Peleshi me banorët e lagjes 17 në Korçë: Na besoni ne si partia e zgjidhjeve

18 Prill 2021, 14:13Politika TEMA

Në takimin e zhvilluar me banorë të lagjes 17 të qytetit të Korçës, kandidati i Partisë Socialiste Niko Peleshi, kërkoi sërish mbështetjen për zgjedhjet e 25 prillit.

Peleshi, theksoi veç të tjerash se besimi për një mandat të tretë është garanci për të ecur drejt rrugës së nisur për më shumë rritje ekonomike dhe punësim.

Drejtuesi politik i qarkut Korçë nga ana tjetër përmendi Korçën si shembull suksesi të ndryshimeve përmes punës, duke i hapur rrugën zhvillimit të mëtejshëm të qytetit.

“Unë kam vendosur ta bëj me ju pjesën tjetër të rrugëtimit të Korçës, sepse së bashku e kemi filluar në 2007, së bashku kemi ecur dhe ju më keni mbështetur. Në 25 prill është përballë partia e problemeve, nga ana tjetër është partia e zgjidhjeve, sepse Partia Demokratike sa herë ka ardhur në pushtet është bërë problemi i shqiptarëve jo zgjidhja.

Ne premtuam punësim për mandatin e ardhshëm dhe e premtojmë të bazuar në një qytet që është kthyer vëmendja e shumë investitorëve, është kthyer interesi i të rinjve korçarë që kanë studiuar në Tiranë apo jashtë shtetit për t’u kthyer dhe për të jetuar këtu”, theksoi Peleshi.

Më tej Peleshi u shpreh se “ne po ndërtojmë qendrën e teknologjive të reja në qendër të qytetit. Pra do të hapim vende pune që duke jetuar në Korçë, mund të bësh shërbime përmes internetit. E kemi projektuar këtë rrugë prej kohësh kemi bërë gjysmën e rrugës dhe tani së bashku do të bëjmë pjesën tjetër që është pjesa më e bukur dhe më e rëndësishme e rrugës sonë”.

“Ndaj edhe një herë ju ftojmë që së bashku të votojmë Partinë Socialiste, të votojmë partinë e zgjidhjes jo partitë e tjera që janë parti që janë bërë problemi mbrapa qafës për shqiptarët për shumë vite”, – përfundoi Peleshi.

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje