E duam partinë, pa Salinë

22 Maj 2021, 13:11Blog TEMA

Nga Alfred Peza

Lulzim Basha është zhdukur nga radarët e medias dhe sytë e opinionit publik, pas vendimit të sekretarit Amerikan të Shtetit, që e shpalli Sali Berishën dhe familjen e tij “non grata”. Pas një deklarate në stilin e tij të të bërit politikë “as mish e as peshk”, Kryetari i PD duket se do të heshtë edhe më gjatë se kaq, ndoshta deri më 13 qershor.

Por Lulzim Basha këtë nuk po e bën se po kërkon që të fitojë kohë. Po e bën, thjeshtë sepse ai nuk di se çfarë të bëjë, në këtë situatë. Është hera e parë në historinë e jetës së tij politike, që do i duhet të pozicionohet, qartë dhe prerë: Ose do jetë me Sali Berishën dhe do ti shpalli luftë SHBA, ose do të jetë me SHBA, e do ti shpalli luftë Sali Berishës! Rrugë të mesme nuk ka.

Këtë zgjedhje Lulzim Bashës ia imponoi Sali Berisha, kur nuk u ngjit dot as në standardin e Tomë Doshit, për ta lënë mandatin e deputetit. Për tu larguar nga PD. E për ta vijuar luftën mbrojtjen “e dinjitetit personal”, pa iu bërë barrë as partisë që ka dominuar për 30 vjet me radhë dhe as opozitës. Por Sali Berisha zgjodhi ta përdori PD, si çadër për tu mbrojtur. Si një bunker, prej nga ku, do të vijojë luftën e tij deri në fund, kundër SHBA.

Në këto kushte Lulzim Basha dhe vetë Partia Demokratike, kanë vetëm një rrugë për të ndjekur dhe një zgjedhje për të bërë: Ose do të jenë deri në fund me Sali Berishën kundër SHBA, ose do ta nxjerrin Sali Berishën jashtë gardhit të SHQUP, si një qytetar i lirë që i duhet të mbrojë veten dhe familjen nga mali me akuza që iu bënë zyrtarisht nga Departamenti Amerikan i Shtetit.

Lulzim Basha sot, vetëm një gjë e ka të sigurtë, më shumë sesa dje. Që më 13 qershor, do të rizgjidhet në krye të PD, për një mandate tjetër 4 vjeçar. Këtë ia lehtësuan kundërshtarët, që kërkojnë largimin pas humbjes në zgjedhjet e 25 prillit. Fakti që ata zgjodhën jo një, por tre kandidatë për ta sfiduar, bëri të tia dhuronin që tani me duart e tyre vulën e PD.

Pas kësaj Lulzim Basha ka vetëm një zgjidhje për të bërë. Ka vetëm një vendim për të marrë. Ka vetëm një rrugë për të ndjekur. Nëse dëshiron që nesër të jetë lideri real i opozitës shqiptare dhe më pas, edhe Kryeministri i Shqipërisë, Lulzim Basha duhet ta shpëtojë PD nga Sali Berisha. Duhet ti ndajë mëkatet e tij të numëruara nga SHBA, nga ato të historisë së PD në veçanti dhe të opozitës shqiptare në përgjithësi.

Lulzim Basha nuk mund të jetë edhe Kryetar i PD, edhe kundër SHBA. Edhe Kryetar i opozitës shqiptare, edhe kundër Departamentit të Shtetit. Edhe kandidat i opozitës për Kryeministër nesër, edhe kundër Amerikës. Lulzim Basha nuk ka shumë kohë për tu menduar për këtë. I kanë mbetur edhe vetëm 100 ditë për këtë, derisa të ulet në sallën e Parlamentit të ri në shtator, sepse Sali Berisha nuk mund të jetë më deputet i Partisë Demokratike.

Sali Berisha vetë e ka bërë të qartë publikisht pozicionin e tij: Do të jetë në Parlament. Do jetë deputet. Madje, me fuqi të dyfishuar në jetën aktive politike të vendit,- siç premtoi. A do të jetë brenda Grupit Parlamentar të PD? Apo do të jetë një deputet i pavarur? A do të krijojë një grup të ri parlamentar, me idhtarët e tij që mund të shkëputen nga partia? Të gjitha këto mbeten për tu parë. Tani është radha e Lulzim Bashës, që të bëjë lëvizjen e tij.

Nëse Lulzim Basha nuk do të ketë këllqe të ta nxjerri Sali Berishën jashtë gardhit të PD, atëherë ai e ka bërë zgjedhjen, duke u pozicionuar kundër SHBA. Kjo e kthen edhe PD nën udhëheqjen e tij, në një parti anti amerikane. E nëse kjo ndodh atëherë a ka fuqi dikush tjetër brenda PD, që të shpëtojë çfarë të mundi, duke u distancuar nga Sali Berisha, Lulzim Basha dhe grupi antiamerikan rrotull tyre? Kjo është çshtja!

E vetmja mënyrë që PD ti mbijetojë Sali Berishës, është që të shpëtojë duke e larguar atë nga forumet e saj, ose duke u distancuar prej tij. Kur u krijua në dhjetor 1990, moto e shqiptarëve ishte: E duam Shqipërinë, pa Ramiz Alinë! Ndërsa tani është shndërruar në: “E duam atdhenë, si Shqipëria Amerikën!” Për demokratët kjo do të thotë: E duam partinë, pa Salinë! Nëse e dëgjon këtë thirrje, Lulzim Basha mund të mbijetojë, për të qëndruar gjatë në krye të PD.

3 komente në “E duam partinë, pa Salinë”

  1. Kalec Dega says:

    Po kush jane ata pak debila qe mendojne se PD perfaqson Demokracine apo eshte e kunderta e komunizmit shqiptar. Deri mme sot udheheqesit e saj kane qene komunisti i terbuar Berisha dhe fshatri familje komuniste Basha , ish punonjes ne Rinas ne kohen e Dulles, kaq mjafton te kuptosh qe se bashku me Zhele Zhele apo spiunet Ceka e Byrone Pashko nuk kane asgje te perbashket me demokracine. e vertete.
    =
    PD eshte celule e PPSH, nje celule akoma me e rrezikshme se ajo socialiste aktuale, se ne gjitrin e saj jane mbledhur tani llumi i sigurimit dh eish femijet e komunisteve.

  2. US says:

    Luli Basha per arsyen e te qenit ne udhekryqin qe nuk mund te peshtyje kUnder mentorit te tij, por nuk mund te peshtyje as aleatin me te madh te Shqiperise, Ameriken, duhet te jape doreheqjen e parevokueshme, por perkundrazi! Lulzim Basha edhe pas katastrofes elettorale edhe pas bombes amerikane, ka vendosur te mbaje karrigen me dhembe, duke u rreshtuar me ndergjegje ne krah te Berishes dhe per kete do te trajtohet njesoj si Berisha, pa lekundjen me te vogel!

  3. komentuesi says:

    Shume je munduar or Alfred Peza per te thene gjitheçka e kurrgja!E thene ndryshe nuk e kuptoj se ç’fare meraku keni ju nese Luli shkon pas apo para Sali Berishes!Se dyti :kur dhe ku e shikoni Ju “kryeminister” kete zog zogu dhe valle e keni pyetur ndonjehere qe ai e do kete post apo jo!Perfitimet ai i ka,zhurmen po,ka pothuajse nje te treten e popullsise me vehte,ka pasuri te tundeshme e te patundeshme!Ndaj sot per sot atij i duhet ky vend qe ka mos ta bezdisin dhe ta çojne nga gjumi dhe sa i perket asaj endres me kuçeder per tu bere ndonjehere kryeminister ate s’ka per ta pare kurre sepse nuk ka vizion apo qasje per kete posst!Populli shqipetar eshe zgjuar e PD e Berisheve eshte akoma tek lufta qe duhet te bejne me komunizmin!!Dikur kjo teori ishte vertet efikase dhe komunisti i reme Berishe e perdorte per mrekulli ndersa sot rdhr fshatari apo katundari qe sot eshte konvertuar ne qytetar nuk i intereson me kjo por zhvillimi i vendit e hapja e sektoreve te reja te punes.Ndaj ajo ender qe ju prisni ti dhuroni ndonje dite “postin e kryeministrit” ta harroni se ska per tu bere kurre realitet sepse sipas gjasave propabiiteti i saj eshte vetem nese partia ne fuqi bene kompromise me te dhe kerkon jo te drejtoje vendin por te vazhdoje rrokaten e vjeter Nano-Berishe,kjo jo per te miren e vendit por per interesa te ngushta personale.Kesaj i thone ku ishe ,asgjekund!
    Ne fakt jeni ca gazetare si ti,Nazarkua i vogel,nje fare Lorenc Vangjeli, Rakipllari (nuk dua t’ju ofendoj me kete te fundit)e nja dy kokra te tjera me ca sy te zgerdhyera dhe zera te ngjirru qe as te q…i e as te leshoni me teorite boshe !

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje