Në LSI ka shpërthyer një debat i madh dhe reflektim për djegien e mandateve, duke kërkuar fillimin e hetimeve se kush i dogji mandatet.
Në krye të këtij grupi hetimor është vetë Bilushi.
Në fillim ai thirri në pyetje Tit Vasilin.
-Si e mban mend atë ditë që u muar vendimi?
-Po mirë. Po rrinim para LSI-së. Isha me Luanin.
Përtonim të shkonim der tek kafja .
U ulëm tek bordura e po hanim fara, kur me ërdhi sms nga Monika:
-Eja pak në zyrë.
Shkova në zyrë.
-Do djegim mandatet, tha ajo. Është vendosur. Nuk dua diskutim.
Mos më filloni tani si shkërdhata të qani, jo rroga, jo dietat, jo tollonat, se nuk ua mban atyre të na i djegin.
Thjesht do t’i trembim.
-Patjetër, i thashë. Mua më ke gati.
Pas dëshmisë së Titit, thirri Haxhinaston.
-Si të njoftuan ty për vendimin?
-Mua më mori Nasipi. Më tha eja më jep ndonjë drekë sot, sa kemi këto rrogat akoma.
-Pse, çfarë ka ndodhur, e pyeta?
-S’ka më rrogë muajin tjetër, do djegim mandatet, më tha.
Pastaj mori në pyetje Tavon.
-Si e mësove djegien e mandatave?
-Nga televizori e dëgjova. Pastaj pyeta Monikën.
Ajo më tha e kemi gjasme.
Unë për të qenë brenda plotësova kërkesën, por vura gabim emrin e babait, ta kisha për siguri, për të thënë që nuk jam unë, në rast se ktheheshim.
Por ata nuk pyetën fare. Ma dogjën me emër babai tjetër.
-Ah, e kuptova, tha Bilushi.
D.m.th ju po nxirrni një element të ri, që mandatet ua dogji Edi Rama.
-Ai na i dogji. Po të kishte duruar pak ai, dhe po të ulej për bisedime, gjërat do ishin ndryshe.
Ai nuk na dha pazar. Veproi menjëherë.
Bilushi, pasi analizoi dhe deklaratën e Tit Vasilit, i rezultoi që LSI e ka pas “me gjasme” djegien e mandateve.
D.m.th nuk ka dashur t’i djegë. Edi Rama i ka djegur me dhunë.
Për këtë ai përgatiti një relacion për Ilir Metën, ku shkruan:
“Nga hetimet e mija, më rezulton se ka një bashkëpunim mes Edi Ramës dhe Lulzim Bashës për djegien e mandateve.
Në LSI, askush nuk ka dashur t’i djegë mandatet, por Lul Basha u ka mbushur mendjen se kjo është lëvizje fallco.
Këtë e ka besuar dhe Monika, pra as ajo nuk ka faj, se është njeri i sinqertë dhe naiv.
Pasi i ka futur në kurth, Basha i ka shkruar Ramës: “Tani digji menjëherë se do më ikin”.
Rama ka vepruar menjëherë. Kjo tregon se ata të dy do bëjnë aleancë pas zgjedhjeve.
Duhen marrë masa”.