Kosova dhe Serbia, takime në Bruksel më 6 dhe 7 korrik

5 Korrik 2021, 13:45Rajoni TEMA

Bashkimi Evropian konfirmoi se takimi në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, në nivelin e negociatorëve, do të zhvillohet të mërkurën, më 7 korrik.

Para këtij takimi, delegacionet e të dyja palëve do të kenë takime të ndara me përfaqësues të Bashkimit Evropian.

Delegacioni i Kosovës do të takohet me përfaqësuesit e BE-së më 6 korrik, ndërsa ai i Serbisë më 7 korrik.

Më pas do të zhvillohet takimi i të dyja ekipeve, me ndërmjetësimin e BE-së.

Janë këto bisedimet e para në këtë nivel që nga takimi i parë midis kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, më 15 qershor.

Delegacioni i Kosovës do të udhëhiqet nga zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, ndërsa ai i Serbisë nga drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq.

Burimet e BE-së në Bruksel nuk kanë saktësuar se cilat do të jenë temat e këtyre takimeve, por kanë paralajmëruar se do të flitet edhe për marrëveshjet e arritura deri më tash, si dhe për ecjen përpara të procesit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.

Ky takim thuhet se do të shërbejë edhe për të përgatitur një takim të ri mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili pritet të zhvillohet kah fundi i këtij muaji në Bruksel.

Në BE vazhdojnë të përsërisin se marrëveshjet e arritura më parë në dialog duhet të zbatohen, përfshirë edhe atë për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Për këtë, BE-ja pret që Kosova të dalë me propozimin se si të zbatohet, pasi me një vendim të Kuvendit, ajo e ka marrë përsipër këtë obligim ndërkombëtar.

Kurti – Qeveria e të cilit është formuar në muajin mars – ka thënë se në Kosovë nuk mund të ketë asociacion njëetnik.

1 komente në “Kosova dhe Serbia, takime në Bruksel më 6 dhe 7 korrik”

  1. Fatosi-kosove says:

    Kosova perfaqesohet le besnik bislimin ndersa serbia me ministrin per kosoven !
    Qesharake dhe poshtruese se pari per vet bislimin, qeverine dhe vet kosoven sepse te ulesh ne takim me ate qe flet ne emer te kosoves dhe kosoven es dmth se ti pranon ta kthesh dialogun nga shtetror ne nivel lokal qe dmth se per kosoven flet ministri i vuqiqit kurse ky i joni mjafton ta quajme minister dhe te paguhet mire per kosoven e ban zoti hajr.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje