Që prej fillimit të muajit Korrik rastet totale me koronavirus kanë ardhur në rritje nga dita në ditë.
Më shumë se 160 të infektuar me Covid-19 janë të shpërndarë në të gjithë vendin.
Kryeqyteti është rikthyer sërish në krye të listës për numrin më të lartë të rasteve ditore dhe totalit të tyre që aktualisht ka arritur në 65 të infektuar.
Pas Tiranës vjen Vlora dhe Elbasani, në të dy këto qytete ka nga 17 të infektuar me Covid.
Dibra dhe Berati vijojnë të jenë të vetmet qarqe që nuk kanë asnjë të infektuar në territoret e tyre.
Sipas raportit të Ministrisë së Shëndetësisë, 52% e te infektuarve janë femra ndërsa 48% janë meshkuj.
Një rritje të lehtë kanë pësuar edhe shtrimet në spital. 6 pacientë aktualisht po marrin trajtim spitalor. 2 janë nga Tirana, 2 nga Elbasani, 1 nga Durrësi dhe 1 nga Korça.
Sipas mjekëve të spitalit Covid 1, të gjithë pacientët janë në gjendje të stabilizuar dhe asnjë nuk është në terapi intensive.
Të shtruarit i përkasin moshës mbi 65 vjeç dhe nuk janë vaksinuar edhe pse emrat i kanë në lista që prej muajit Prill.
Të gjitha rastet, sipas mjekëve, janë infektuar për herë të parë me virusin Sars Cov 2.