Euro 2020: Francë-Zvicër, Xhaka e Shaqiri në “mission impossible” dhe Kroaci-Spanjë, futboll plot klas në “Parken”

28 Qershor 2021, 10:18Sport TEMA

Për herë të parë në histori, “Arena Kombëtare e Bukureshtit” do të organizojë një duel të fazës finale të Europianit. Stadiumi më i madh rumun do të ketë privilegjin për të pritur pikërisht kampionët në fuqi të botës, që nisin sulmin e tyre drejt trofeut më të lakmuar të Kontinentit të Vjetër, në rang përfaqësuesesh. Franca konsiderohej si përfaqësuesja favorite e këtij edicioni të 16-të të kampionatit evropian, megjithatë për hir të së vërtetës skuadra e drejtuar nga trajneri Didier Deschamps është shfaqur me probleme e luhatje dhe natyrshëm me një formë të tillë ka rritur shpresat e kombëtareve të tjera rivale, në këtë kompeticion.

Përballë, këtë here, qëndron Zvicra dhe kurioz është fakti që dy vendet përballen për herë të 5-të në 9 aktivitetet e fundit madhore që nga viti 2004. Zvicra nuk njeh fitore ndaj Francës në 7 sfidat e këtij shekulli të ri, sidoqoftë vlen të theksohet fakti që 4 nga 5 takimet e fundit përfaqësuesja helvete i ka mbajtur në barazim “gjelat”.

“Arena Nationala” ka një kapacitet prej 55.500 spektatorësh dhe në fazën hapëse mbajti mbi shpatulla deri në 10.500 të pranishëm për sfidat e Austrisë, Ukrainës dhe Maqedonisë së Veriut në Grupin C. Kampionët në fuqi të botës e filluan mirë aventurën e tyre, duke mundur Gjermaninë brenda në Mynih, falë një autogoli të qendërmbrojtësit Mats Hummels, gjithsesi në vazhdim “blutë” nuk shkuan dot përtej barazimit, në dy ndeshjet e fundit me Hungarinë dhe Portugalinë.

Në duelin me kombëtaren maxhare skuadra e Didier Deschampit pati probleme, por gjithashtu edhe shpërdoroi shumë, ndërsa në sfidën përmbyllëse me Portugalinë lojtarët francezë ndoshta zbritën më të relaksuar se ç’duhej në stadiumin “Puskas Arena” të Budapestit, duke pasur parasysh që nga Grupi F “gjelat” ishin të vetmit që e kishin garantuar kalimin për në fazën tjetër, që pas dy ndeshjeve të para.

Nga viti 1992 e këtej Franca ka qenë gjithmonë pjesë e fazave finale të kampionateve evropiane. Kjo është pjesëmarrja e 10-të në historinë e tyre dhe blutë kanë koleksionuar dy herë trofeun Henry Delaunay në vitet 1984, e 2000, kështu që me një tjetër titull në këtë aktivitet Franca do të barazohej në kuotën 3 bashkë me Gjermaninë dhe Spanjën.

52-vjeçari ka në dispozicion kontigjentin më të kompletuar, por sikur të mos mjaftonte kjo, krerët e UEFA-s ndezën dritën jeshile për grumbullimin e jo 23 por plot 26 futbollistëve për këtë Europian, për arsye të pandemisë së koronavirusit. Franca bënte pjesë në “Grupin e Hekurt”, megjithatë kampionët në fuqi të botës të ndërgjegjshëm për forcën e tyre nuk është se u morën shumë me llogari. Në këtë mënyrë “gjelat” e mbyllën fazën e grupeve në vendin e parë, duke zgjedhur kështu edhe pjesën e sipërme të shortit, ku ka një ngjeshje të skuadrave pretendente të këtij edicioni.

Franca, për momentin, pozicionohet në vendin e dytë, në klasifikimin e përgjithshëm të FIFA-s, pas Belgjikës, ndërsa përfaqësuesja helvete e ka lënë prej kohësh dhjetëshen e parë të botës.

Pas eliminimeve të dhimbshme në aktivitetet madhore, Spanja ka rastin për t’u kthyer në rrugën e duhur, teksa do të matë forcat në fazën e 1/8 me përfaqësuesen e Kroacisë. Dy vendet kanë pësuar rënie dhe sigurisht nuk po përjetojnë momentet e tyre më të mira, megjithatë është e qartë që një kalim në fazën çerekfinale do të përmirësonte situatën, duke rikthyer besimin te ekipi që do të meritonte kualifikimin mes tetë përfaqësueseve më të mira në këtë edicion të 16 të kampionatit evropian.

Në evropianin e fundit Spanja e Vicente del Bosque-s u eliminua që në fazën e 1/8 nga Italia e Antonio Conte-s, ndërsa Kroacia në krahun tjetër u mposht që në raundin hapës të fazës së “knock out”-it nga Portugalia e Cristiano Ronaldos, pra pikërisht vendi që fitoi titullin, falë një goli të realizuar në 117’ nga Ricardo Quaresma. Kohët kanë rrjedhur shpejt dhe finalja e humbur në Moskë me Francën në Kupën e Botës tre vjet më parë i përket të kaluarës, pasi në Kroaci janë duke u ndërruar brezat dhe tani është vërtet shumë e vështirë që të pretendohen rezultate menjëherë nga një seleksion i tillë. Nga ekipi janë larguar emra të rëndësishëm, disa prej tyre madje edhe e kanë lënë futbollin, sidoqoftë trajneri Zlatko Dalic nuk ka gjetur ende zëvendësues për lojtarë si Mario Mandzukic apo Ivan Rakitic.

Kroacia ka rrëshqitur jashtë dhjetëshes së parë të FIFA-s dhe aktualisht kjo përfaqësuese pozicionohet në vendin e 14 në renditjen botërore, gjithsesi është e qartë që me shumë gjasa ky do të jetë evropiani i fundit për emra të tillë si Dejan Lovren, Domagoj Vida, Luka Modric, Milan Badelj dhe Ivan Perisic.

Kroacia është grumbulluar në atdhe në Rovinj, sidoqoftë këtë herë do të udhëtohet në veri të kontinentit për të luajtur për herë të parë në Danimarkë, ndërsa Spanja është stërvitur gjatë gjithë kohës në kryeqytet, duke pasur parasysh që ndeshjet në grupe “La Roja” i luajti në shtëpi, në jug të vendit në Krahinën Autonome të Andaluzisë.

Kroacia e siguroi kualifikimin vetëm në sfidën përmbyllëse ndaj Skocisë në “Hampden Park”. 23-vjeçari i CSKA-së së Moskës, Nikola Vlasic, u shpall “ylli” i takimit dhe bashkë me veteranin Luka Modric morën për dore skuadrën, duke fituar 3-1 brenda në Glasgow. Më herët kroatët humbën një sfidë pak a shumë të barabartë në Wembley me Anglinë, ndërsa me Republikën Çeke Ivan Perisic barazoi shifrat që në startin e pjesës së dytë. Për rrjedhojë ekipi i drejtuar nga trajneri Zlatko Dalic zuri vendin e dytë në Grupin D dhe tani Kroacia do të përballet me Spanjën, që e garantoi gjithashtu kalimin për në fazën e “knock out”-it pikërisht në takimin përmbyllës me Sllovakinë.

Në Grupin E “La Furia Roja” pati disa mundësi të mira në ndeshjen e parë ndaj Suedisë, të cilat nuk u shfrytëzuan, ndërsa në duelin tjetër në stadiumin “La Cartuja” të Seviljes vendasit nuk e mbajtën dot gjatë epërsinë, pasi Robert Lewandowski barazoi shifrat pas një goli shumë të bukur me kokë. Skuadra e Luis Enriques ka shpërdoruar dy 11-metërsha në këtë evropian me anë të sulmuesve Gerard Moreno e Alvaro Moratta, gjithsesi në duelin e fundit me Sllovakinë vendasit e përmirësuan ndjeshëm lojën dhe përfituan në maksimum edhe nga gabimet trashanike të portierit të Newcastle, Martin Dubravka, për të fituar në mënyrë spektakolare me rezultatin 5-0. Me pak më tepër fat Spanja mund të evitonte trafikun në pjesën e sipërme të shortit dhe të përballej me Ukrainën në Glasgow në anën e poshtme, por një gol në kohën shtesë nga ana e Viktor Claesson i dha mundësinë Suedisë për të triumfuar ndaj Polonisë, duke sjellë kështu edhe përballjen Spanjë – Kroaci.

Zlatko Dalic nuk do të ketë në dispozicion një futbollist tepër të rëndësishëm si Ivan Perisic, ndërsa Luis Enrique në krahun tjetër i ka të gjithë në apel. Kroacia ka fituar 2 nga 3 sfidat e fundit mes tyre, gjithsesi vetëm dy muaj pasi ishin shpallur nënkampionë të botës futbollistët e drejtuar nga Zlatko Dalic pësuan një humbje me shifra tenistike 6-0 në qytetin e Elche-s. Bilanci në 4 sfidat kompetitive është i barabartë 2-2, ndërkaq Spanja kryeson statistikat e përgjithshme 4-3 me fitore në 8 ndeshjet ndërmjet tyre. Takimi Kroaci – Spanjë do të luhet në orën 18:00 në Stadiumin Parken të Kopenhagenit dhe do të drejtohet nga kryesori turk Cuneyt Cakir. (Super Sport)

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje