Talo Cela dhe vellezerit e vrare Haxhiaj
Prokuroria e Posaçme Kundër Krimit dhe Korrupsionit, SPAK, ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim dosjen kundër Talo Çelës, Nuredin Dumanit dhe 4 personave të tjerë për disa vrasje të ndodhura në kuadër të grupit të strukturuar kriminale.
SPAK thotë se Talo Çela, i cili vijon të jetë në kërkim prej më shumë se 1 viti, akuzohet për vrasje në rrethana të tjera cilësuese ndaj dy ose më shumë personave e kryer më shumë se një herë. Konkretisht, SPAK e akuzon atë për vrasjen e Dorian Shkozës, Anxhelo Avdia dhe vëllezërve Besmir e Viktor Haxhia. Prokuroria e Posaçme e akuzon 50-vjeçarin nga Elbasani edhe për vrasjen e mbetur në tentativë ndaj Irfan Hazizit. Ai akuzohet gjithashtu për armëmbajtje pa leje, grup i strukturuar kriminal dhe Talo Çela është në roli e drejtuesit, si dhe për kryerjen e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal.
Personi i dytë i akuzuar është Nuredin Dumani, edhe ky në kërkim prej disa kohësh. Akuzohet për vrasje në rrethana të tjera cilësuese ndaj dy ose më shumë personave më shumë se një herë, armëmbajtje pa lej, sigurim i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje, mashtrim dhe vjedhje të kryer në bashkëpunim. Njësoj si Talo Çela, Nuredin Dumani akuzohet se ka krijuar grup të strukturuar kriminal dhe vetë është në rolin e krijuesit.
Personi i tretë është Altin Ndoci, i cili është me masë sigurimi “arrest në burg”, i akuzuar për “Vrasja në rrethana te tjera cilësuese”, ndaj dy ose më shumë personave, e kryer më shumë se një herë,“Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armve shperthyese dhe i municionit”, të kryera në bashkëpunim të veçantë atë të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal”, (në rolin e pjesëmarrësit) dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal”.
Klevis Alla, me masë sigurimi “arrest në burg”, akuzohet për “Vrasja në rrethana te tjera cilësuese”, ndaj dy ose më shumë personave, e kryer më shumë se një herë, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armeve, armeve shperthyese dhe i municionit”, të kryera në bashkëpunim të veçantë atë të grupit të strukturuar kriminal,
“Grupi i strukturuar kriminal”, (në rolin e pjesëmarrësit) dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal”, “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje”, kryer në bashkëpunim, “Vjedhje”e kryer në bashkëpunim.
Po kështu në Gjykatë u përcoll edhe kërkesa për pushimin e pjesshëm të hetimeve ndaj Klevis Allës, për veprat penale “Vjedhje me dhunë”, “Kundërshtim i punonjësit të policisë së rendit publik” dhe “Mosbindje ndaj urdhërit të punonjësit të policisë së rendit publik”, lidhur me ngjarjen e 28 Qershorit 2018 në qytetin e Durrësit, ku është kryer një vjedhje në filialin e Postës Shqiptare në lagjen 18, pasi nga hetimet rezultoi se i pandehuri nuk është i përfshirë.
Besian Xhixha, me masë sigurimi “arrest në burg”, akuzohet për “Sigurimit të kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje”, kryer në bashkëpunim, “Mashtrim” të kryer në bashkëpunim.
I akuzuari i fundit është Enver Diva, me masë sigurimi “arrest në burg”, i akuzuar për “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje”, kryer në bashkëpunim.
Klevis Alla konsiderohet si bashkëpunëtor i drejtësisë dhe u ka treguar hetuesve përfshirjen e të akuzuarve në disa ngjarje.
Më 29 Prill 2020, u vranë dy vëllezërit Besmir dhe Viktor Haxhia në rrugën që të çon te tregu i makinave të përdorura në Durrës. Besian Xhixha, Enver Diva, Altin Ndoci dhe Klevis Alla dyshohet të jenë të përfshirë në këtë ngjarje.