni bëhet në Euronews Albania një brand që njihet për pikën e tij të fortë, në ruajtjen e standardit, besueshmërisë dhe paanshmërisë. Madje e ftoi Bushatin ta respektonte këtë standard, që mund të mos e haste në televizionet e tjera.
Këtu erdhi edhe përplasja mes të dyve, të cilën të plotë mund ta ndiqni në videon e shkëputur nga emisioni Shock, që transmetohet çdo të hënë, të martë dhe të mërkurë në orën 20.00 në Euronews Albania.