Benet Beci, kandidati i PS për Shkodrën, nuk është një emër i panjohur për komunitetin shkodran, edhe për shkak të lidhjeve shumë të mëdha në këtë qytet të akademikut Bahri Beci, babait të tij, të cilit, në nder të 85 vjetorit të lindjes, Akademia e Shkencave në fillim të marsit, orgnizoi veprimtarinë shkencore jubilare dhe promovimin e botimit të tij të fundit “Lidhja gjuhësore ballkanike në dritën e të dhënave të gjuhës shqipe”.
Në sallën “Aleks Buda” të Akademisë së Shkencave akademikë vendas dhe të huaj, shprehën mirënjohjen e tyre për punën dhe veprën e Bahri Becit. Akademik Skënder Gjinushi, Pëllumb Xhufi, prof.dr. Seit Mansaku, Akademik Rexhep Ismaili, prof.dr Anila Omari, Akademik Shaban Sinani dhe të tjerë, vlerësuan veprën e Becit në këtë aktivitet.
Vetë Bahri Beci që nëpërmjet kësaj vepre synon vendosjen e shqipes në vendin që i takon në rrethin egjuhëve ballkanike si dhe qëmtimi i tipareve ballkanike më të imta, të pavena re apo të diskutuara shumë që përbëjnë objektin e veprës, tha se ndihej i lumtur për vlerësimet e marra për punën e tij në këtë 85 vjetor.
Po kush është Akademik Bahri Beci
Ka lindur në Shkodër në 6 mars 1936 dhe po aty kreu studimet fillore. Ndërsa studimet e larta i kreu në Universitetin e Tiranës në fushën e gjuhës dhe të letërsisë shqipe. Kualifikim të gjerë mori në Paris në vitet 1975-1977. Për tu rikthyer sërish në këtë vend, (Francë) në vitin 1997 ku punoi si pedagog I shqipes në Institutin Kombëtar të Gjuhëve dhe Qytetërimeve Lindore të Parisit. Që në vitin 1984 ka marrë gradën “Doktor i Shkencave”.
Libri për Shkodrën
Nuk e ka ndalur punën e tij akademik Bahri Beci, duke ndaluar në veprën “Përjetime 1936-2021” me dedikim të posaçëm për qytetin e Shkodrës. Aty, Bahri Beci tregon për peripecitë madje “qarkullimin” e kuadrove në kohën e komunizmit, që thënë ndryshe, ishte internim.
Por Bahri Beci nuk tërhiqej. Dhe këtë e pasqyron më së mirin ë librin e tij. “Nuk e kisha të qartë sesi duhet të veproja me gruan dhe djalin, cfarë duhet të bëja, ta mbyllja me kaq “karrierën” time shkencore, prat ë hiqja dorë nga të gjitha ëndrrat ose më mirë shqetësimet që kishin lindur gjatë këtyre tetë-nëntë vjetëve punë dhe pasion e këmbëngulje, të nxitura sa nga dëshira aq edhe nga sedra, apo duhej bërë dicka tjetër. Në kokë më shkonin gjithfarë mendimesh, po asnjëherë nuk mendoja se duhet të tërhiqesha”, shkruan akademiku Bahri Beci në librin e tij.
“Me sa duket historia e jetës njerëzore është tepër e shkurtër dhe krejt e pamjaftueshme për ta kthyer subkoshiencën apo nënvetëdijen e trashëguar të njeriut nga kafshë në koshiencë a vetëdije të vërtetë njerëzore. Me sa duket do të duhen edhe shumë vuajtje e jetë njerëzore që të bëhet njeriu njeri, që shtresa e koshiencës a vetëdijes njerëzore të arrijë të dominojë tërësisht instinktet kafshore që i kanë themelet në një prehistori që arkeologët e përcaktojnë në mijëravjeçare.
Kjo me sa duket do të jetë e vlefshme për të gjitha kohët, për të gjithë brezat dhe për të gjitha vendet e vogla e individët e pambrojtur nga hija e të fuqishmëve”, shkruan akademiku Bahri Beci në librin e tij.