“Në 17 qershor nisin fluturimet ndërkombëtare”, disa fakte nga ministrja Balluku mbi aeroportin e Kukësit dhe marrëveshjen që firmoset sot për të Vlorës

20 Prill 2021, 09:43Sociale TEMA

Ditën e diele u realizua fluturimi i parë në aeroportin e Kukësit, ku një avion i “AirAlbania”-s i ardhur nga Londra zbriti fillimisht në Rinas dhe më pas u ngrit për t’u ulur përsëri në Kukës.

Në një intervistë për gazetarin Blendi Fevziu në programin e tij televiziv “Opinion”, ministrja e Infrastrukturës dhe e Energjisë Belinda Balluku ka treguar se kur ky aeroport do të nisë fluturimet ndërkombëtare direkte. Balluku tha se kjo do të bëhet më 17 qershor dhe se janë dy kompani ajrore të mëdha që kanë shprehur interes.

Balluku tha se në këto 54 ditë, kompanitë ajrore do të bëjnë testet e fluturimit.

Ministrja foli edhe për aeroportin e Vlorës, marrëveshja për të cilin firmoset paraditen e sotme. Ajo tha se ky aeroport do ta ketë pistën më të gjatë edhe se aeroporti i Rinasit, duke u bërë aeroporti më i madh në Shqipëri.

Ajo shpjegoi se ky aeroport është dizenjuar si një aeroport nga ku mund të ngrihen fluturime direkte transoqeanike.

PJESË NGA INTERVISTA

Fevziu: Ka një peceptim që projektet marrin hov gjithmonë në prag të zgjedhjeve, gjatë fushatës elektorale. Hidhen asphalt nëpër rrugë, projekteve u priten shiritat, edhe avionët ulen një javë përpara zgjedhjeve. Pyetja është: Po përdoret infrastruktura në fushatë elektorale?

Balluku: Sigurisht që jo sepse unë nuk e di se sim und të mendohet që një aeroport hapet për zgjedhje ndërkohë që duhen vite për tu ndërtuar. Pra kemi dy vite që punojmë për këtë aeroport. Datën e dorëzimit e ka patur në 24 Prill dhe është dorëzuar një javë përpara.

Fevziu: Por duket që nuk është bërë gati, duket sikur është bërë më shumë një ceremoni elektorale dhe më pas do të jetë gati për t’u…

Balluku: Jo absolutisht nuk është e vërtetë. Aeroporti është gati. Ka një shpallje, i cili është një publikim i cili duhet të rrijë 54 ditë i publikuar dhe pastaj për të nisur të gjitha këto operime.

Fevziu: A është i akredituar ky aeroport ndërkombëtarisht?

Balluku: Patjetër.

Fevziu: Po pse nuk u fluturua direkt nga Londra?

Balluku: Atëhere edhe njëherë, certifikata lëshohet nga Aviacioni Civil. Ka një certifikatë sepse askush nuk mund të ulë një avion pa të. Ai gjithmonë do të jetë i akredituar nga Aviacioni Civil i Shqipërisë. Nuk presim ndonjë çertifikatë tjetër nga ndonjë Aviacion tjetër.

Fevziu: Po kush e certifikon? Apo kompanitë vetë që vijnë?

Balluku: Atëhere, certifikohet nga Aviacioni Civil Shqiptar përmes inspektorëve të Aviacionit Civil. Certifikohet në disa fusha, siç janë operimet, pajisjet, siguria që është shumë e rëndësishme. Është aeroport i certifikuar, është aeroport ndërkombëtar dhe 54 ditë nga dita e djeshme kur është kryer fluturimi i parë, pra më 17 qershor, ky aeroport do të jetë i gatshëm për të bërë fluturime ndërkombëtare.

Fevziu: Në cilën datë?

Balluku: 17 qershor.

Fevziu: Ka kontraktuar ndonjë kompani ndërkombëtare që do të fluturojë aty apo aeroporti thjesht të hapë dyert e po u ul mirë, po s’u ul prap mirë?

Balluku: Zoti Fevziu të jeni i sigurt që çdo koncensionar ka interesin që të kontraktojë të gjitha kompanitë e mundshme botërore kështu që këto 54 ditë, janë 54 ditët që kompanitë ajrore të bëjnë testet e fluturimit.

Fevziu: E kanë shprehur interesin? Sa e kanë shprehur?

Balluku: Në dijeninë time dy kompani shumë të mëdhaja.

Fevziu: Të cilat mund të operojnë në aeroportin e Kukësit?

Balluku: Patjetër.

Fevziu: Zakonisht ka një praktikë në Shqipëri, që ka ndodhur me tunelet. Ka ndodhur me rrugët. Hapen pak para zgjedhjeve pastaj mbyllen prap për të vijuar punimet që zgjasin edhe ca muaj..

Balluku: Aeroporti nuk ka as edhe një punim për t’u kryer. Të gjitha kanë qenë të kolauduara dje. Nga ky moment koncensionari ka nisur marrëdhëniet komerciale me kompanitë ajrore që do të fluturojnë atje për të pasur një marrëdhënie të pastër tregtare midis dy palëve.

Fevziu: U duk si një gjë shumë e madhe ose të paktën të shitej si një gjë shumë e madhe edhe në fushatë elektorale. Në Kukës zonja Balluku kanë fluturuar edhe në kohën e mbretit Zog, në linjën Tiranë-Kukës. Nuk po them siç tha presidenti Meta kur ishte kryeministër, sepse në atë kohë është ulur dhe një avion i Emirateve të Bashkuara Arabe, në atë kohë kur pista u përgatit prej Emirateve.

Balluku: Atëhere ky aeroport është ndërtuar në kohën e Luftës së Kosovës, pikërisht për t’u ulur atje të gjithë avionët të cilët sillnin ndihma për refugjatët e Kosovës.

Fevziu: Refugjatët në Kukës, për shkak të mungesës së rrugës.

Balluku: Ky aeroport siç e dini të gjithë ka pasur një pistë të pafluturueshme për Aviacionin Civil, sepse ka disa kushte që duheshin përmbushur. Sigurisht nuk ka asnjë gjurmë nga aeroporti i mëparshëm sot në Kukës. Kemi një pistë e cila është 2.2, 2.3 kilometra. Pra komplet një gjatësi tjetër.

Fevziu: E ngjashme me të Rinasit si gjatësi.

Balluku: Pak a shumë. Rinasi është më e gjatë, është 2.8. Ndërkohë që kemi një terminal të bërë nga zero. Është hedhur poshtë terminali I vjetër dhe sigurisht ky aeroport është ndërtuar nga zero deri tek dita e djeshme. Edhe pse nuk u duk ajo dje ka qenë një ceremoni e vërtetë, ka qenë një moment i jashtëzakonshëm. Unë kam qenë në bord të atij avionic dhe kam parë të gjithë banorët e Kukësit duke nisur nga Prizreni pasi atje bëhet dhe një rrotullim. Pasi dhe për rrotullimin dje kam qenë shumë e habitur dje sepse ka patur pyetje se pse fluturoi me këtë rrotullim. Është një procedurë e cila do ndiqet çdo herë që do ulen avionët në Kukës, për shkak të korridorit të ajror.

Fevziu: Ju ishit në avion zonja Balluku, por çunat e Kukësit pse flisnin me theks vlonjat?

Balluku: Të them të drejtën unë po të isha në vendin e gazetarëve do kërkoja një listë të pasagjerëve dhe do i nxirrja çunat, se ishin të gjithë kuksian. Unë kalova dhe një test se ai që thoni ju që fliste si vlonjat më pyeste për lumenjt se ku ishim në cilin lumë dhe pastaj ngaqë unë nuk i njoh lumenjtë e Kukësit nga sipër, ai më thoshte vetë që këtu jemi në Shtinje, këtu jemi këtu e këtu atje…

Fevziu: Tani çunat e Kukësit ku i latë? Si do kthen ata apo do rrinë atje?

Balluku: Çunat e Kukësit i lamë atje sepse siç ka premtuar Kryeministri çunat e Kukësit do të votojnë për Partinë Demokratike.

Fevziu: Ata e kanë votën vetë, nuk besoj se i keni patur me patronazhim?

Balluku: Jo, ata besoj se nën patronazhimin tonë do të votojnë PD-në siç është premtuar.

Fevziu: Zonja Balluku a ka rentabilitet, po flas në aspektin ekonomik, një aeroport vetëm një orë e gjysmë nga Tirana. Pra brenda një distance që mund të lëvizësh lirshëm me makinë.

Balluku: Blendi më lejo të të them si një ekspert i fushës pasi unë vij nga Aviacioni dhe kam harxhuar vite në aviacion. Që ai aeroport jo vetëm do të jetë rentabël, por shumë rentabël.

I ofrohet një tregu prej 1 milionë pasagjerësh, sipas studimit të fizibilitetit.

Fevziu: Kush e ka bërë studimin?

Balluku: Studimi i fizibilitetit është bërë nga një kompani shumë e njohur Holandeze e quajtur “Nako”.

Fevziu: Ju përfshini edhe shqiptarët e Kosovës besoj?

Balluku: Patjetër. Kemi thënë nga fillimi që është një aeroport rajonal dhe jo vetëm një aeroport i shqiptarëve.

Fevziu: Dhe do të fillojnë fluturimet nga data 17 qershor?

Balluku: 17 qershor është në fnksion të plotë.

Fevziu: Rrezikojmë të dështojnë fluturimet dhe të mos ketë fluturime? Pra ta kemi bërë aeroportin për ta mbajtur me çelës?

Balluku: Absolutisht jo. Aeroporti është bërë nga koncesionari dhe në ekonominë e tregut të kapitalit, askush nuk hedh para pa qenë i sigurt që këto para do t’i kthehen kështu që të jeni të qetë për këtë.

Fevziu: Ndërkohë që firmoset marrëveshja edhe për aeroportin e Vlorës apo jo?

Balluku: Nesër në mëngjes në orën 10:00, nëse unë s’gabohem sepse nuk e kam axhendën përpara. Ne kemi momentin historic të firmosjes së kontratës mes shtetit dhe koncesionarit për aeroportin e Vlorës që është një konsorcium që e kemi bërë public.

Fevziu: Aeroporti i Vlorës me çfarë logjike është zonja Balluku, sepse është një orë ose më pak nga aeroporti i Rinasit? E kuptoj në Sarandë ku distanca është e largët. Por në Vlorë?

Balluku: Aeroporti i Vlorës do të jetë aeroporti më i madh në vend.

Fevziu: Si më i madhi në vend?

Balluku: Më i madhi në vend. Duke qenë se është i dizenjuar për të pasur një pistë prej 3.2 kilometra, që do të jetë dhe pista më e gjatë në Republikën e Shqipërisë.

Fevziu: Po flasim si kapacitet pasagjerësh apo si hapësirë piste?

Balluku: Është dizenjuar si një aeroport nga ku mund të ngrihen fluturime direkte transoqeanike, pra i ofrohet një tregu tjetër dhe është një aeroport që do të furnizojë gjithë Jugun e Shqipërisë. Duke nisur nga Vlora por sigurisht edhe në zonën e Karavastasë dhe Divjakës, dhe duke përfunduar në Himarë, do të furnizojë të gjithë rivierën e Shqipërisë.

Fevziu: Divjaka e ka më kollaj të zbresë në Rinas sesa në Vlorë

Balluku: Vetë personalisht jam marrë me të gjitha distancat…

Fevziu: Për 10 minuta diferencë nuk ndërtohet një aeroport që kushton kush e di sa miliona euro.

Balluku: Por unë nuk thashë Blendi që e kemi ndërtuar për Divjakën.

Fevziu: Në Divjakë ju e dini ata ulen në rërë.

Balluku: Unë nuk e di që transoqeanikët ulen në rërë. Meqë thua ti, ndoshta.

Fevziu: Ulen ata të vegjlit po i keni parasysh.

Balluku: Jo nuk i kam parasysh. Unë kam parasysh planin dhe transoqeanikët që duhet të ulen në aeroportin e Vlorës. Unë kam parasysh…

Fevziu: Kush do fluturojë në aeroportin e Vlorës?

Balluku: Fillimisht do fluturojë AirAlbania. Do ta ketë bazën në Vlorë.

Fevziu: Nuk do fluturojë më nga Tirana?

Balluku: Do fluturojë edhe nga Kukësi madje, jo vetëm nga Tirana. Por do ta ketë bazën në Vlorë dhe Fan Noli i cili është avioni i cili do të fluturojë Tiranë-Nju Jork fillimisht, do të ngrihet nga Vlora.

Fevziu: Tiranë-Nju Jork, do të fluturojë nga Vlora?

Balluku: Patjetër.

Fevziu: Dhe kur pritet të fillojë?

Balluku: Në përfundim të aeroportit të Vlorës.  Ne nesër firmosim kontratën. Kontrata ka 36 muaj.

Fevziu: Kjo linjë ndoshta do të fillonte më parë nga Tirana, më pas mund të shkonte në Vlorë.

Balluku: Atëhere, Tirana do të përmbushë kushtet e një piste e cila do të investohet. Me ndryshimin e kontratës, sigurisht kemi një angazhim financiar të mirëfilltë nga koncesionari i Tiranës, i cili duhet të zgjasë pistën me disa qindra metra, për të qenë konform të gjithave kushteve të fluturimit transoqeanike.

Fevziu: Dhe nga modeli 3D kur do bëhet aeroport Vlora tamam?

Balluku: Modeli 3D i Kukësit u bë për 24 muaj, kshu që tashmë ne flasim me fakte, nuk flasim më me premtime.

Fevziu: Për sa kohë mendoni ju?

Balluku: Vlora është 36 muaj në kontratë, kështu që unë besoj se në tre vite do të jetë operativ.

4 komente në ““Në 17 qershor nisin fluturimet ndërkombëtare”, disa fakte nga ministrja Balluku mbi aeroportin e Kukësit dhe marrëveshjen që firmoset sot për të Vlorës”

  1. Shqiperia e bukur says:

    Nese nuk siguron fitim paguajne tatimpaguesit koncensionari eshte I sigurt se I merr leket….

    1. ... says:

      I bajne kollaj hesapet me leket e te tjereve.

  2. arjani says:

    Ky FEVZO kok [email protected] per nje ore shkonka ne Vlore dhe nje ore e gjysem ne Kukes, po me cfar shkon me helikopter dhe nqae shkon me makine e ka llogaritur trafikun dhe me sa kilomerta ne ore lejohet sipas regullores apo me qe eshte gazetar hecen me sa te doje se ky plere sa here del jashte me avjon kalon nga VIPI pavarsisht se eshte rryp por per kete ka faj dhe zonja Balluku qe e ka lejuar.

  3. Gjergj Kristo Frashëri says:

    Në se Aeroporti i Vlorës do të jetë më i madh se ai Rinasit, atëherë le të bëhet. Por po qe se është më i vogël, të mos bëhet!

    Dikur pas vitit 1980 (sepse sot nuk dua të jap kohën e saktë, pasi kjo është brenda një teme tjetër …), u bë një mbledhje e madhe në qytetin e Vlorës, ku u paraqit Projekti i Portit të Ri të Vlorës – një projekt ky, që siç u prezantua atëherë, bëhej fjalë për ndërtimin në Gjirin e Vlorës, të Portit më të madh në Mesdhe. Unë u ndodha në këtë mbledhje si anëtar i ftuar i ekipit të trashëgimisë kulturore (asokohe specialist i Institutit të Monumenteve të Kulturës që mbuloja monumentet e rrethit të Vlorës), sepse projekti do të prekte padyshim edhe substancën e pasur historike të objekteve të mbitokës, si edhe ato arkeologjike të nëntokës, mbi hapësirën ku ishte planifikuar ndërtimi i Portit “më të madh të Mesdheut” të asaj kohe. Sot nuk jam në gjendje të verifikoj vërtetësinë e formatit “porti më i madh i Mesdheut” në vitet ’80 të shekullit të kaluar, por asokohe, projektet e qeverive tona ishin për t’u besuar për realizimin e veprave të punës, derisa shokët e mi inxhinierët të bankave të shkollave të viteve ’60–70 ndërtonin hidrocentrale gjigante, përveç veprave të tjera të mëdha tashmë të njohura nga historia.
    Pas prezantimit të projektit që do të realizohej vërtet me “forcat tona”, sepse vendi në atë kohë, përveçse kishte fuqi industriale dhe teknikë për të realizuar të tilla vepra me forcat e veta, kishte edhe shumë fuqi morale kombëtare, filloi diskutimi i hapur i pjesëmarrësve të ftuar në sallën e kësaj mbledhjeje.

    Midis jo pak të ftuarve që ishin në sallë, ishin edhe pesë “lebër me kostum kombëtar dhe qeleshe me majucë mbi krye”, të cilët rrinin në rradhën e dytë të karrigeve (rradha e parë ishte për udhëheqësit nga kreu i Partisë dhe të qeverisë). Kujtoj, se në realitetin e asaj kohe sundonte padyshim një lloj demokracie, e cila e mbajti gjallë entuziazmin në atë sistem, ndryshe ai sistem nuk do të kishte mbijetuar aq gjatë. Ajo lloj demokracie e kohës së Diktaturës ishte e përshtatur (terezitur) sipas nivelit arsimor dhe provincial të shumicës popullore që trashëgonim, nivel që vinte nga e kaluara e tij shekullore jo vetëm analfabete, por edhe të paditur në organizimin dhe përfitimet që sillte jeta kolektive në krahasim me mënyrën e mbyllur individuale të jetesës që vendi ynë trashëgonte prej shekujsh.

    U zgjata shumë, përveçse dola për një çast edhe nga tema. Dikur, pasi u fol dhe diskutua me orë të tëra prej orës 8,oo të mëngjesit deri në ora 12,oo me një pushim ndërmjet, u erdhi rradha të pyeteshin edhe pesë “lebërit” të ulur pas udhëheqjes së Partisë dhe Qeverisë. Siç dihet, asokohe “mendimi i popullit” ishte normë në zbatim të direktivës së PPSH-së. Duhej pyetur, sado formalisht, edhe përfaqësia e popullit (sipas parimit të demokracisë së shumicës popullore, sado që ishte niveli i ulët i tij). Pyetja që iu drejtua atyre ishte konkretisht – se cili ishte mendimi i përfaqësuesve të popullit të Vlorës dhe të krahinave përreth për këtë projekt? E shinin ata në interes të popullit të ndërtohej ky Port Stërmadh i Vlorës, apo nuk e shihnin të tillë, apo kishin ndonjë vërejtje?

    Më i moshuari midis tyre, një burrë shumë i madh në trup dhe me kokë të madhe (sepse aty ku unë qëndroja nga fundi i sallës, shihja vetëm kurrizin e tij), sapo u ftua të fliste dhe mori fjalën, lëshoi pyetjen e papritur me zë të lartë dhe duke kthyer shikimin gjithandej, sikur kërkonte të n’a pyeste të gjithëve me madhështi – “Ky porti i Vlorës sonë që keni ndërmend të ndërtoni, do të jetë më i madh se Porti i Durrësit?”
    Udhëheqësi kryesor i qeverisë së asaj kohe vuri buzën në gaz me mirësi dhe iu përgjigj menjëherë, se Porti i Vlorës do të jetë më i madhi në Mesdhe, çka nënkuptonte se padyshim do të ishte edhe më i madh se ai i Durrësit. Mirëpo popullori simpatik me qeleshe me majuc në krye, nuk u tut nga përgjigja e udhëheqësit të qeverisë, por iu drejtua atij direkt me të njëjtën pyetje edhe një herë, por tashmë me preokupim më të madh, për t’i marrë atij një përgjigje më të sigurtë. “Po pra – i tha udhëheqësi i qeverisë – e thamë që do të jetë më i madhi në Mesdhe, domethënë më i madhi edhe se portet e sotme në Ballkan, pra automatikisht më i madhi edhe se ai i Durrësit”.

    Nuk kam për t’a harruar shkëlqimin e portretit të “Labit me majucë mbi kokë”, i cili pasi e vërtiti fytyrën e stërmadhe të tij 360 gradë mbi sallë, duke n’a parë të gjithëve një nga një në sy, deklaroi me një ton solemn vendosmërie, sikur e kishte ai të drejtën e vendimit dhe sikur i jepte ai paratë nga xhepi i tij për të investuar mbi koston e projektit, fjalë që nuk m’ë hiqen prej më se dyzet vjetësh nga mendja – “E po të jetë kështu (domethënë që Porti i Vlorës do të jetë më i madh se ai i Durrësit), atëherë le të bëhet atëherë!”

    M’ë erdhi për t’a treguar këtë ndodhi, aspak për të ironizuar dukuritë e asaj kohe, sepse pavarësisht nga kjo mënyrë se si atëherë bëheshin mbledhjet, në realitet bëhej punë me llogari dhe me plan përfitimi të qëndrueshëm. Veprat e asaj kohe, të cilat kanë arritur të mos prishen apo të mos shkatërrohen nga barbaria politike, funksionojnë edhe sot për mrekulli. Asnjë vepër industriale dhe e çfarëdo lloji tjetër nuk u shkatërrua në Gjermaninë Lindore pas Tetorit 1989. Kam punuar dhe jetuar atje në atë kohë dhe mund të dëshmoj, se si ato vazhduan të përdoreshin, madje më pas të modernizoheshin hap pas hapi dhe sot janë në pronësi kolektive të ish punëtorëve të dikurshëm së DDR-së, apo pasuesve të tyre. Porti i Vlorës do bëhej vërtet, por nuk arriti të bëhej, sepse me sa di unë zbriti gjatë viteve ’80 në Shqipëri, plani i “dështimit të sistemit socialist të vendeve të Europës Lindore”. Në Republikën e Shqipërisë, çdo vepër e madhe e planifikuar , nuk u ndërtua më në vitet `80, sepse u ndje politikisht, se do të mbaronte në vitet e ardhshme Lufta e Ftohtë dhe se, në Shqipëri, do vinte epoka e privatizimit të asaj, që mbas Luftës së Dytë Botërore ishte shpallur më dhunë dikur – pasuri shtetërore, etj.
    M’ë doli pa dashje për t’a treguar këtë histori, duke dëgjuar nga intervista e mëposhtme, se është planifikuar të ndërtohet një aeroport në Vlorë dhe se ai “do t’a ketë pistën më të gjatë edhe ndaj aeroportit të Rinasit, duke u bërë kështu aeroporti më i madh në Shqipëri … prej të cilit mund të ngrihen fluturime direkte transoqeanike”. Marshallah kur e dëgjon! Sepse kur flet kjo qeveri të tilla broçkulla, m’ë duket vetja, se paskam humbur kohë më se tre dekada, që paskam punuar, mësuar dhe fituar jo pak edhe si sipërmarrës në Perëndim, kur nuk paskam ndenjur këtu në këto tre dekada në Republikën e Shqipërisë, të mësoja dhe të hapja sytë prej këtyre strategëve të dizenjimit (vizionit) perspektiv ekonomik dhe financiar, se ku duhet të investohet dhe të përfitojë populli.

    Kam tetë vjet që jam kthyer në Shqipëri me “urdhër të tim Éti” për të vazhduar amanetet e tij dhe nuk m’ë ofron kush punë. Nuk jam i shqetësuar dhe as i fyer për këtë, sepse vendi ynë nuk ka nevojë për PUNË, ose më saktë nuk ka nevojë për njerëzit që dijnë të sjellin punë në dobi të vendit dhe të vendasve. Ka nevojë për të firmosur Letra – që sjellin mjerimin e bashkatdhetarëve shqiptarë, mjerimin dhe asimilimin tonë. Për këtë po ushtroj kritikë me shpresë, se kjo hordhi grabitje do të ndalet një ditë, për të cilën sot nuk jam më i sigurt. Nuk e kam zbuluar kurrë në Perëndim, që të drejtosh përjetë ministrinë e financave mjafton të kesh diplomë që e njeh gjuhën angleze, apo të bëhesh ministër kulture mjafton të njohësh gjuhën frënge, apo të bëhesh president apo kryeministër, apo kryetar parlamenti mjafton …, etj.

    “Strategët” e qeverisë që n’a udhëheqin sot kujtojnë se po n’a mbushin mendjen, se Aeroporti i Kukësit do të sjellë përfitime ekonomike? Se ai e ka jetën e gjatë, dhe se do të sjellë përfitime në xhepin e portofolit popullor?
    Apo kujtojnë se Aeroporti i Vlorës, i ashtuquajtur transoqeanik , do i sjellë popullit përfitime, i cili, i mjeri, nuk ka çfarë prodhimi të dobishëm të çojë nëpër vendet transoqeanike, që të mund të marrë diçka për të mirën e popullit në kthim?
    Ju lutem udhëheqës të nderuar të qeverisë, n’a tregoni ju lutem të paktën, se ku janë Fitimet aktuale ekonomike të Aeroportit të Rinasit, të cilat i shkojnë popullit, domethënë secilit prej nesh që jetojmë në RSH-në?

    NOC RROKU – thotë populli, fjalë që në të vërtetë nuk e di nga vjen, por e kam mësuar t’a përdor atë qysh fëmijë në Tiranë, për dikë që mundohet për mirë, por nuk jep asgjë për të tjerët, sepse është budalla.

    Faleminderit Noc, që e shtymë edhe një natë duke pirë raki bashkë. Këto projekte n’a duhen të shkruajmë historinë tonë. Por m’ë duhet të të pyes, mos e ke parë gjëkundi kohët e fundit – Çunin e Nastradinit?
    M’boj i telefon, apo m’ço nonji haber, po e takove? Felem-neris Garibo pri teje! T’fala Ijes!

    (Marrë nga faqja ime në Facebook)

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje