“Daily Mail” ka publikuar një investigim të bërë nga gazetarët e saj, ku tregohet se si trafikantët shqiptarë të qenieve njerëzore, shfrytëzojnë “Tik Tok-un” për mbarëvajtjen e aktivitetit të tyre.
Media e njohur shkruan se trafikantët shqiptarë kërkojnë deri në 20.000 paundë për të kontrabanduar emigrantë në Britaninë e madhe.
Hetimi zbuloi se faqet e njohura ishin të mbushura me reklama nga trafikantët e qenieve njerëzore, të cilët përqeshnin përpjekjet nga autoritetet britanike dhe duke postuar udhëzime hap pas hapi për të ndihmuar migrantët e paligjshëm të vidhnin në Mbretërinë e Bashkuar.
Në një postim në “Tik Tok”, shihet se si një adresë që dyshohet se përdoret nga një shqiptarë, shkruan:
“Të gjithë të interesuarit që dëshirojnë të shkojnë në Britani të kontaktojnë në këtë profil. Udhëtimi është 100% i sigurt”.
Po ashtu, imazhe e video të tjera ka ndarë edhe përdoruesi me emrin Union Jack, ku shkruan: “Udhëtim i sigurt nga Shqipëria për në Mbretërinë e Bashkuar. Nevojiten 23 mijë euro”.
Madje, këta persona kanë shkuar deri aty sa kanë filmuar emigrantët të vendosur në kamiona. Imazhet janë përdorur si reklamë për këtë veprimtari.
Gjithashtu media në fjalë shkruan, se një llogari shqiptare, e fshirë kohet e fundit, përmbante udhëzues se si të futesh në Britani të Madhe, përmes pikave të kufirit nga Franca, Holanda, Belgjika, Spanja dhe Portugalia. Investigimi i “Daily Mail” ka shkuar dhe më thellë. Ata kanë monitoruar faqen e dikurshme në “Facebook”, “Shqiptarët në Londër”, që përdoret nga përdoruesi Leonard Sufa. Ky i fundit ka ndarë në këtë faqe një foto dhe shkruan: “Nesër pasdite për në
Angli. Të interesuarit të kontaktojnë në DM”.
Ky shqetësim është konstatuar nga autoritetet në Britani, të cilat kanë rritur vigjilencën dhe kanë nisur të kontrollojnë adresat.
Duke iu referuar një burimi nga Policia kufitare në Shqipëri, “Daily Mail” shkruan:
“Një burim na tha se shumica e trafikantëve janë midis moshës 18 dhe 22 vjeç. Kryesisht vijnë nga zona të varfra të Shqipërisë dhe janë rekrutuar me kriminelë, për të punuar në shtëpitë e barit në Britaninë e Madhe”.
Më tej ato shtojnë: “Të rinjtë bien dakord të shkojnë në Angli dhe të punojnë në shtëpitë e barit për të paguar rrugën, e cila shkon deri në 20 mijë paundë”.