Kreu i Kesh, Benet Beci mblodhi ditën e sotme Sekretariatin Teknik të Komisionit të Posaçëm të Trajtimit të Plotave, ku u mor dhe vendimi për uljen përsëri të shkarkimeve nga Hec Vau Dejës.
“Morëm vendim të ulim sërish shkarkimet nga 500 në 300 m3/s nga Hec Vau Dejës. Qëllimi është që të mos ketë impakt në zonën e nën Shkodrës”, u shpreh Beci.
Zona më problematike nga përmbytjet është Shkodra, ku është përmbytur një sipërfaqe totale toke prej 5370 Ha.
Lajmin e ka bërë publik edhe vetë dretori i KESH, Benet Beci, përmes një postimi në facebook ku bën me dije se situata është drejt normalizimit. Ulja e shkarkimeve sipas Becit i jep kohë lumit të Bunës dhe liqenit të Shkodrës të shkojnë drejt kuotave normale, pasi në datat 12-20 Shkurt nuk parashikohen më rreshje shiu.
“Së bashku me anëtarët e Sekretariatit Teknik të Komisionit të Posaçëm të Trajtimit të Plotave në një mbledhje ndryshe nga çdo herë tjetër, ku përtej analizës së menaxhimit të prodhimit dhe sigurinë e digave diskutuam se si KESH mund të ndihmojë në reduktimin e impaktit në zonën e nën Shkodrës.
Sipas raporteve meteorologjike për periudhën 12- 20 Shkurt 2021 nuk priten rreshje shiu dhe për këtë arsye së bashku me anëtarët vendosëm që të ulim sërish shkarkimet në Hec Vau Dejës nga 500 m3/ në 300m3/s. Kjo me qëllimin për ti dhënë kohë lumit të Bunës dhe liqenit të shkojnë drejt kuotave normale.
Falenderova të gjithë antarët e këtij Sekretariati për punën e palodhur dhe për bashkëpunimin perfekt që kemi pasur në këtë periudhë të vështirë me reshje intensive dhe prurje historike mbi lumin Drin”, shkruan Beci në facebook.