Shpëtimi i vetëm për Bashën, të vrasë “babain” politik. Berisha i ka dalë në “shteg” tani

29 Prill 2021, 12:57Politika TEMA

Humbja e dytë radhazi në zgjedhjet parlamentare përballë Edi Ramës e ka vënë në një vështirësi të madhe Lulzim Bashën në PD.

Përballë kërkesave që vijnë nga figura të larta të PD, jo vetëm jashtë strukturave drejtuese të kësaj partie por dhe nga kryesia e Këshilli Kombëtar, për të dhënë dorëheqjen nga drejtimi, Basha ka tentuar t’u përgjigjet përmes një gjysmë-njohje të humbjes por dhe të akuzave ndaj Edi Ramës se ka tjetërsuar votën.

Ndërsa është betuar se do të zbardhë një më një shkeljet që janë bërë nga qeveria gjatë ditës së zgjedhjeve dhe më pas, kreu demokrat po tenton të lozë me miltantizmin e mbështetësve të tij.

Të cilët për hir të së vërtetës kanë qëlluar disa qylaxhinj dhe të pabythë, dhe ata që kanë kurajo të reagojnë fort vetëm ulërijnë pa asnjë argument nëpër studiot televizive, të cilët jo vetëm që nuk vënë ndonjë “tullë” në ngritjen e kredecialeve të rëna të Bashës, por e zhysin akoma më tepër.

Madje janë aq të painformuar me ligjin zgjedhor, mbi atë që ndodh në PD e nuk kanë mundur të sigurojnë ndonjë fakt domethënës për ndërhyrjen e qeverisë tek vota, sa paaftësia e tyre është proverbiale.

Duke i dhënë mundësinë madje dhe ish kryeministrit Sali Berisha për të deklaruar dhe njëherë si katër vite më parë se “Basha ka këshilltarë mizerabël” që vetëm e fryjnë dhe i bëjnë qejfin duke e çuar nga humbja në humbje dhe duke përfituar në kurriz të PD, pa pasur asnjë lloj kontributi.

Duke shtuar këtu dhe reagimin e shpejtë të SHBA përmes Departamentit Amerikan të Shtetit dhe ambasadores në Shqipëri Yuri Kim për njohjen e zgjedhjeve dhe urimin për Edi Ramën si fitues, por dhe vendet kryesore të BE, situata e Bashës përballë kritikëve që kërkojnë dorëheqjen e tij është bërë shumë e vështirë dhe terreni tërësisht i “rrëshqitshëm”.

Ndërkohë që gjithë makineria propagandistike e politikës dhe mediave është drejtuar kundër tij, mjafton të shohësh dhe në rrjetet sociale ku nuk lënë rast po komentuar pafuqinë dhe paaftësinë për të sjellë PD në pushtet, Basha nuk ka se si mos të evidentojë faktin se pas këtyre sulmeve qëndron as më pak e as më shumë por vetë Sali Berisha.

I cili herë hapur duke deklaruar se “kam krijuar standardin tim më 2013 kur dhashë dorëheqjen”, e herë përmes sponsorizimit të kritikëve se me Bashën kryetar të PD, Edi Rama qëndron sa të dojë në pushtet pasi ai nuk ka energjinë dhe nuk ngjall shpresën si Berisha për demokratët, po e minon pak e nga pak Bashën në dëshirën e tij për të qëndruar në poltronin e kryetarit të PD.

Për hir të së vërtetës Sali Berisha është nga faktorët kryesorë që ndihmuan në humbjen e Lulzim Bashës në zgjedhjet e 25 prillit dhe rrënuan besimin e shqiptarëve për t’i dhënë në dorë qeverisjen e vendit.

Ndonëse strategët izraelitë u kujdesën shumë për ta mbajtur në “bodrumin” politik Sali Berishën gjatë gjithë fushatës, të gjithë e dinin se lëvizjet e Lulzim Bashës dirigjoheshin pikërisht nga ky “bodrum”.

Një skenar të tillë e kapi dhe kundërshtari politik Edi Rama, i cili nuk linte rast pa e nxjerrë në “tregun politik” Sali Berishën, teksa e cilësonte Lulzim Bashën një kukull të tij, dhe ua përsëriste shqiptarëve në çdo takim se “vota për Bashën është një votë për rikthimin në pushtet të Sali Berishës dhe njerëzve të tij, paketë dhe me Ilir Metën dhe Monika Kryemadhin”.

Dhe si për ta vertetuar këtë, Basha lejoi dhe krijimin e situatave aspak të përshtatshme për staturën e tij, si ai i krijimit të grupeve paramiltare për mbrojtjen e votës, mbylli sytë derisa i bënë gjëmën, me vrasjen e realizuar në Elbasan të Pjerin Xhuvanit.

Por dhe krijimin e një shtrirje të kësaj strukture në të gjithë vendin, duke terrozuar qytetarët që do votonin më 25 prill, deri sa arriti pikën kulmore në Dibër, kur Xhelal Mziu kërcënoi hapur dhe publikisht qytetarët se do të vritej në vend si në Elbasan çdo i dyshuar që mendohej se po blinte vota.

Krijimi i një klime të tillë terrori, vetëgjyqësie dhe kërcënimi për vrasje politike nga paramiltarë politikë tani që ishte në opozitë, krijoi bindjen tek votuesi shqiptar, se me arrdhjen në pushtet të PD do të jenë pikërisht në dorë të këtyre bandave.

Askush nuk e beson se Lulzim Basha krijon struktura të armatosura për të terrorizuar qytetarët, duke ia atribuar këtë skenar Sali Berishës.

Dhe kishin mjaftueshme fakte për këtë. Mjafton të shohësh se për çdo sherr apo përplasje, i pari në “vendngjarje”, do të ishte ishte Agron Kuliçi ish badigardi i Sali Berishës, dhe ish zv.drejtori i Policisë së Shtetit në tetë vitet e qeverisjes së PD.

Ka shumë akuza ndaj tij, ndonëse nuk ka asgjë të vertetuar nga drejtësia, të gjithë e quajnë “dorën e zgjatur” të Berishës në të gjitha punët e pista në këtë vend.

Qëndrimi i fortë i partnerëve tanë ndërkombëtarë, më evidentë ai i SHBA dhe BE kundër këtyre strukturave paramiltare, gjuhës konfliktuale të fushatës, më shumë se tek Basha ishin të drejtuara për tek Berisha dhe Ilir Meta. Të cilët kanë qënë, janë dhe do të jenë radikalë.

Halli i tyre i fortë me drejtësinë i detyron të përdorin të gjitha mjetet për të shpëtuar, e mbijetesën e kanë pasur, e kanë dhe do ta kenë gjithnjë vetëm tek politika konfliktuale.

Jo pa qëllim partnerët ndërkombëtarë, përmes takimeve dhe mesazheve të tyre gjatë fushatës së zgjedhjeve dhe ditën e votimit, ishin të drejtuara ndaj këtyre elementëve radikalë të opozitës, Berishës dhe Metës, duke lënë jashtë “rrezes” së goditjes Bashën.

Ambasadorët kanë injoruar Berishën gjatë këtyre viteve, sidomos me afrimin e zgjedhjeve, duke ia drejtuar mesazhet për opozitën vetëm Bashës, për të treguar se njohin atë si kryetar i PD.

Por Basha, me lojën e tij në “mes”, as duke mos ua prishur ndërkombëtarëve dhe duke arritur deri atje sa të thotë se “s’kam çfarë i bëj Berishës”, dhe në anën tjetër qëndrimi si nxënësi para mësuesit para Berishës, tregoi mungesë të theksuar fuqie për të qeverisur opozitën.

Madje i dha shansin dhe Edi Ramës që të deklaronte se “Bashën doktori e shkarkon me një postin në facebook”, çka e lë Bashën zbuluar përballë kritikëve të tij. Të cilët, me stil, duke mbrojtur Berishën, madje dhe duke thënë se “duhet të rikthehet në krye të PD” si në rastin e një nate më parë kur ish presidenti Nishani e bëri hapur këtë thirrje, po i rrezikojnë seriozisht postin e kryetarit të PD.

Ndërkohë mundohen të krijojnë alibinë se vetëm mbështetja e Berishës e mban në atë karrige.

Atëherë cili është shpëtimi i Lulzim Bashës për t’i dhënë fund zvarritjes përpara Berishës për të mbajtur postin e kryetarit të PD, të rrezikuar shumë pas humbjes së 4 të radhës, duke përfshirë dhe dy palë zgjedhje vendore?!

Lulzim Basha duhet të bëjë atë që nuk bëri në tetë vitet e tij në krye të PD: Të vrasë “babain” e tij politik Sali Berisha.

“Litari” i Berishës i lënë jashtë, dominimi i militantëve dhe i strukturave dhe për pasojë vendimmarrjes në PD, ka qënë pengesë për Bashën që të jetë lideri real i PD.

Atë që nuk arriti ta bëjë në vitin 2013 për ta lënë jashtë vendimmarrjes së PD, në vitin 2017 dhe 2021 për ta lënë jashtë listave të kandidatëve të PD, duhet ta bëjë tani: Ta refuzojë mbështetjen e tij.

Nëse nuk jep dorëheqjen, vendimi i parë që duhet të marrë është lënia jashtë kryesisë dhe të mos diktohet nga urdhërat e Berishës apo mesazhet detyruese nga postimet në rrjetet sociale.

Tani i ka dalë në “shteg” pasi është “delja e zezë” për shqiptarët me dy pare mend në kokë, për ndërkombëtarët që duan që dhe PD të ndahet nga e shkuara dhe për vetë PD që ndjehet nën presionin e tij.

Nuk është se do të jetë Basha i pari që do të vrasë “babain” politik. E kanë bërë dhe të tjerë në Shqipëri.

Më mirë një fund i tmerrshëm për Bashën, se sa një tmerr pa fund nën presionin e Sali Berishës, i cili është vërtetë në hall me drejtësinë dhe kërkon mburojë politike.

Basha s’ka asgjë për të humbur në këtë rast, vetëm kjo i ka mbetur pa provuar për të dominuar PD dhe për ta riorganizuar dhe sjellë në pushtet. Ndryshe do qëndrojë me zvarritje tërë kohën në opozitë.

Ka dhe një rrugë të lehtë, dorëheqja dhe ikja vetë nga politikë, dhe ti kushtohet shijimit të pasurisë së krijuar në Shqipëri dhe në Holandë. Të presim si do reagojë këtë herë!(M.Nikaj-TemA)

6 komente në “Shpëtimi i vetëm për Bashën, të vrasë “babain” politik. Berisha i ka dalë në “shteg” tani”

  1. K says:

    Artikulli eshte kot po kot ama! Saliu kot nuk e vuri Bashen ne ate vend! Basha nuk mund te “vrase” Saliun. Vuan nga Sindroma e Stokholmit! Vetem ta provoje dhe do te shohim se cfare jete mizerabel do te kete i ziu “gel flokesh”! Mos i kerkoni Lulzimes kete gje ju lutem!

  2. Katundari digital says:

    Saliu eshte Partia dhe partia eshte Saliu. Basha eshte nje emer me 5 shkronja.

  3. Ladi says:

    I keni pa tropojanet ke oborri i shqupit?
    Fillojne nga porta jasht rrethimit deri mrena godines – nga do kaloje i ziu dhender Basha per te hyre e per te dale nese i kthen shpinen Berishes ?!?!
    PD eshte pa shprese…
    PD eshte parti e kapur …
    PD vetem do te degradoje ne keto vite…

  4. asd says:

    Problemi eshte se ka dite, por …ka edhe nate. Si mund te guxoje Basha te marre placken qe ia kane dhuruar me kusht? Pas dites vjen nata… dhe Berisha eshte zot i nates, dhe Basha nuk gdhihet dot !

  5. aleko says:

    Shkurt per disa qe flasin si kodra pas bregut..Nese sic dyshohet , por mbeshtetur edhe ne disa fakte, Saiu eshte i lidhur me sherbimin e fshehte serb apo grek, ahere eshte afer mendshe qe zevendsi i tij varet nga keto sherbime.Prandaj as qe behet fjale qe Basha te refuxoje Berishen..Berisha i ka kopsitur gjerat , ka dosje edhe per Bashen..kot lodheni me keshilla..

  6. Timi says:

    Ky gazetar duket qe jeton ne Hene! Basha eshte nje derdimen qe eshte vene aty nga krimineli Berisha vetem e vetem qe t’i sherbeje atij dhe familjes se tij kriminele. Si nuk eshte ad lider e as politikan rshte thjesht nje sherbetor. Ndryshimet i bejne politikanet dhe liderat e vertete jo zorret si Basha. Basha ka ardhur aty ne telekomande dhe si qen do te perdoret nga familja kriminele Berisha…

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje