Rregullorja e re për sigurimin e detyrueshëm, si do të bëhet përllogaritja e dëmeve në raste aksidentesh

22 Korrik 2021, 10:42Sociale TEMA

Rregullorja e re e trajtimit të dëmeve në sigurimin e detyrueshëm, rriten vlerat e dëmshpërblimit dhe saktësohen procedurat e trajtimit dhe llogaritjes

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare ka hartuar një draft të ri për rregulloren e sigurimit të detyrueshëm për automjetet në raste aksidentesh.

Në këtë draft-propozim, që është publikuar për konsultim publik, ka ndryshuar edhe përllogaritja e dëmeve që mbulohet nga kontrata e sigurimit të detyrueshëm. Sipas këtyre ndryshimeve, është rritur shkalla e dëmshpërblimit në raste aksidentesh.

Në rregullore janë reflektuar gjithashtu disa nga ndryshimet kryesore të Ligjit të ri “Për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit”, që kanë të bëjnë me rritjen e limiteve të përgjegjësisë për pagesën e dëmeve, si edhe mundësinë e të siguruarit për t’iu drejtuar direkt shoqërisë së tij të sigurimit, në rastet kur pëson aksident nga një mjet i pasiguruar, ose i paidentifikuar.

Në rastin e dëmeve me pasojë humbje jete, dëmi pasuror përllogaritet si produkt i të ardhurave vjetore neto me koeficientin e shumës së kapitalizuar dhe moshës së daljes në pension, ndërsa në rastin e paaftësisë së përhershme përllogaritjes i shtohet dhe koeficienti i humbjes së aftësisë për punë.

Risitë kryesore të rregullores janë:

-Ka ndryshuar kategorizimi i personave të dëmtuar, për efekt të llogaritjes së koeficientit të moshës së daljes në pension, duke rritur vlerën e dëmit pasuror;

-Është rritur masa e dëmshpërblimit për dëmin pasuror ndaj të miturit;

-Është rritur masa e mbulimit të shpenzimeve funerale;

-Është rritur masa e dëmshpërblimit për dëmin jopasuror në rastet e paaftësisë së përhershme, i cili përfshin dëmin biologjik, moral dhe ekzistencial;

-Është përmirësuar dhe zgjeruar metodologjia e përllogaritjes së dëmit jopasuror ku përfshihet dëmi biologjik, i ndarë sipas grupmoshave dhe shkallës së paaftësisë. Gjithashtu edhe dëmi moral dhe ekzistencial përllogaritet në funksion të shkallës së paaftësisë për punë;

-Llogaritja e dëmit jopasuror është parashikuar e ndarë për çdo figurë dëmi si dhe e drejta për ta përfituar është individuale dhe nuk varet nga kërkesat e të dëmtuarve/përfituesve të tjerë për dëme nga kjo ngjarje. Në këtë mënyrë  rregullorja synon t’i individualizojë përfitimet për secilin të dëmtuar dhe familjarët e tij.

-Janë saktësuar afatet e trajtimit të kërkesës për dëmshpërblim, si edhe është qartësuar procedura për kërkesën e shoqërisë së sigurimit për plotësim dokumentacioni;

-Është parashikuar procedura për rastet e dëmeve që trajtohen me Raportin Evropian të Aksidenteve.

1 komente në “Rregullorja e re për sigurimin e detyrueshëm, si do të bëhet përllogaritja e dëmeve në raste aksidentesh”

  1. Standard says:

    AMF,

    Aman ore,
    Pse nuk na e publikoni Draftin, qe te kemi nje pamje per detyrimet e shtuara, ne se ka, por vetem ca rreshta me perfitime te mundeshme qe sdo ti kemi??

    !!!!!

    Pse ky quhet konsultim publik??

    Pastaj, hopa dhe e miratoni me detyrimet e pakonsultuara.

    A jeni institucion shteteror apo cfar dreqi jeni…

    A mos vall Draftin ja u kan pergatitur kompanit e sigurimeve te Kastratit??
    !!!!!!
    Duhet shperndar Drafti i Plote,
    Duhen ca muaj debate ne TVSH dhe televizione te tjera, qe te quhet diskutim dhe pranim publik.

    Perndryshe, po beni rregullore te re per ti mbushur edhe me teper Xhepat e fryra te kompanive private te sigurimeve

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje