Dossier/ 28 korrik 1993, si sot 33 vite më parë, dita kur Bundestagu gjerman hyri në Kuvendin shqiptar

28 Korrik 2026, 18:10Dossier TEMA
Dossier/ 28 korrik 1993, si sot 33 vite më parë, dita kur Bundestagu

Ka disa seanca parlamentare që shkojnë përtej ligjeve dhe debateve politike të ditës. Ato mbeten si fotografi të një epoke që ndryshonte drejtim. E tillë është edhe seanca e 28 korrikut 1993, si sot 33 vite më parë, kur foltorja e Kuvendit të Shqipërisë priti Presidenten e Bundestagut gjerman, Rita Süssmuth. Ishte vizita e personalitetit më të lartë që kishte hyrë deri atëherë në parlamentin pluralist shqiptar. Në fjalën e tij, Kryetari i Kuvendit, Pjetër Arbnori, e përshkroi me pak fjali gjithë paradoksin e regjimit komunist: "Ishte një kohë kur ekzistentja quhej inekzistente, kur e vërteta quhej gënjeshtër, kur miku quhej armik." Ishte një përkufizim i shkurtër i një sistemi që për dekada kishte prerë çdo urë me Perëndimin, kishte izoluar shqiptarët dhe kishte shndërruar Gjermaninë demokratike në një botë të ndaluar. Ndërsa vetëm pak vite më vonë, në të njëjtën sallë, përfaqësuesja e Bundestagut fliste për lirinë, shtetin e së drejtës, pajtimin me të shkuarën dhe vendin e Shqipërisë në familjen evropiane.
Fjalimi i Rita Süssmuth mbetet po aq domethënës. Ajo kujtoi se në vitin 1989 askush nuk do ta besonte se vetëm katër vjet më vonë do të fliste në një parlament pluralist shqiptar. Vlerësoi rrëzimin paqësor të diktaturës, por njëkohësisht paralajmëroi se demokracia nuk është një parajsë që ndërtohet brenda natës. "Nuk ka pajtim pa të vërtetën, por pa pajtim nuk ka të ardhme", u shpreh ajo, duke lënë një mesazh që tingëllon aktual edhe sot. Ky dosier rikthen një nga seancat më simbolike të viteve të para të pluralizmit. Një ditë kur Kuvendi shqiptar u kthye në skenën ku Shqipëria deklaronte publikisht se e kishte lënë pas izolimin dhe po trokiste në dyert e Evropës. Ishte fillimi i një rruge që premtonte integrim, demokraci dhe shtet të së drejtës; një rrugë që, më shumë se tri dekada më vonë, mbetet ende e papërfunduar.


Pjetër Arbnori – E nderuar, zonja Sismuth, 
  Sot kemi mes nesh mysafiren më të lartë që ka pasur Parlamenti ynë, zonjën Rita Sismuth, Presidente e Bundestagut Gjerman. Fitorja e demokracisë mbi diktaturën, përveç të tjerash rriti dhe frymëmarrjen e Shqipërisë, duke zgjeruar kontaktet me botën e ndaluar, e cila nuk lejohej të shikohej, të dëgjohej dhe të prekej.  Ishte një kohë kur ekzistentja quhej inekzistente, kur e vërteta quhej e gënjeshtër, kur miku quhej armik. Kjo periudhë zgjati mjaft, qe e rëndë, por pati dhe fundin që meritonte. Qenë gjermanët të parët që u përpoqën të çelnin shtegun e marrëdhënieve, por diktatorët tanë e penguan, sepse lëvizja e lirë e njerëzve, e mendimeve dhe e ideve ishte e pakonceptueshme për ta. 
  Sot Presidentja e Bundestagut të Gjermanisë së Bashkuar u gjet në Parlamentin Shqiptar si dëshmi e një kthese të madhe që ka ndodhur në vendin tonë, ku shteti i së drejtës dhe ekonomia e tregut ecin krah për krah, me gjithë pengesat serioze që kanë. 
  Ne falënderojmë Gjermaninë dhe demokracitë e mëdha të Evropës dhe botës për luftën e paepur që bëjnë për të ngjallur kudo frymën e Helsinkit. Atë që solli shembjen e murit të Berlinit dhe të gjitha mureve të tjera dhe gardheve e telave me gjemba, por nuk harrojmë kurrë se shqiptarët asnjëherë nuk janë pajtuar me diktaturën dhe u ngritën vetë kundër saj, derisa e shembën. Edhe sot Gjermania vazhdon misionin e saj fisnik. Ajo na ka ndihmuar që nga fillimi i proceseve demokratike politikisht dhe ekonomikisht, duke vërtetuar atë simpati që kemi pasur për shoqi-shoqin dhe që nuk kanë arritur ta shuajnë as dy periudhat e errëta që kanë kaluar popujt tanë. Duke parë se Lëvizja Demokratike në Shqipëri dhe Lëvizja Demokratike në Kosovë kanë qenë paqësore pa dhunë, pa gjak, Gjermania ka qenë gjithmonë pranë nesh dhe përkrah disa miliona shqiptarëve që jetojnë në trojet e veta në mbeturinat e Jugosllavisë. Mbështetja e saj është shumë e çmueshme dhe ne do t'i jemi mirënjohës gjithmonë. 
  Gjermania është modeli i një vendi që nëpërmjet rrugës demokratike, paqësore, këmbëngulëse, në kuadrin ndërkombëtar dhe mbarëkombëtar arriti të zhvillohet, të bashkohet dhe të zërë vendin që meriton edhe në rangun botëror. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese dhe pastaj i Bundestagut Gjerman, lidhur me pjesëmarrjen e Gjermanisë me misionet paqeruajtëse është prova më e mirë e rolit gjithnjë në rritje të Gjermanisë në çështjen e paqes dhe të demokracisë në botë. Bundestagu i Gjermanisë, i drejtuar me urtësi, qetësi, maturi e kompetencë nga zonja Rita Sismuth, ka qenë gjithnjë shumë dashamirës ndaj Shqipërisë dhe Parlamentit tonë. Mund t'ju them një karakteristikë: Në të gjitha takimet dhe bisedimet që kemi bërë, unë nuk kam arritur të dalloj asnjëherë se cili deputet ishte i opozitës dhe cili i pozitës. Që të gjithë ishin të një qëndrimi ndaj Shqipërisë dhe çështjes shqiptare. Kuptohet që roli i zonjës Rita Sismuth është parësor. Për mysafirët e mëdhenj nuk është e nevojshme biografia. 
  Së pari, atë e njohim si pedagoge e shkëlqyer, si aktiviste e grave katolike, si anëtare e shquar e CDU-së.  Së dyti, është mike e Shqipërisë, përkrahëse e paqes dhe e demokracisë dhe e të drejtave njerëzore e ndërkombëtare të dy milionë shqiptarëve që jetojnë në trojet e veta në Kosovë. 

Rita Sismuth 
Është një ditë e veçantë, sepse është rasti i parë që unë, duke udhëtuar në një vend tjetër, kam marrë një ftesë që të flas për herë të parë përpara një parlamenti tjetër. Ju mund ta imagjinoni se çfarë ndiej unë në këtë moment. 
  Në qoftë se në maj të vitit 1989 do të më kishit thënë që ju pas katër vjetësh do të flisni në një Parlament Shqiptar të zgjedhur në mënyrë pluraliste dhe demokratike, unë atëherë nuk do ta kisha besuar. Vërtet ne kemi luftuar vite të tëra për përmbysjen e diktaturës dhe për lulëzimin e demokracisë, por asnjëherë nuk kishim besuar që kjo ditë do të vinte shpejt, në vitin 1989. Puna jonë e përditshme, gjithë lëvizja, tempi i të gjithë aktivitetit që është bërë, na ka dhënë mundësi për të parë çfarë aktiviteti kanë zhvilluar njerëzit dhe çfarë qëllimesh objektive i kishin vënë ata vetes për të arritur në këtë cak. Unë dëshiroj sot që të vlerësoj në mënyrë të veçantë meritat e vendit tuaj, meritat e njerëzve të këtij vendi në këtë situatë. Sigurisht që kjo luftë për demokraci dhe për të kthyer përsëri dhe në vendin e saj të merituar në Evropë është një luftë e rëndësishme me konsekuenca, por edhe me merita të mëdha. 
Unë u gëzova që një pjesë e delegacionit tim pati mundësinë të njohë këtë një vend, Muzeun e Skënderbeut në Krujë, ku mund të njihesh me historinë, me betejat madhështore që ai kishte zhvilluar në kohën e tij. Kur ishim në një mbledhje të fundit të KSBE-së në Vjenë, diskutuam me Kryetarin, Presidentin e Parlamentit Austriak se kur do të vijnë dokumentet, shpata dhe përkrenarja origjinale të Skënderbeut e të kthehet në Shqipëri.  (Duartrokitje. )
  Dje kam qenë bashkë me Kryetarin e Parlamentit tuaj në Veri të Shqipërisë. Unë jam shumë mirënjohëse që na u dha mundësia, jo vetëm për të zhvilluar bisedime dhe takime politike këtu në Tiranë, por edhe për të njohur situatën jashtë vendit në një zonë në Veri, e cila vazhdon të jetë akoma një ndër zonat më të varfra, ku patëm mundësi që të kemi kontakte më direkte me njerëzit. 
  Dy janë përshtypjet që dëshiroj t'jua transmetoj dhe juve si parlamentarë:
Ajo ç'ka mund të realizojë demokracia është dhe organizimi i takimeve spontane të politikanëve me zgjedhësit e tyre. Ata flisnin hapur, kritikonin, por edhe lavdëronin, kur ishin bërë arritje, kur flisnin për hallet e tyre dhe kishin besim tek të zgjedhurit e tyre, deputetët dhe deputetet, ndoshta në të ardhmen duhet të ketë më tepër gra. Prandaj, besoj se është diçka e veçantë për mua, si një përfaqësuese e palës gjermane që mund të kem një angazhim më të madh në këtë zonë të Veriut. Janë dy projekte, të cilat janë prioritare, është shërbimi mjekësor që duhet zhvilluar, se është dhe prioritar, por dhe furnizimi me ujë të pijshëm. Sigurisht, që uji ishte i pijshëm, sepse në ujëra ju jeni të pasur, por ato duhen shpërndarë në një mënyrë të drejtë. 
  Unë kujtoj marrëdhëniet shumë shekullore të mira midis Gjermanisë dhe Shqipërisë, duke shmangur këtu periudhën të nacional-socializmit dhe të Luftës së Dytë. Por, fatmirësisht kjo fazë ka kaluar tani dhe natyrisht me përvojën dhe kujtimet e mira dhe të këqija, nga këto duhet të nxjerrim mësime për të ardhmen dhe si popuj të lirë duhet të krijojmë marrëdhënie të mira me njeri-tjetrin dhe të jemi të interesuar edhe për mirëqenien e të tjerëve. 
  Ju vetë keni flakur dhe keni hedhur poshtë diktaturën dhe regjimin e vjetër. Sigurisht, pamjet nga kjo situatë u shpërndanë nëpër botë. Edhe në Gjermani ato lanë emocione tek ata që i shikonin. Mua më kujtohet tamam rasti kur njerëzit, shqiptarët pushtuan ambasadat, rezistenca e tyre, por edhe e ambasadave që luftonin për një liri. Por ju e dini, edhe ne gjithashtu, se revolucionet pa gjak kanë problemet e tyre. Këtë ne e kemi përjetuar në vendin tonë, dhe natyrisht, pavarësisht nga problemet e sotme dhe detyrat që kemi për të ardhmen, nuk duhet harruar kollaj e kaluara. Nuk ka pajtim pa të drejtë, pa qartësuar të vërtetën. Por pa pajtim nuk mund të ketë të ardhme. Më lejoni të përmend se çfarë mund të mësojmë nga e shkuara dhe çfarë është e rëndësishme për të sotmen e për të ardhmen. Sigurisht, që është shumë shpresëdhënës fakti që liria nuk mund të shtypet përgjithnjë, por kjo liri gjithmonë do ta gjejë rrugën, do ta hedhë tej shtypjen dha do të hapë rrugën për të ardhmen e saj. 
Sigurisht që diktaturat cenojnë jashtëzakonisht thellë dinjitetin e njerëzve dhe nuk është se keqpërdorin vetëm të drejtat elementare të njerëzve dhe të qytetarëve, por në të njëjtën kohë ato nuk të bindin për sa i përket asaj që ne e quajmë mirëqenie sociale dhe perspektive. Nuk ka popull që për një kohë të gjatë e të vazhdueshme të mund të zhvillohet, duke qenë i izoluar nga të tjerët. Prandaj, është dhe një nga elementët bazë të demokracisë që të ketë një informacion të lirë, të lëvizë i lirshëm, të kenë mundësinë e bashkimit e të mbledhjeve, sipas rregullave që cakton demokracia. Sigurisht, që këtu për këtë janë të rëndësishme, e drejta, shteti i së drejtës në vend të arbitraritetit, ndarja e pushteteve, por në të njëjtën kohë pjesë përbërëse e saj është dhe shpalosja e ideve dhe energjive të njerëzve. Angazhimet dhe detyrimet karshi mirëqenies së individit, por edhe të popullit në përgjithësi, drejtësi kulturore, sociale dhe ekonomike. 
Rruga për në demokraci nuk është rrugë e lehtë dhe, në qoftë se ka njerëz, të cilët shikojnë ëndrra, duke menduar se demokracia është parajsa në tokë, ata gabohen. Por megjithatë, me gjithë vështirësitë që ka, ajo është forma e qeverisjes më e mirë që ruan më mirë dinjitetin e njerëzve, sepse ajo u jep mundësi njerëzve, krijon mundësi për lëvizjen e njerëzve dhe respekton ata, sepse ajo na bën që të jemi përgjegjës për njeri- tjetrin dhe midis njeri-tjetrit. Mendoj se kjo është rruga më e drejtë dhe më e sigurt, kur vjen fjala për rregullimin e konflikteve, për të hapur rrugën e paqes, për garantimin e saj dhe të stabilitetit. Kur ra perdja e hekurt, kur ne kishim shpresa se i kapërcyem të gjitha ideologjitë, fillimisht ne besonim në mënyrë euforike se do të kishte një kohë, ku ne do të bënim një zhvillim të qetë dhe pa shqetësime, se do të kishte një kohë ku paqja do të ishte më e gjatë, duke menduar se të gjitha forcat tona mund t'i përdornim për një zhvillim sa më të fortë ekonomik. Por sapo na dolën dy nga këto sfida të kësaj kohe, njëra ishte të ndërtonim demokracinë dhe ta forconim atë, të zhvillonim ekonominë sociale të tregut dhe në të njëjtën kohë të mund të shmangnim vatrat e konflikteve të nacionalizmit, të racizmit e të fundamentalizmit, pra që të ndesheshim me to. Dhe shpesh konfliktet e nacionaliteteve janë të lidhura ngushtë me konfliktet ideologjike dhe konfliktet nacionale. 
  Pikërisht këtu Shqipëria ka një rol të rëndësishëm. Kjo ka të bëjë me ndërtimin e demokracisë, me respektimin e të drejtave të njerëzve, të pakicave në vendin e vet. Por kjo ka të bëjë dhe me pakicat e popullit të vet jashtë territorit të vendit të vet. Për ne sidomos sfida më e madhe është lufta që bëhet midis shteteve, të cilët janë tashmë si shtete më vete në arenën ndërkombëtare. Dhe në këtë rast për ne vlejnë parimet, të cilat janë vendosur në Kartën e Parisit, në Kartën e OKB-së dhe në atë të Dokumenteve të Helsinkit, të cilat jo vetëm që njohin popullin e lirë, por ne duhet të luftojmë të punojmë në këtë aspekt. 
  Në qoftë se në ish-Jugosllavi do të arrijë që të zhvendosen kufijtë përsëri me dhunë, që të krijoheshin zona etnike, homogjene, duke përdorur dhunën, duke përdorur zhvendosjen e tyre, në qoftë se në vend të vetëvendosjes të ketë diktat dhe detyrimet, atëherë popujt e lirë humbasin kështu dinjitetin dhe respektin e tyre. Shembulli i Jugosllavisë ishte shembulli më tipik, për sa i përket asaj kur diskriminohen popujt e tjerë. Prandaj, ka një rrugë të vetme, një mundësi të vetme që të gjithë duhet të jemi njësh për të arritur këto objektiva. Fjala është që ne të kontribuojmë për realizimin e së drejtës që të fitojë mbi padrejtësinë. 
  E them këtë për të vetmen arsye, sepse tani kanë lindur nacionalizma të reja, të cilët ne i shohim si një rrezik serioz në Evropë, në Evropën Juglindore dhe Jugore, por edhe deri larg në Azinë Qendrore. Gjatë kësaj jave ne jemi në një fazë krejt decizive të konfliktit në ish-Jugosllavi. Duhet të merret një vendim i prerë dhe i shpejtë se kush do të gjykojë. Dhe unë dua të theksoj, me këtë rast se pikënisje e këtij konflikti ka qenë dhe ka nisur pikërisht në Kosovë. Dua të theksoj se ne kemi përjetuar raste ku ka pasur një mungesë të theksuar të masave mbrojtëse preventive që të mund të pengonim konfliktin dhe të mos lejojmë atë të kalojë më tej. 
  Kjo është e rëndësishme edhe për vendin tuaj që këtu të ketë marrëdhënie sa të jetë e mundur më të qëndrueshme, por në të njëjtën kohë të mund të ecë përpara dhe transformimi ekonomik. 
Me këtë rast dëshiroj të falënderoj Parlamentin që është qendra apo bërthama e këtij vendi, i cili ka hartuar e miratuar ligje, të cilët do të mundësojnë zhvillimin e mëtejshëm të vendit të tyre. Ne tashmë kujtojmë të gjithë rastin kur njerëzit iknin për shkak të mjerimit dhe urisë. Në qoftë se shohim studimet e fundit, qoftë ato të Bankës Botërore, të FMN-së, ato kanë konfirmuar punën e madhe që është bërë këtu te ju. Ka pasur rritje të ndjeshme ekonomike dhe luftë për ndalimin e inflacionit. Në këtë rast, dua të them edhe diçka nga ana ime. Kur parlamentarët tanë në vitin 1990 e në vitin 1991 na informuan për gjendjen në Shqipëri, ne atëherë ishim shumë skeptikë dhe nuk e dinim se ç'udhë do të merrnin zhvillimet. Krijimi i pronës private, toka t'u jepej fshatarëve, ashtu si duan ata, prona në formën e apartamenteve të banimit, këto janë premisa të rëndësishme për të zhvilluar pastaj iniciativën vetjake. Por në të njëjtën kohë, kjo do të thotë marrja në përgjegjësi për zhvillimin e pronës, qoftë ajo personale, qoftë ajo sociale. Natyrisht, që kjo është një rrugë, është një angazhim drejt Evropës, drejt familjes evropiane, në të cilën ne duhet të punojmë, qoftë në aspektin e marrëdhënieve dypalëshe, qoftë dhe në ato komunitare, në marrëdhëniet me institucionet dhe organizmat e tjerë ndërkombëtare, si: FMN, Banka Botërore etj. Në këtë aspekt, ne do të ndihmojmë Shqipërinë. Për kjo do të thotë se Këshilli i Evropës, parlamentet e tyre, sipas rëndësive kanë detyrat e veta, komisionet parlamentare kanë detyrat e veta. Për ju KSBE, NATO nuk janë më nocione të huaja. Këto janë institucione, me të cilat bashkëpunoni. 
Unë mendoj se hapi i parë më i rëndësishëm është pranimi i Shqipërisë në Këshillin e Evropës si vend me të drejta të plota. Dhe me këtë rast, pavarësisht nga ligjet e shumta që ju keni miratuar dhe keni vënë në punë, ju lutem që të punoni më shumë dhe sa të jetë e mundur më shpejt, që të mund të miratoni dhe Kushtetutën, se Kushtetuta është ligji-bazë, mbi të cilin do të punojë shteti, të cilit duhet t'i përmbahen qoftë individi, qoftë shtetasit dhe institucionet për të ecur më përpara. Se si do të jetë Kushtetuta, do të jetë forma gjermane apo franceze, se si do të jetë ndarja e pushteteve dhe e kompetencave të Kushtetutës, unë ju them se e rëndësishme është ndarja e tyre dhe si një parlamentare, ju them se i rëndësishëm është dhe Parlamenti, puna e tij. Dhe për këtë janë të nevojshme gjykatat e pavarura, sepse shteti i së drejtës vlerësohet më mirë kur flitet qartë nëpërmjet organeve të pavarura të drejtësisë. 
  Sigurisht që në këtë aspekt, popujt me një hap më të shpejtë, me një hap më të ngadalshëm gjithnjë do të ecin përpara. Vetëm këto katër vjetët e fundit ne kemi mësuar se ne mund të shkëmbejmë përvojat, të cilët janë të domosdoshme, por rrugën dhe tempin për të ecur, këtë do ta vendosë secili vend vetë. Ju e dini se ka një parim që Perëndimi asnjëherë nuk do të jetë mirë, në qoftë se Lindja nuk do të jetë mirë. Në këtë aspekt, do të thosha se të gjithë jemi në të njëjtën varkë dhe do të thosha dhe dua ta theksoj edhe njëherë në Parlament se përveç marrëdhënieve politike, ekonomike ne e kemi të domosdoshme që të kemi midis nesh edhe marrëdhënie kulturore, shkëmbime shkencore. 
Unë, së fundi, dua të theksoj se ju nuk keni vetëm njerëz që janë shumë të interesuar për Shqipërinë, për zhvillimin e saj në Gjermani, por keni dhe shumë miq në Gjermani. Le të zgjerojmë marrëdhëniet tona të mira, qofshin ato në aspektin parlamentar apo jo parlamentar. 
  Ju uroj juve dhe popullit tuaj një jetë në paqe, që populli ta ruajë lirinë, të cilin ai e fitoi dhe që të jetë një fqinj i mirë! Juve ju uroj marrëdhënie më të ngushta në favor të mirëqenies së dy popujve tanë!

TemA

Lini një Përgjigje