Kjo e ka mbrojtur vendin nga goditjet, por po pengon rritjen
Në Perm, qytet industrial në buzë të Siberisë Perëndimore, me 1 milion banorë, klientët mbushën restorantin Toropomodoro, i njohur për picat. “Numri i klientëve arriti nivelet e para pandemisë në qershor dhe nuk ka ndryshuar që atëherë”, thotë pronari i restorantit, Maxim Minin. Ekonomia e Rusisë u tkurr me vetëm 3% vitin e kaluar, një rezultat më i mirë se në shumë vende, shkruan The Economist.
Kjo ndodhi pjesërisht sepse qeveria nuk vendosi sërish një karantinë kombëtare, pas një vale të dytë Covid-19 në vjeshtë. (Shkalla e vdekshmërisë shtesë në Rusi – 313 për 100,000 njerëz, shumë më e madhe se ajo e Amerikës – tregon se numri i të vdekurve ishte jashtëzakonisht i lartë.) Por kjo ndodhi edhe sepse ekonomia ruse ka qenë e izoluar për një kohë të gjatë.
Që nga viti 2014, kur Rusia aneksoi Krimenë dhe pushtoi Ukrainën Lindore, Kremlini e ka komanduar ekonominë si një kështjellë nën rrethim, duke krijuar rezerva, duke u shkëputur nga ekonomia botërore dhe duke u përgatitur për ndikimin e mundshëm të sanksioneve perëndimore, ose luhatjeve të çmimeve të naftës. Kjo fortesë është efektive në mbrojtjen nga goditjet e jashtme.
Por brenda mureve të saj, kështjella pengon progresin dhe rritjen, gjë që ka ushqyer lëvizjen opozitare të Alexei Navalny dhe protestat kundër Vladimir Putin, presidentit të Rusisë. “Qëllimi është stabiliteti, jo zhvillimi, ose më konkretisht, kontrolli”, thotë Natalia Zubarevich, ekonomiste dhe gjeografe. “Ata nuk e lënë ekonominë të vdesë, por në këtë sistem, zhvillimi është i pamundur”.
Themelet e kështjellës janë rezerva të larta dhe borxhe të ulëta. Për Putin, dështimet e qeverisë ruse në vitin 1998 ishin një traumë nga e cila duhej të nxirrej mësim. Kur u bë president pak më shumë se një vit më vonë, ai vendosi të rrisë rezervat e vendit. Kur kriza financiare globale uli çmimet e naftës në mes të vitit 2008, Rusia kishte në dispozicion 570 miliardë dollarë, e barabartë me gati një të tretën e PBB-së.
Kjo ishte e dobishme. Qeveria shpenzoi 220 miliardë dollarë për rifinancimin e bankave dhe mbrojtjen e rublës ruse. Por pas krizës, ajo vazhdoi të shpenzojë për Forcat e Armatosura, pagat e sektorit publik dhe pensionet. Firmat vijuan me huazimet e mëdha. Kur Perëndimi goditi Rusinë me sanksione dhe çmimi i naftës u ul në vitin 2014, ekonomia doli jashtë kontrollit.
Që atëherë, Rusia ka rindërtuar dhe ristrukturuar rezervat e saj. Në fund të vitit 2020, ajo kishte 183 miliardë dollarë në Fondin e Mirëqenies Kombëtare (NWF), i cili është krijuar për t’u shfrytëzuar për periudha të vështira. Rezervat e përgjithshme ndërkombëtare të Rusisë arrinin në 596 miliardë dollarë, ekuivalente me gati dy vjet importe. Për t’u mbrojtur nga sanksionet, Banka Qendrore gjithashtu ka zhvendosur zotërimet e saj nga bankat amerikane dhe nga dollarët amerikanë: pjesa e rezervave të saj ndërkombëtare të mbajtura në territorin amerikan ra nga 30% në vitin 2013, në vetëm 7% tani. Ajo ka më shumë rezerva të përgjithshme në ar (24%) sesa në dollarë (22%) (shih grafikun 1).
Si sektori i korporatave, ashtu edhe shteti, i kanë shlyer borxhet e tyre. Të shtrënguara nga sanksionet, firmat ruse kanë hequr dorë nga sa më shumë angazhime të huaja: që nga viti 2014, kompanitë jofinanciare kanë zvogëluar sasinë e borxhit ndaj kreditorëve të huaj me 25%. Bankat e ulën borxhin me 65%. Qeveria shënoi një tepricë buxheti në vitin 2018 dhe 2019. Edhe pas disa shpenzimeve të deficitit gjatë pandemisë, borxhi është i barabartë me rreth 20% të PBB-së; vetëm një e pesta e tij mbahet nga të huajt.
Sanksionet e reja amerikane që ndalojnë institucionet financiare të blejnë bono të reja ruse u kalibruan për të kufizuar ndikimin e tyre; por edhe një ndalim më i gjerë i tregut sekondar mund të çojë thjesht në mbajtjen e më shumë borxheve në vend. Bankat ruse blejnë shumicën e bonove të reja: gjatë emetimit të bonove më të fundit në fillim të këtij muaji, VTB Bank në pronësi shtetërore, mblodhi rreth 70% të ofertave.
Rusia gjithashtu ka ulur varësinë nga faturimi i dollarit. Pjesa e eksporteve të trajtuara në dollarë ka rënë nga 80% në vitin 2013, në më pak se 60% vitin e kaluar (shih grafikun 2). Më pak se gjysma e tregtisë së Rusisë me Kinën kryhet në dollarë. Në tregtinë me BE-në, euro pothuajse e ka kapërcyer dollarin.
Kremlini dëshiron edhe shkëputje në sferën kibernetike. Një ligj i miratuar në vitin 2019 i jep qeverisë aftësinë për të prerë internetin rus nga pjesa tjetër e botës. Ai ndjek ligjet e mëparshme të lokalizimit të të dhënave të krijuara për të detyruar kompanitë e huaja të ruajnë të dhënat e përdoruesve rusë në Rusi. Firmat ruse të teknologjisë tashmë konkurrojnë me gjigantët perëndimorë në shumë sektorë. Yandex rivalizon me Google në tregun rus të kërkimit. Dy ndërmarrje ruse, Wildberry dhe Ozon, qëndrojnë në majë të tregut të tregtisë elektronike, ku Amazon nuk operon.
Megjithatë, Rusia nuk ka as gjerësinë e teknologjive të prodhuara në vend dhe as aftësitë teknike në nivel shtetëror për të ngritur një firewall të stilit kinez. Megjithëse Kremlini shqetësohet për shtrirjen e rrjeteve sociale të huaja, si YouTube, ku transmeton video edhe zoti Navalny, audienca e gjerë dhe mungesa e alternativave lokale e bëjnë ndalimin e tyre të papëlqyeshëm. Pas një përpjekjeje qeveritare për të bllokuar aplikacionin e mesazheve Telegram në vitin 2018, themeluesi rus i firmës, Pavel Durov, mashtroi rregullatorët rusë duke grumbulluar miliona përdorues të rinj.
Këtë vit, një përpjekje për të ngadalësuar Twitter duke përdorur mjete të reja filtrimi, u ndoq nga bllokimi i vetë faqes zyrtare të Kremlinit. Pavarësisht udhëzimeve për të hequr dorë nga softuerët e huaj të pamiratuar, në vitin 2019, dhoma e auditimit të qeverisë zbuloi se 96% e institucioneve shtetërore ende i përdorin ato. Largimi nga teknologjia perëndimore shpesh ka nënkuptuar përdorimin e më shumë mjeteve kineze, një perspektivë më pak e urryer për Kremlinin sesa varësia nga Amerika, por gjithsesi mjaft e pakëndshme.
Ekonomia ruse mbetet e varur nga hidrokarburet. Pavarësisht premtimeve gjatë viteve, nuk ka ndodhur asnjë diversifikim domethënës. Hidrokarburet ende përbëjnë më shumë se 60% të eksporteve dhe rreth 40% të të ardhurave të qeverisë. Megjithëse Kina ka blerë më shumë naftë dhe gaz rus në vitet e fundit, BE mbetet konsumatori më i madh i Rusisë dhe Rusia furnizuesi më i madh i BE-së, duke përbërë 30% të importeve të naftës bruto të bllokut dhe 40% të gazit të tij natyror. Kjo do të thotë se çdo embargo ndaj eksporteve ruse të energjisë do të ishte mjaft e papëlqyer për Perëndimin.
Kështjella pa të ardhme
Sado e qëndrueshme që është kështjella fiskale e Rusisë, ruajtja e saj nënkupton se duhet të vihen kufizime të mëdha në shpenzime. Masat stimuluese të Rusisë ndaj Covid-19 arritën në vetëm 4% të PBB-së, sipas Bankës Botërore. Sipas Putin, pandemia nuk është periudha e vështirë për të cilën është parashikuar ndihma e NWF: në fakt fondi u rrit në vitin 2020. Stimuli i kufizuar për pandeminë u financua nga huamarrja.
Shumica e stimulit erdhi nëpërmjet lehtësimeve tatimore dhe garancive të huasë, dhe jo mbështetjes së drejtpërdrejtë për firmat e vogla dhe të mesme ose familjet. Siç thotë Tatiana Maksimenko, drejtoreshë e një qendre për fëmijë në Perm, “për qeverinë, nuk kam shumë vlerë. Biznesi im është i vogël dhe taksat e mia në buxhet nuk janë të mëdha”.
Të ardhurat reale ranë me 3.5% në vitin 2020, duke bërë që të ardhurat mesatare ruse të ishin 10% më të ulëta se në vitin 2013. Një studim tregoi se pas një karantine 6-javore në fillim të pandemisë, gati gjysma e familjeve nuk kishin kursime ose kishin para vetëm sa për të mbuluar një muaj shpenzime. Çmimet e ushqimeve janë rritur me 7.7% që nga shkurti i vitit 2020. Kostoja e produkteve themelore si vaji i lulediellit dhe sheqeri është rritur përkatësisht me 27% dhe 48%. Disa nga bizneset me më shumë klientë në Rusi këto ditë janë shitësit e mallrave me ulje, si Svetofor, zinxhir siberian shitjeje që nuk i ekspozon produktet nëpër rafte, por në kuti kartoni në dysheme.
E ardhmja nuk duket optimiste. Rusia do të hasë vështirësi ndërkohë që bota largohet nga karburantet fosile. Nuk janë bërë përpjekje për t’u përgatitur për një të ardhme më të gjelbër. Energjia e rinovueshme aktualisht përbën më pak se 1% të gjenerimit të energjisë në Rusi. Investimet në energji të pastër midis viteve 2014 dhe 2019 arritën në vetëm 5 miliardë dollarë, sa një e gjashta e Brazilit për të njëjtën periudhë dhe një e dhjeta e Indisë, sipas Bloombergnef. Disa ekonomistë janë të alarmuar. “Qiratë që kemi gëzuar për 20 vitet e fundit nuk do të kthehen më kurrë”, shkroi vitin e kaluar ish-ministri i Financave, Aleksei Kudrin. “Kjo është një sfidë e madhe për të gjithë politikën ekonomike”.
Paratë nga nafta nuk kanë gjeneruar më rritje prej kohësh. Në periudhën 2000-‘08, falë një bumi nafte, Rusia u rrit me 6.6% në vit; në vitet 2012-‘19, rritja e PBB-së ishte mesatarisht vetëm 1%. Me këtë ritëm, Rusia mbetej mbrapa jo vetëm në krahasim me vendet e tjera me një nivel të ngjashëm zhvillimi, por edhe me vendet e pasura, të cilat priren që të kenë një rritje më të ngadaltë ekonomike. Rritja është sa gjysma e normës së arritur nga Bashkimi Sovjetik nga viti 1977 në 1985, që ishte pjesa e fundit e epokës së njohur si “Ngecja”.
Në fund të viteve 1980, Mikhail Gorbachev u përpoq të rigjallëronte një ekonomi të dobët, duke nisur reforma që ndihmuan pas kolapsit të regjimit sovjetik. Putin është i vendosur të mos e ndjekë këtë shembull. Nxitja e rritjes do të kërkonte fillimin e reformave që do të sfidonin kontrollin e tij në politikën e Rusisë. Megjithatë, pa ndryshime strukturore, FMN-ja llogarit se rritja e Rusisë në vitet e ardhshme do të mbetet nën 2%.
Nëse Kremlini shpresonte se stanjacioni do të thoshte stabilitet social, pakënaqësia në rritje po dëshmon të kundërtën. Sipas grupit të pavarur të sondazheve Levada Center, numri i njerëzve që parashikojnë protesta ekonomike në Rusi është rritur nga 26% një vit më parë, në 43%. Sipas Artyom, një tregtar 30-vjeçar aksionesh, i cili protestoi në Perm pas arrestimit të zotit Navalny në janar, protestat nuk kishin të bënin vetëm me “paligjshmërinë” në mënyrën e trajtimit të një kritiku nga ana e Kremlinit.
Zhgënjimi kishte arsye të tjera: “paaftësia për të siguruar perspektiva për të ardhmen dhe për të përmirësuar cilësinë e jetës së njerëzve”. Një fetë pica në Toropomodoro nuk mund të zëvendësojë mungesën e një vizioni për të ardhmen në Rusi./ Përktheu: Lira Muça