Publikohen detaje të reja nga hetimet për vrasjen e Klodian Rashës

9 Mars 2021, 11:48Kronika TEMA

A2 ka siguruar detaje nga dosja hetimore për vrasjen e Klodian Rashës. Në dosje bëhet e ditur se ka rezultuar se në duart e Klodian Rashës nuk ka mbetje të gjurmëve të qitjes, pra nuk ka përdorur armë dhe as substanca narkotike në gjakun e tij.

“Nga materiali hetimor ka rezultuar se është administruar akti i ekspertimit kimit të mostrave të marra nga duart e kufomës Klodian Rasha për faktorët plotësues. Nga akti i ekspertimit kimik ka rezultuar se në mostrat e marra nga duart e kufomës nuk janë evidentuar prania e nitriteve dhe nitrateve të cilat ndodhen edhe në mbetjet nga qitjet me armë zjarri”.

Nga ana tjetër, zbardhja e pamjeve të kamerave të sigurisë gjithashtu vërteton se efektivi i policisë, Nevaldo Hajdaraj, ka qëlluar në drejtim të viktimës, Klodian Rasha, pasi është rrëzuar në tokë.

“Në orën 02:56”, deri në orën 02:57, në fushëpamjen e kamerës nr.8, është konstatuar punonjësi me uniformë policie, i cili ngrihet dhe pozicionohet në të ndenjurat e tij, brinjazi, mbështetur në dorën e majtë, duke drejtuar dorën e djathte, në të cilin mban një send që duket si armë zjarri të llojit pistoletë, nga prapa shpinës të personit civil, i cili vazhdon të vrapojë në drejtimin ku është pozicionuar kamera.

Sendi, të cilin punonjësi me uniformë policie e mban në dorën e djathtë, në drejtim nga prapa shpinës të personit civil, i cili duket si armë zjarri, duket se reflekton një vezullim drite, ku në një moment shumë të shkurtër, përveç vezullimit të mësipërm, reflekton edhe një vezullim drite në formën e një shtëllunge tymi si ajo e dalë nga një armë zjarri.

Dëshmia e shoferit të mjetit që ishte ndaluar nga Nevaldo Hajdaraj dhe kolegu i tij pak çaste para ngjarjes:

“Rreth orës 01:00 minuta, ka qenë dukë lëvizur në rrugën. Sipas deklaruesit, në momentin kur ka qenë përballë me vendin e quajtur “Kupola”, pranë semaforit, ka parë nga larg se një automjet policie ia ka bërë me drita të gjata, me shenjë për të ndaluar. Pasi ka parë nga pasqyra automjetin e policisë, i është përgjigjur shenjës se ndalimit, ka hapur krahun dhe ka ndaluar mjetin pranë hotel “Dilo”, ku njëkohësisht prapa mjetit të tij ka qenë dhe automjeti i policisë. Sipas deklaruesit, nga automjeti i policisë ka zbritur një punonjës policie, i cili është afruar pranë automjetit duke i kërkuar dokumentet e mjetit.

Sipas deklaruesit, është bindur urdhrit të punonjësit të policisë dhe ka filluar që të japë dokumentet. Sipas deklaruesit, në këto momente, ai ka parë përpara automjetit te tij, në krahun e djathte, një punonjës policie, i cili po ndiqte një person me vrap duke kaluar rrugën në krahun tjetër, duke shoqëruar edhe me fjalët, “ndalo policia”, në drejtim të këtij shtetasi që po largohej me vrap. Sipas deklaruesit, veprimet e mësipërme i kanë tërhequr vëmendjen dhe ka parë se shtetasi që po vraponte dhe punonjësi i policisë që po e ndiqte, kanë hyrë në një rrugice, e cila korrespondon përballë me hotel “Dilo”, e cila të çon pranë ish-Shkollës së Partisë.

Sipas deklaruesit, gjatë këtij momenti, punonjësi i policisë, i cili i kishte kërkuar dokumentet, dhe po ndiqte me sy kolegun e tij, i ka kthyer dokumentet e mjetit dhe pasi ka mbyllur automjetin e policisë, ka vrapuar duke kaluar rrugën me qëllim të ndiqte drejtimin nga iku shtetasi në fjalë dhe punonjësi i policisë. Sipas deklaruesit, në këto momente i ka kërkuar punonjësit të policisë nëse mund të lëvizte, por ky i fundit nuk i ka kthyer përgjigje. Sipas deklaruesit, gjatë kësaj kohe ka qëndruar në automjetin e tij pa lëvizur fare, ku pas disa minutave ka dëgjuar një krismë si ajo e armëve të zjarrit dhe ka dëgjuar një zë personi, i cili ka thënë se e vranë.

Sipas deklaruesit, pas këtij momenti ka dalë nga automjeti, është afruar drejt vendit ku kishte dëgjuar krismën dhe ulërimën, rreth pesëmbëdhjetë metra larg, në rrugicën që kufizohej me një servis automjetesh. Sipas deklaruesit, pasi është afruar në rrugicë, njëkohësisht në këtë vend është afruar një punonjës policie, i cili ka shikuar në drejtim të një personi, i cili ishte shtrirë në tokë, ku pas disa sekondave në këtë vend ka shkuar dhe një punonjës policie tjetër me vrap, i cili i është drejtuar kolegut duke i thënë se çfarë donte që kishte shtirë me armë.

Sipas deklaruesit, pas rreth një minute në vendin e ngjarjes kane shkuar punonjës të tjerë të policisë, të cilët janë afruar pranë shtetasit shtrire dhe nga ky moment punonjësit e policisë i kanë kërkuar që të largohej nga vendi.

25-vjeçari Klodian Rasha u vra më 8 dhjetor të vitit të kaluar, ndërsa i pandehur për këtë ngjarje është efektivi i policisë Nevaldo Hajdaraj, i cili do të përballet në gjykatë me akuzën e vrasjes me dashje.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje