S'është PD-ja që ka nevojë për Bashën apo Berishën, por këta të dy për PD-në. Ndaj e kanë kapur prej gryke dhe s'e lëshojnë

2 Qershor 2021, 17:36Politika TEMA

Nga Blendi Kajsiu

Në garën për kryetarin e PD-së Basha, edhe mbështetësit e tij po artikulojnë idenë se ai është një lider i domosdoshëm për PD-në, i vetmi që mund ta bashkojë dhe shpëtojë PD-në nga shkatërrimi. Vetë Basha deklaroi se lidershipi i tij ka qenë i sakrificës, çka të bën të besosh se është gati të sakrifikohet përsëri për partinë.

Ideja se lideri është i domosdoshëm për të shpëtuar dhe përbashkuar partinë është një nga elementët themelorë të berishizmit. Në PD këtë rol e ka luajtur dhe vazhdon ta luajë Berisha. Ai është kthyer në një mit që jo vetëm njehsohet tërësisht me partinë, por shpesh artikulohet si më i rëndësishëm se vetë partia.

Kuptohet që kjo ide nuk është e re. Vjen nga Partia Bolshevike e themeluar nga Lenini në fillim të shekullit të kaluar. Është hera e parë në historinë politike kur lideri dhe partia shkrihen në një në fjalët e poetit sovjetik Majakovski: “Kur themi partia nënkuptojmë Lenini dhe kur themi Lenini nënkuptojmë Partia”.

E njëjta logjikë importohet nga Partia Komuniste në Shqipëri, e cila pas Luftës së Dytë Botërore gjithnjë e më tepër njehsohet me Enver Hoxhën, aq sa ekzistenca e Partisë së Punës dukej e pamundur përtej ekzistencës së Enverit.

E megjithatë, kjo ideja e liderit të domosdoshëm është një përrallë me mbret. Historia tregoi se si Partia Bolshevike në Bashkimin Sovietik edhe Partia e Punës në Shqipëri ishin shumë më tepër se liderët e tyre historikë. Në fakt, ishin liderët, që nga Lenini deri tek Enveri, që kishin nevojë për partinë më shumë se anasjelltas.

Partia e Punës u transformua në Partinë Socialiste dhe me megjithë tendencën për ta njehsuar atë me Ramizin pardje, me Nanon dje dhe me Ramën sot, është e qartë se kjo parti është shumë më tepër se lideri i radhës dhe kurrsesi nuk mund të reduktohet tek ai.

Çudia qëndron te fakti se Partia Demokratike, e themeluar si një forcë antikomuniste, vazhdon ta artikulojë dhe besojë këtë përrallë bolshevike. Jo vetëm militantët, por edhe mjaft mbështetës të kësaj partie në media besojnë se PD-ja nuk mund t’i mbijetojë largimit të Berishës apo të emëruarit të tij Basha.

Në këtë mënyrë, ata sot e reduktojnë PD-në te lideri i saj, ashtu sikurse Partia e Punës reduktohej dje tek Enveri apo tek i emëruari tij, Ramiz Alia. E vërteta është se si miti i Enverit, themelues i Partisë Komuniste, ashtu edhe miti i Berishës, themelues i Partisë Demokratike, janë përralla të krijuara nga të dy mbasi morën kontrollin e partive përkatëse dhe eliminuan kundërshtarët.

Berisha nuk ishte as themeluesi unik dhe as më i rëndësishëm i PD-së. Në fakt, ishte PD-ja që e krijoi Berishën dhe jo anasjelltas. Arritja më e madhe e Berishës nuk ishte themelimi i PD-së, por vënia e saj nën kontrollin e tij total për 30 vite rresht.

PD-ja nuk ishte produkt i vullnetit të asnjë individi të caktuar, por i një momenti specifik historik dhe strukturor. Ajo ishte pasojë e krizës së sistemit komunist dhe përfaqëson një fluks social që do institucionalizohej si një forcë politike me apo pa Berishën në krye.

Edhe sot, PD-ja përfaqëson shumë më tepër se vullnetin e një njeriu. Ajo është shtrati ku kanalizohet pothuajse gjithë pakënaqësia me qeverisjen kur PD-ja është në opozitë dhe mbështetja për qeverinë kur është në pushtet. Në këtë aspekt, PD-ja është një markë dhe pasuri publike. Kjo ndodh pjesërisht, sepse në këto 30 vite PD-ja ka zhvilluar një identitet politik të fortë te votuesit dhe ndjekësit e saj. Pjesërisht sepse sistemi ynë është bipolar, që nga institucionet politike dhe Kodi Elektoral deri te hapësira mediatike, çka e bën të vështirë daljen e partive të reja.

Kjo do të thotë se shumë nga ata që e votojnë PD-në, e bëjnë këtë pavarësisht se aty është Berisha apo Basha, të motivuar nga zhgënjimi me qeverisjen aktuale dhe të vetëdijshëm që e vetmja forcë që mund ta rrëzojë atë është PD-ja. Fakti që PD mori mbi 600 mijë vota, pavarësisht gabimeve pa fund të Bashës, aleancës së tij me politikanë dhe forca të diskretitura dhe lojës së pandershme të pushtetit në fushatë, tregon se ajo është një fluks social që ekziston përtej dhe shpesh, pavarësisht liderit të radhës, qoftë ky Basha apo Berisha.

Edhe në vitin 2005, PD-ja erdhi në pushtet, pavarësisht dhe jo prej Berishës. U desh të krijohej KOP dhe të riktheheshin të larguarit për të zbutur dhe sfumuar imazhin e Berishës që shqiptarët ta votonin PD-në si parti e parë me një shumicë mjaft të vogël. Votuesi gri shqiptar tashmë prej vitesh e ka refuzuar si Berishën edhe të emëruarin e tij në PD, Basha.

Është kjo një nga arsyet themelore se pse PD-ja nuk transformohet në parti të parë, pavarësisht zullumeve të pushtetit socialist. Ndaj nuk është PD-ja që ka nevojë për Bashën apo Berishën, por këta të dy për PD-në. E domosdoshme është partia, jo udhëheqësit. Në fakt, këta të fundit e kanë kuptuar me kohë këtë gjë, ndaj e kanë kapur fort dhe nuk e lëshojnë PD-në.

7 komente në “S’është PD-ja që ka nevojë për Bashën apo Berishën, por këta të dy për PD-në. Ndaj e kanë kapur prej gryke dhe s’e lëshojnë”

  1. Nick says:

    Te thuash se pd eshte nje aset eshte pasuri publike duhet te thuash se edhe bandat kriminale jane asete,jane pasuri publike e bla bla bla.mor zotni ku jetoni ju qe e thoni kte, nuk e dini ju se te gjithe ishet e ato qe jane ne drejtim te pd se jane multi milionere,qe i kane bere kto miliona duke vjellur pasurine publike,te pakten bandat i bajne milionat me droge e whatever por nuk vjellin pasurite publike si drejtuesit e pd,e tjetra te gjithe qe jane kunder pozites jane opozite e kta do te jene gjithmone sa te ekzitoje plurarismi kurse partite politike qe jane nje grup njerezish qe krijohen me menagju pasurite publike nuk jane pasuri publike ato jane thjeshte menagjers te ketyre pasurive qe ne shumicen e rasteve i vjedhin ato pasuri.

    1. Andi says:

      Kush eshte ai qe PD e cileson sot e kesaj dite si parti te djathte??? PD ka devijuar ne parti anarshiste pa kaluar fate nga e djathta!!!! E djathta ne shqiperi eshte e paperfaqesuar. PD nuk ka perfaqesuar kurre te djathen. Ka perfaqesuar mbetjet anale te PP, e lideruar nga Sali krimineli i vene me mjeshteri aty nga Ramiz Alia. Me vjen keq per antaret e thjeshte te PD, se nuk e meritojne kete fyerje dinjiteti qe vete lidershipi i PD u ka bere!!!

  2. TURIEMIGR says:

    BRAVO, QE ME TITULLIN I KE VENE VULEN,

  3. Taulant says:

    PD mori atë shume votash sepse aq janë familjaret me te drejte vote te kapove te korrupsionit, te sahanlepiresve, te përfituesve nga shkatërrimi i ekonomise se vendit ne saje te politikave tribale te halese Berisha.
    Keta e votojnë PD, jo si mundësi per vendin, por si nje mundësi per veten e tyre.
    “Nje gomar te kandidoj PD, une gomarin do votoj” shprehej nje ish kooperativist nga Mati, i cili ne saje te miqësisë familjare me nje zëvendës te ish ministrit Zhulali, u vesh kapter ne Tirane, dhe përfitoi nje repart ushtarak pranë ish IKV ne Kino Studio.
    Ja keta e votojnë Partine Fashiste Demokratike.

  4. Luli says:

    PD dhe PS ndryshojne sic ndryshonin liderat e tyre te pare, pas 1990. Nano futi qytetarine dhe liberalizmin e vet. Kurse Berisha autoritarizmin dhe provincialitetin e tij karakteristike. Pastaj kjo fryme u be e te gjithe atyre qe ndoqen PD.

    1. qen bir qeni son of a b**** says:

      PD e ka pronarin e vet, po nuk te pelqeu shko voto nji tjeter.

  5. Skenderbegasi says:

    Instikti I kopes I prirur nga
    nje bajraktar krahinor, qe kure
    nuk evoluan ne mendim dhe veprim, pale pastaj ne guxim.
    Hic historik, u vesul mbi trupin
    e Vatanin si nje egersire mbi prehen e vete, dhe I beri gjemen atdheut.
    Ky njeri pagan dhe gjakesor, ishte menxyra e maskuar me
    emrin demokraci.
    Ke kjo parti nuk hyn fare poeti
    revolucionar Majakovski.
    Kjo parti e koruptuar ne koke e
    ne renje, nuk nxjere dot nje filiz
    shprese, per te ndryshuar veten, se
    Shqiperine e menderosen keqas
    ne syte e botes.
    Keta kopila fshati, qe muaren ne
    dore celsat e vendit ben baterdine finaciare dhe u pasuruan si ne peralla.
    Keta plepiste drejtesie qe s’dhane kurre drejtesi po e futen popullin ne vurbull vrasjesh.
    Kjo kope qe nuk shikon qe tjeter
    pervec bajraktarit krahinor nuk ka
    qene as njehere vlere dhe nuk do te jete sa te kete frym hici
    historik.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje