Një shtetas shqiptar është dënuar me 3 vite burg nga autoritetet britanike, pasi u kap me kokainë vlera e së cilës arrinte në 63 mijë paund dhe me 37 mijë paund kesh.
Shtetasi i identifikuar si L. Hoxha, u ndalua dhe u kontrollua pranë shtëpisë ku banonte në Harland Street, Ipsëich, mesditën e 17 Marsit. Me vete ai kishte 4 çorape të mbushura me qeska të vogla me kokainë, 70 copë. Secila peshonte gjysmë gramë.
Ndërsa nga kontrolli në dhomën e tij në një ndërtesë në të njëjtën rrugë, shqiptarit iu gjetën dy blloqe me kokainë me vlerë deri në 30 mijë paund. Po ashtu oficerët e policisë gjetën zarfe, me data të ndryshme, ku ishin ndarë paratë në shuma të ndryshme. Gjatë seancës së zhvilluar në gjykatën e Ipsëich, prokurori i çështjes tha: Nëse nuk po vepronte i vetëm dhe ne e dimë që nuk vepronte i vetëm, ai ishte minimalisht një anëtar i besuar i organizatës.
Në total, prokurori tha se policia kishte sekuestruar 628.77 gramë kokainë me vlerë deri në 25 mijë paund dhe vlerë potenciale në rrugë deri në 62,900 paund. 28-vjeçari Hoxha, gjatë seancës gjyqësore pranoi se kishte për detyrë shpërndarjen e drogës së klasit A.
Avokati i tij mbrojtës tha se ai kishte qenë në universitet përpara se të trafikohej drejt Mbretërisë së Bashkuar dhe se po përpiqej të bënte para për t’i dërguar të ëmës në Shqipëri. Ai kishte punuar në një lavazh në Londër, derisa shpërtheu pandemia Covid-19. Mbrojtja tha se ai kishte hezituar dhe ishte ndjerë disi i turpëruar për të pranuar punën si shpërndarës droge, që e kishte nisur rreth 4 javë përpara se të arrestohej.