Policia e Vlorës jep detaje për drogën e kapur në Karaburun, në pranga 3 persona

24 Maj 2021, 09:07Kronika TEMA

Policia e Vlorës ka dhënë detaje në lidhje me drogën e sekuestruar dje në një gomone në Karaburun. Bëhet fjalë për 577 kg lëndë narkotike kanabis, ndërsa në pranga kanë rënë 3 trafikuesit e drogës. Kapja dhe sekuestrimi i tyre u arrit pas disa orësh ndjekje nga deti dhe toka.

“Në vendin e quajtur “Gjiri i Dafinës”, pranë Karaburunit, personat që ishin në bord, në pamundësi për t’i shpëtuar ndjekjes së Policisë, tentuan të braktisnin mjetin lundrues dhe të largoheshin, por u kapën dhe u prangosën gjatë ndjekjes nga Policia.

Shërbimet policore kanë sekuestruar mjetin lundrues gomone, në bordin e të cilës u gjetën dhe u sekuestruan 577 kg lëndë narkotike, një pjesë në formë çokollate. Në përfundim të veprimeve të kryera nga specialistët për Hetimin e Narkotikëve u bë ndalimi i shtetasve M. B., 43 vjeç, H. M., 27 vjeç dhe Ë. M., 34 vjeç, banues në Vlorë, të dyshuarit si trafikues të lëndës narkotike”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë po vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të tentativës për trafikim të lëndës narkotike, identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të implikuar në këtë ngjarje.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje