Ish-trajneri i Tiranës, Ze Maria, në një intervistë të fundit për “Gazzetta dello Sport”, – ku pohon se kur luante futboll e ka kërkuar edhe Real i Madridit, por ai preferoi Parmën, – ka rrëfyer edhe kohën kur drejtonte si trajner në Kenia dhe në Shqipëri.
Braziliani lë të kuptohet se presidenti Refik Halili i ka ndërhyrë në punën e tij dhe kjo është arsyeja e largimit: “Pas Kenias, doja të kthehesha në Europë dhe shkova në Shqipëri te Tirana, që për herë të parë në historinë e saj kishte rënë nga Kategoria Superiore.
Fitova kampionatin e Serisë B (Kategorisë së Parë) me një diferencë prej 15 pikësh nga vendi i dytë. Fituam edhe Superkupën e Shqipërisë.
Kisha vështirësi, si në Afrikë, ashtu edhe në Shqipëri. Kur dikush shkon në Afrikë, pretendon disa gjëra, por është e pamundur t’i ketë. Në Shqipëri është e vështirë të bësh futboll. Dhashë dorëheqjen, sepse kishte probleme administrimi. Presidenti nuk mund të ndërhyjë në pjesën teknike të skuadrës”, – ka theksuar mes të tjerash Ze Maria. Ai e drejtoi Tiranën nga korriku i 2017-ës deri në tetor të 2018-ës.
Te Tirana ka pasur lëvizje të shpeshta trajnerësh dhe një nga arsyet kryesore është edhe kjo që Ze Maria e ka thënë qartë. Në fillim të sezonit aktual u largua edhe Emanuel Egbo, edhe pse arriti ta kthente skuadrën te titulli kampion pas shumë vitesh.