Një nga prurjet e reja të kombëtares shqipatre të futbollit në fillimin e këtyre eliminatoreve është Nedim Bajrami. Një emër i kërkuar me ngulm nga trajneri Edi Reja, i cili prej kohësh kërkonte një organizator për mesfushën, duke e gjetur tetovarin si njeriun e duhur për të plotësuar këtë vend në rreshtimin e kuqeinjve.
Edhe për futbollistin ishte nje vendim i rëndësishëm për t’iu bashkuar kombëtares shqiptare, teksa ka pranuar për “SuperSport” se ka dëgjuar zemrën e tij, duke vendosur që të braktiste Zvicrën për të cilën kishte luajtur në ekipet zinxhir të moshave, falë edhe bisedave që kishte pasur me trajnerin Reja si dhe Amir Abrashin.
“E vendosa të luaj për Shqipërinë, pasi dëgjova zemrën. Fola edhe me Rejën dhe mendova se është vendimi i duhur që të luaj për Shqipërinë. Fola me Abrashin dhe më tha hajde të luash me Shqipërinë, pasi kemi skuadër të mirë, me cilësi. Është një miks me lojtarë të rinj dhe të tjerë me eksperiencë. Të gjithë më kanë pritur shumë mirë dhe jam shumë i lumtur që jam këtu”, tha mesfushori.
Ai pret që të aktivizohet tashmë, pasi ka marrë edhe pasaportën shqiptare dhe lejekalimin nga FIFA për ndryshimin e kombëtares, por sigurisht ia lë gjithçka në dorë trajnerit.
“Këtë e vendos Reja, por nëse më aktivizon, unë do të jem shumë i lumtur të jap kontributin tim. Kam bërë vetëm një stërvitje me skuadrën dhe kam parë që ka shumë cilësi. Duhet të bëjmë shumë mirë në ndeshjen e parë me Andorrën, pasi është shumë e rëndësishme ta nisim mbarë”, ishin fjalët e tij.