ANALIZA: Evropa ka nevojë urgjente për një qëllim gjeopolitik

13 Prill 2021, 10:20Bota TEMA

Nga Nigel Gould-Davies, The Moscow Times

Grumbullimi i forcave ruse pranë kufirit të saj me Ukrainën, nuk është vetëm një sfidë ndaj kësaj të fundit. Kjo shënon gjithashtu fazën e fundit të një fushate presioni mbi Bashkimin Evropian nga ana e Moskës.

Dobësitë dhe kontradiktat gjatë reagimit të BE-së e kanë inkurajuar Rusinë, të ndërmarrë tani një test edhe më të ashpër. Ky është një moment i rrezikshëm për Evropën dhe aleancën transatlantike.

Fushata nisi që në fillim të shkurtit, kur Përfaqësuesi i Lartë i BE-së Josep Borrell vizitoi Moskën dhe u poshtërua në çdo moment. Borrell arriti në përfundimin se “Rusia po shkëputet progresivisht nga Evropa, dhe se ajo i sheh si një kërcënim ekzistencial vlerat demokratike të Perëndimit”. Megjithatë, në tre çështjet që dominojnë marrëdhëniet e saj me Rusinë, Evropa ka treguar inkoherencë dhe dobësi.

Brukseli ka qenë më i zëshëm në reagimin e tij ndaj trajtimit që po i rezervon Kremlini liderit të opozitës ruse Alexei Navalny, që vitin e kaluar gati vdiq nga helmimi me agjentin nervor Noviçok. I arrestuar gjatë rikthimit në Moskë nga Berloni, Navanly po lëngon tani në një burg të sigurisë së lartë.

Rusia e ka bërë rastin e tij një problem evropian, duke e shpallur Navalny fajtor për përvetësimin e fondeve nga një kompanie franceze (e cila vetë thotë se nuk pësoi asnjë dëm) dhe për mos-raportimin e tij tek autoritetet ruse gjatë kohës që shërohej në Berlin pas helmimit që pësoi.

Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut e ka dënuar vendimin e gjykatës për shpalljen fajtor të kreut të opozitës ruse. Por BE nuk i ka përputhur dot fjalët e saj me veprimet. Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, kërcënoi t`i prishë tërësisht marrëdhëniet me

BE-në nëse kjo e fundit vendos sanksione që “paraqesin rreziqe për ekonominë tonë, përfshirë fushat më të ndjeshme”.

Megjithëse ishte një pranim i sinqertë i efektivitetit të sanksioneve perëndimore, ai kërcënim bëri që BE-ja të kufizohej vetë në ndërmarrjen e disa masave simbolike. Ç’është më e rëndësishmja, Brukseli nuk vendosi sanksione shumë më të gjera që mund të mbronin vetë Navalny.

Çështja e dytë është projekti i gazsjellësit “Nord Stream 2”. Nëse ai do të përfundojë (deri tani është ndërtuar 94 për qind e tij), kjo do të thellojë ndikimin e Kremlinit në Gjermani, dhe me siguri që do ta dobësojë më tej Ukrainën. Ky projekt është shumë jo popullor brenda BE-së dhe kundërshtohet me forcë nga Shtetet e Bashkuara.

Megjithatë, Gjermania këmbëngul që ky projekt energjetik të mos përzihet me çështjen Navalny, shqetësimet mbi gjendjen e të drejtave të njeriut në Rusi, hakimin kibernetik që rusët i bënë Bundestagut gjerman, dhe një axhendë në rritje e çështjeve të tjera të vështira.

Problemi i tretë ka të bëjë me vaksinën ruse Sputnik-V.

Në shkurt të këtij viti, presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Lejen, pyeti publikisht se përse Rusia po ua ofronte Sputnik-V vendeve të tjera, në kushtet kur shkalla e vaksinimit në vend është shumë e ulët.

Megjithatë, pas tensioneve që e dominuan samitin e fundit të BE-së në lidhje me fushatën e dobët të vaksinimit në kontinent, presidenti francez Emmanuel Macron dhe kancelarja gjermane Angela Merkel telefonuan Vladimir Putinin për të diskutuar mbi prodhimin e mundshëm të vaksinës ruse në Bashkimin Evropian.

Ato telefonata që u shërbejnë më së miri interesave ruse tregojnë3 gjëra. Së pari, që vendet anëtare janë të gatshme të tejkalojnë shqetësimet e Von der Leyen dhe Borrell. Dhe kjo gjë e plotëson dëshirën e Rusisë për t’u marrë individualisht me vendet e BE-së, dhe jo me BE-në si një e tërë.

Së dyti, për çështjen e vaksinave, BE-ja është kërkuesja:Rusia mund ta shqyrtojë nevojën e saj, dhe të nxjerrë prej saj një përfitim politik. Së treti, Franca, Gjermania dhe Rusia biseduan gjatë të ashtuquajturit Procesit të Normandisë, mbi të cilin u ra dakord në vitin 2014 për të diskutuar zgjidhjen e konfliktit në Ukrainë.

Por megjithëse Ukraina u përjashtua nga kjo telefonatë, Merkel dhe Macron e diskutuan me Putinin, ashtu si edhe çështje të tjera rajonale të sigurisë. Të dy liderët kryesorë të Evropës ngritën gjithashtu shqetësime në lidhje me shëndetin e Navalny.

Putini nuk ka gjasa të shqetësohet për një njeri që ka bërë publike një video, të parë mbi 100 milion herë, që e portretizon atë si një kleptokrat të çmendur. Një ditë pas telefonatës midis tyre, Navalny njoftoi fillimin e një greve urie,i dëshpëruar nga fakti që gjendja e tij fizike dhe psikologjike po degradon gjithnjë e më shumë.

Rusia mund të nxjerrë 3përfundime nga diplomacia e saj e presionit. Së pari, përkujdesja e BE-së për armikun personal të Putinit – një njeri të cilin ai është përpjekur ta vrasë dhe që tani gjendet në mëshirën e tij – nuk do të sjellë pasoja.

Së dyti, Gjermania do t’i bindet Rusisë në synimin e saj strategjik të përfundimit të ndërtimit të gazsjellësit “Nord Stream 2”, pavarësisht sjelljes së Rusisë në fusha të tjera. Së treti, kritika e brendshme në BE për një shpërhapje të ngadaltë të vaksinave, do të mbetet për disa muaj e fortë, dhe kjo do t’i detyrojë vendet anëtare të kapërcejnë shqetësimet e Komisionit Evropian dhe të kërkojnë ndihmën e Rusisë.

Me pak fjalë, BE-ja është përgjigjur me ndarje, politikën e gjesteve të vogla dhe me një padurim strategjik. Rusia e ka shfrytëzuar këtë dobësi, duke e kushtëzuar Evropën që ta pranojë dhe mos rezistojë përpara lëvizjeve të saj ushtarake. Kjo strategji duket se ka funksionuar.

Ndërsa SHBA-ja dhe Britania e Madhe kanë shprehur shqetësim të madh, Franca dhe Gjermania kanë lëshuar një deklaratë të përbashkët duke iu bërë thirrje të dy palëve për de-përshkallëzim të situatës,a thua se Ukraina është një agresore e mundshme edhe pse po mbron territorin e saj.

Tani rreziku është që një sulm i madh rus kundër Ukrainës ta ndajë kontinentin nga bota anglo-amerikane. Rusia mund të besojë se ky është momenti i duhur për të provuar një përçarje të aleancës atlantike, të cilën Bashkimi Sovjetik nuk e arriti kurrë.

Por nëse pret edhe shumë kohë, presidenti amerikan Joe Biden do të riparojë dëmin e shkaktuar nga paraardhësi i tij ndaj aleancës, dhe Evropa do ta ketë marrë veten nga pasojat

e Covid-19. Në këtë situatë rreziqet janë të larta jo vetëm për Ukrainën por edhe për Perëndimin. Për të shmangur këtë gjë, BE ka nevojë urgjentisht të gjejë forcën dhe qëllimin gjeopolitik.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje