KQZ thirrje partive: Tregoni maturi dhe vetëpërmbajtje, gjuha e ashpër nuk u shërben qytetarëve

19 Mars 2021, 14:22Politika TEMA

KQZ i ka bërë thirrje partive politike të ndalin gjuhën e ashpër dhe sjelljen konfliktuale që kanë filluar në këtë fushatë elektorale.

Duke marrë në konsideratë retorikën politike të ditëve të fundit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në përmbushje të përgjegjësive të veta dhe me qëllimin për të përgatitur, zhvilluar dhe administruar zgjedhjet e datës 25 Prill, në përputhje me standardet më të mira për zgjedhje të lira, të drejta dhe të ndershme, i bën apel të gjithë aktorëve politik për vetëpërmbajtje dhe maturi në sjelljen dhe mesazhet politike dhe elektorale të tyre.

Duhet mbajtur në vëmendje se sjellja dhe retorika e udhëheqësve dhe përfaqësuesve politik ndikon në mënyrë të drejtëpërdrejtë tek mbështetësit e tyre, ndikon në mënyrë të drejtëpërdrejtë në cënimin e standardeve të zgjedhjeve në vendin tonë.

Partitë politike janë një element themelor i sistemit demokratik të vendit dhe janë një mjet thelbësor i shprehjes së vullnetit politik të qytetarëve dhe si të tilla kanë përgjegjësinë dhe detyrimin ndaj qytetarëve që të sillen me përgjegjshmëri dhe maturi.

Gjuha e ashpër dhe sjellja konfliktuale nuk i shërben interesit të qytetarëve për zhvillimin e zgjedhjeve të lira, të ndershme dhe demokratike, kusht për integrimin europian të vendit. Jemi në prag të fillimit të fushatës zgjedhore ndaj kandidatët dhe partitë politike duhet të respektojnë konkurrentët e tyre.

Zgjedhjet janë për qytetarët dhe fushata zgjedhore është faktori kryesor/qendror në formimin e opinionit të zgjedhësve, ndaj duhet respektuar e drejta e qytetarëve për të krijuar opinionin e tyre në mënyrë të pavarur dhe të pandikuar, si dhe të drejtën e tyre për të pasur zgjedhje të qeta, të lira dhe demokratike.

Gjithashtu, në respekt të standardeve të zgjedhjeve të ndershme, KQZ i bën apel edhe zyrtarëve të angazhuar si garues në zgjedhjet e datës 25 prill, që të ndajnë angazhimin e tyre si kandidat për deputet me atë të drejtuesit të entit shtetëror përkatës.

Zhvillimi i një gare të ndershme, në kushte të barabarta dhe duke respektuar standardet e kërkuara zgjedhore, i shërben zhvillimit demokratik të vendit. 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje