Rriten pensionet për 700 mijë pensionistë nga 1 Prilli, ja sa përfitojnë

1 Prill 2021, 20:57Sociale TEMA

Nga 1 prilli pensionistët do të kenë një rritje me 2.7% të pensionit të tyre, e ardhur kjo nga indeksimi i miratuar sot nga Këshilli i Ministrave.

Sipas përllogaritjeve, janë mesatarisht 390 lekë në muaj plus për pensionin minimal dhe 780 lekë plus për pensionin maksimal.

Këshilli i Ministrave me propozim të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, miratoi në mbledhjen e radhës vendimin “Për indeksimin e pensioneve dhe bazës së vlerësuar”.

Qëllim i këtij vendimi është që të mbajë në nivele optimale vlerën reale të pensioneve dhe përfitimeve të tjera sociale duke rikuperuar efektet e rritjes së indeksit të çmimeve të mallrave të konsumit ndaj vitit pararendës. 

Gjithashtu, vendimi ka për qëllim edhe miratimin e koeficientit vjetor të indeksimit “bazës së vlerësuar” për efekt të kalkulimit të masës së pensionit fillestar që caktohet pas hyrjes në fuqi të këtij vendimi.

Bazuar në përllogaritjet e kryera nga INSTAT, indeksi mesatar vjetor i rritjes së çmimeve të shportës së mallrave të konsumit dhe të shërbimeve të pensionistëve do të jetë +2.7 %.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje