Relacioni sekret për Hysni Kapon: Turistët e huaj që vijnë tek ne, thonë se shqiptarët na shohin si kafshë të egra

18 Gusht 2021, 09:52Dossier TEMA
Relacioni sekret për Hysni Kapon: Turistët e huaj që vijnë

Memorie.al publikon disa dokumente të panjohura arkivore me siglën ‘Tepër sekret’, të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë (fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSH-së), të cilat i përkasin vitit 1969, ku ndodhet një relacion i Drejtorit të Sigurimit të Shtetit, Feçor Shehu, dërguar eprorit të tij, ministrit të Punëve të Brendshme, Kadri Hazbiu, ku bëhet fjalë lidhur me komentet e turistëve të huaj që vijnë në Shqipëri dhe ato të shtypit të vendeve të huaja për vendin tonë, si dhe raport-informacioni i vetë ministrit të Punëve të Brendshme, Kadri Hazbiu, dërguar sekretarit të Komitetit Qendror të PPSH-së, Hysni Kapo, lidhur me të huajt që vinin në Shqipëri për probleme pune.  Dokumentet e plota të dy krerëve më të lartë të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Sigurimit të Shtetit, ku ata paraqesin para udhëheqjes së lartë të PPSH-së, problemet dhe shqetësimet e tyre lidhur me turistët dhe të huajt që vinin në Shqipëri, duke specifikuar komentet dhe bisedat e tyre, nga lëvdatat për “vendin e bukur buzë Adriatikut që ndërtonte socializmin”, te sharjet për “Shqipërinë komuniste, që është një vasale e Kinës dhe të huajt i shikojnë si kafshë të egra” etj.

Nga Dashnor Kaloçi

“Një grup turistësh suedezë kur po largoheshin nga vendi ynë janë shprehur: …Ne mësuam shumë nga Shqipëria, jemi të qartë tani për artikujt që shkruajnë disa gazetarë suedezë, të cilët mundohen ta paraqesin të zezë realitetin shqiptar. Na takon ne që të paraqesim të vërtetën mbi Shqipërinë, si është ajo, si ecën në ndërtimin e socializmit të vendit. Ne kemi mësuar shumë mbi vendin tuaj, nga puna e madhe ndërtimtare e popullit tuaj, nga edukata dhe veshja e thjeshtë e rinisë tuaj…”. Po përveç rasteve pozitive, ka edhe shumë prej tyre që kanë shkruar dhe folur keq për vendin tonë duke falsifikuar realitetin. Kështu p.sh.: “Shqipëria, Kina e vogël e Europës, turistët nuk marrin kontakt me popullin, ata i gjuajnë me gurë. Këtu sundon fukarallëku dhe injoranca, kudo ndihet influenca kineze….”

Kështu shkruhet në mes të tjerash në një raport-informacion me siglën ‘Tepër sekret’ të Drejtorit të Sigurimit të Shtetit, Feçor Shehu, dërguar eprorit të tij, ministrit të Punëve të Brendshme, Kadri Hazbiu, i cili mban datën 10.VI.1969, ku bëhet fjalë për turistët e huaj që vinin në Shqipëri, si dhe komentet e ndryshme negative dhe pozitive që ata bënin për vendin tonë. Për më shumë rreth kësaj, na njeh dokumenti në fjalë që Memorie.al e publikon të plotë dhe për herë të parë, bashkë dhe me një relacion të ministrit të Punëve të Brendshme të asaj kohe, Kadri Hazbiu, dërguar sekretarit të Komitetit Qendror të PPSH-së, Hysni Kapo, lidhur me të huajt që vinin në Shqipëri për probleme pune dhe masat që duheshin marrë që ata të mos na merrnin sekretet shtetërore etj.

Informacioni Drejtorit të Sigurimit të Shtetit, Feçor Shehu, dërguar ministrit të Punëve të Brendshme, Kadri Hazbiu

REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPERISE             

TEPER SEKRET

MINISTRIA E PUNEVE TË BRENDSHME                     

EKZE. Nr 2

DREJTORIA E PARE                            

Tiranë, më 10.6.1969

 I N F O R M A C I O N

 MBI TURISTET E HUAJ TE ARDHUR NE VENDIN TONE GJATE KETIJ VITI

Gjatë këtij viti në vendin tonë kanë ardhur rreth 8000 turistë të huaj. Nga korrespodenca që kanë zhvilluar këta me të afërmit e tyre, si dhe nga bisedat e bëra me njerëzit tanë, rezulton se disa prej tyre kanë folur mirë për vendi tonë. Kështu p.sh.:

Një grup turistësh austriakë janë shprehur: “Neve kemi vizituar mjaft vende të ashtuquajtura socialiste, si Poloni, Hungari etj., por vetëm Shqipëria është vend me të vërtetë socialist….” Dy turistë gjermanë kanë thënë: “….Sa ka bërë Partia e Punës Shqipërisë për popullin shqiptar gjatë këtyre 25 vjetëve të çlirimit, nuk ka bërë asnjë Parti tjetër për popullin e vet.

Në Jugosllavi na kanë folur keq për vendin tuaj, por është poshtërsi e madhe që të flasësh keq për një vend burrëror si ky i juaji…”. Një turiste italiane i dorëzon një letër shoqëruesit tonë, ku ndërmjet të tjerash i shkruante: “Të dashur shokë shqiptarë, kam ardhur në vendin tuaj me rastin e 25 vjetorit të çlirimit të Shqipërisë dhe kam mbetur shumë e entuziazmuar nga puna që është bërë gjatë këtyre vjetëve nën udhëheqjen e Partisë dhe udhëheqësit të madh shokut Enver Hoxha. Ju sjell përshëndetje një shoqe italiane që shikon me bindje shpirtin e pamposhtur dhe kurajon tuaj me një admirim të thellë. Rroftë populli heroik shqiptar, rroftë Partia e madhe e Punës, rroftë shoku Enver Hoxha…”.

Duke komentuar marrëdhënien tonë me Republikën Popullore të Kinës, një grup turistësh gjermano-perëndimorë dhe francezë, kanë thënë: “…Juve keni një mik të madh, popullin kinez që ju ndihmon në mënyrë internacionaliste”.

Mjaft turistë të tjerë thonë që në orët e para të qëndrimit në vendin tonë: “Ne po bindemi se Shqipëria nuk është ashtu siç na kanë folur, këtë realitet neve do t’ja themi popullit tonë por sa të kthehemi…”.

Një polemikë dhe luftë e vërtetë është hapur dhe në shtypin suedez midis atyre që shtrembërojnë me qëllim rezultatin dhe atyre që e paraqesin drejt atë. Gazetarja suedeze, Inga-Lill Valftridson, në një artikull të gjatë për Shqipërinë të botuar në “TINGSINGAL”, ndër të tjera shkruante: “…Qëllimi i këtij artikulli nuk është që të detyrojë gazetat borgjeze që të shkruajnë artikuj të mirë për Shqipërinë Socialiste, se kjo do të ishte e pamundur, por të theksojë nevojën e një informacioni më të drejtë mbi Shqipërinë….”.

Një grup turistësh suedezë kur po largoheshin nga vendi ynë janë shprehur: “…Ne mësuam shumë nga Shqipëria, jemi të qartë tani për artikujt që shkruajnë disa gazetarë suedezë, të cilët mundohen ta paraqesin të zezë realitetin shqiptar. Na takon ne që të paraqesim të vërtetën mbi Shqipërinë, si është ajo, si ecën në ndërtimin e socializmit të vendit. Ne kemi mësuar shumë mbi vendin tuaj, nga puna e madhe ndërtimtare e popullit tuaj, nga edukata dhe veshja e thjeshtë e rinisë tuaj…”.

Po përveç rasteve pozitive, ka edhe shumë prej tyre që kanë shkruar dhe folur keq për vendin tonë duke falsifikuar realitetin. Kështu p.sh.: “Shqipëria, Kina e vogël e Europës, turistët nuk marrin kontakt me popullin, ata i gjuajnë me gurë. Këtu sundon fukarallëku dhe injoranca, kudo ndihet influenca kineze….”.

Ndërsa disa të tjerë shkruajnë: “Kryeqyteti shqiptar është vend mjaft i mbyllur, njerëzit këtu janë mjaft të këqij, na shikojnë si kafshë kurioze dhe të egra, imagjinoje një vend injorant nga e gjithë bota dhe në fund të botës. Megjithë vapën e madhe, këtu na detyrojnë të veshim pantallona sipër rrobave, nuk na lejojnë të zbulojmë këmbët. Në vitrinat e magazinave nuk kanë asgjë, vetëm se fotografi dhe propagandë, çdo gjë është demode, amballazhi dhe prodhimet janë të një cilësie shumë të keqe. Nga të gjitha anët shikohen kinezë. Janë prishur kishat dhe xhamitë, nuk ka mbetur asgjë interesante për t’u parë….”.

Kurse një grup tjetër turistësh francezë, shkruajnë:“…Kujtime të bukura nga Shqipëria, ku mjekra na u hoq dhe flokët na u qethën, fustanet e shkurtra, pantallonat e ngushta dhe mjekrat, janë të ndaluara”.

Ndërsa turistët gjermanë, komentojnë:“…Në këtë vend dominon fukarallëku që nuk ta merr mëndja, populli është veshur shumë keq, gratë janë me rroba të gjata dhe pjesërisht me ferexhe, kudo ka vetëm parrulla politike, njerzit na duken të trishtuar, mjeti kryesisht i komunikacionit në Shqipëri, janë biçikletat dhe mushkat, këtu janë mërzitur mjaft, ndoshta nga makinat kineze dhe kinezët…”.

Në letrën e tij një turist zviceran shkruan: “…Shumë përshëndetje nga paradhoma (salloni) i Kinës. Ky është një vend tërheqës, vepron tamam sipas stilit komunist të Maos. Shqipëria është vend i bukur por i varfër. Kujtimet më të mira nga ky vend primitiv dhe i varfër…”.

DREJTORI i DREJTORISE SE I–RE

FEÇOR SHEHU

Raport-informacioni i ministrit të Punëve të Brendshme, Kadri Hazbiu, dërguar Hysni Kapos, lidhur me të huajtë që vijnë në Shqipëri për problem pune

 REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPERISE                

TEPER SEKRET

MINISTRIA E PUNEVE TE BRENDESHME                 

WKZE. Nr 1.

DREJTORIA E PARE                                                            

E përkohshme, 2 vjet

DEGA E III-TE                                                                                                           

NR.I Prot. 285

Tiranë, më 5.XI. 1969

Lënda: Mbi të huajtë, jo diplomatë, që vijnë në Republikën Popullore të Shqipërisë dhe disa mendime mbi këtë problem.

SHOKUT HYSNI KAPO

SEKRETAR I KOMITETIT QENDROR TE PP SHQIPERISE

TIRANE

Si rezultat i vazhdimit me ritme të shpejta të industrializimit të vendit dhe itensifikimit të Bujqësisë, nga viti në vit, po rritet, si në shtrirje ashtu dhe në volum tregtia jonë e jashtme. Tregtarë dhe specialistë për makineritë që tregtohen, vijnë në Republikën Popullore të Shqipërisë nga dhjetra vende të botës dhe numri i tyre çdo vit vjen duke u rritur. Gjatë dy vjetëve, 1967-1968, kanë ardhur 1603 tregtarë dhe specialistë të huaj si dhe 1567 shoferë. Kurse vetëm në gjashtëmujorin e parë të vitit në vazhdim, kanë ardhur 580 tregtarë dhe specialistë të huaj.

Sipas orientimit të tre ministrive, të Punëve të Jashtme, të Tregtisë dhe të Punëve të Brendshme, të vitit 1967, për dhënien e vizave tregtarëve, specialistëve dhe shoferëve të huaj, është ndjekur kjo procedurë.

Pas një praktike relativisht të gjatë me korrespodencë, ekonomistët tanë propozojnë të ftojnë tregtarë të huaj nga vende të ndryshme. Ky propozim shqyrtohet nga drejtoritë e ndërmarrjeve përkatëse tregtare, e cila në qoftë se e quan me vend, ja paraqet për aprovim Ministrisë së Tregtisë. Kur kërkesa aprovohet nga Ministria e Tregtisë, atëhere njoftohen tregtarët e huaj për të bërë një kërkesë për vizën në ndonjërën nga përfaqësitë tona jashtë, njëkohësisht njoftohen për këtë edhe përfaqësitë tona tregtare. Pas kësaj, titullari i përfaqësisë i bën kërkesën për vizë, Ministrisë së P. të Jashtme, e cila pasi i studion personat në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Brendshme, autorizon dhënien e vizës.

Po kështu veprohet edhe me tregtarët që dërgohen në vendin tonë nga përfaqësitë tona tregtare jashtë. Ata pasi marrin aprovimin e Ministrisë së Tregtisë i bëjnë kërkesë titullarit të përfaqësisë për vizë. Për të ftuarit e dikastereve tona qendrore bëhet kërkesa me shkrim me firmën e titullarit të dikasterit direkt në Ministrinë e Punëve të Jashtme.

Përveç specialistëve, tregtarëve dhe shoferëve, të cilët për vetë natyrën e punës qëndrojnë dhe kalojnë në mjaft rrethe, çdo vit në Republikën Popullore të Shqipërisë, vijnë mjaft të ftuar dhe turistë. Vetëm gjatë këtij viti kanë ardhur 8000 turistë, nga të cilët 1400 me qëndrim 7-14 ditor, kurse pjesa tjetër kanë qenë turistë që shoqëritë turistike jugosllave, i dërgojnë tranzit në Shqipëri.

Për të evituar ardhjen pa punë të të huajve si dhe ardhjen në Republikën Popullore të Shqipërisë të personave të padëshirueshëm, orientimi i tre ministrive parashikon një bashkëpunim të ngushtë midis punonjësve të tre ministrive në fjalë, këtu ose jashtë shtetit për studimin, diferencimin dhe seleksionimin e të huajve që kërkojnë të vijnë në Republikën Popullore të Shqipërisë. Por megjithë eksperiencën e deritanishme, ka vërtetuar se në vendin tonë vijnë akoma tregtarë që nuk nënshkruajnë kontrata, pa arsye të justifikueshme, që sorollaten me ditë të tëra për një gjë të vogël ose tregtare, ardhja e të cilëve nuk justifikohet.

Për të evituar në të ardhmen këto, mendojmë se dikasteret qendrore duhet të krijojnë evidenca të rregullta e të plota për të huajtë që vijnë në Republikën Popullore të Shqipërisë, në të cilën do të shënohet koha e ardhjes, vendet që ka frekuentuar, puna që ka kryer, pikëpamjet dhe cilësitë e tij, kapitali i firmës, serioziteti i saj, korrektesa në zbatimin e kontratave me ne etj. Kjo do të lehtësonte shumë punën për seleksionimin e të huajve që kërkojnë të vinë në Republikën Popullore të Shqipërisë.

Për të kryer detyrat e tyre si tregtarë ose si specialistë, mjaft të huaj qarkullojnë në shumë rrethe të vendit tonë. Gjatë bisedimeve tregtare, kqyrjes së mallit, ose gjatë punës, ata shoqërohen me njerëzit tanë të tregtisë ose të ndërmarrjeve të tjera me të cilat kanë punë. Në kohën e lirë, ata mbeten në pjesën më të madhe të rasteve, vetëm, shëtisnin lirisht nëpër qytete ose udhëtojnë nga një qytet në tjetrin, p.sh. nga Durrësi në Tiranë dhe anasjelltas me tren.

Të ftuarve të huaj, institucionet tona përpiqen t’u tregojnë sa më shumë gjëra, ndonjëherë edhe pa ndonjë kriter të studiuar. P.sh. Ministria e Bujqësisë, dërgon një specialist italian për të parë agrumet deri në Sarandë nga bregdeti, kurse në kthim vjen nga Delvina, Gjirokastra, Tepelena, Këlcyra, Berati etj. Ka pas raste që për shoqërimin e të huajve janë caktuar dhe persona me biografi jo të mirë.

Për të evituar lëvizjet e kota dhe për të disiplinuar qarkullimin e të huajve në vendin tonë, mendojmë të merren këto masa:

1.Lëvizjet e të huajve në territorin e R.P. të Shqipërisë dhe personat që do ta shoqërojnë, të jetë kompetencë e zv / ministrit në çdo dikaster.

2.Të zgjidhet itinerari më i shkurtër i lëvizjeve dhe të respektohet me rigorozitet ai.

3.T’u tregohet të huajve vetëm ato objekte ose pjesë të objekteve tona ku ata kanë punë.

4.Ashtu siç është vepruar deri tani, edhe në të ardhmen Ministria e Punëve të Brendshme, të mos u japë të huajve leje-qarkullimin e nevojshëm për të shkuar në vendin ku ka objekte sekrete, në ato rrethe ku zhvillohen lojra të rëndësishme ushtarake, ku ka lëvizëse forcash ose festa.

Dihet se zbulimet e huaja kapitaliste dhe revizioniste i përdorin gjerësisht këto kanale legale pune, për të zhvilluar veprimtari të gjithanshme armiqësore kundër Republikës Popullore të Shqipërisë. Të shumta janë rastet në radhët e tyre, organet e Sigurimit të Shtetit kanë zbuluar mjaft kuadro dhe agjentë të zbulimeve të huaja, të cilët gjatë kohës që qëndronin në vendin tonë, janë përpjekur të grumbullojnë të dhëna me karakter sekret, të realizojnë lidhje të shumta me qytetarët shqiptarë për qëllim studimi dhe përcaktimi kandidaturash për rekrutim, i kanë futur njerëzit tanë në rrugën e kontrabandës, janë përpjekur t’i kompromentojnë moralisht ose materialisht dhe kanë zhvilluar agjitacion e propagandë kundër R.P. të Shqipërisë.

Për t’i prerë rrugën kësaj veprimtarie mendojmë se puna me të huajt duhet trajtuar si një problem serioz. Pas seleksionimit të të huajve që vijnë në vendin tonë, e cila padyshim që është punë kryesore, çështja e thirrjes, pritjes, shoqërimit dhe përcjelljes së të huajve, duhet parë si një detyrë mjaft e rëndësishme.

Është me vend të thuhet se organet e Sigurimit të Shtetit kanë dhe do të kenë detyra të veçanta në këtë drejtim dhe ne përpiqemi t’i kuptojmë dhe zbatojmë ato në përshtatje me gjendjen në zhvillim dhe konjukturat e krijuara, por dhe dikasteret që punojnë me të huajt duhet të ndjejnë se kanë gjithashtu detyra dhe përgjegjësi për t’i shoqëruar dhe kontrolluar ata, për t’i përpunuar ata ideologjikisht si dhe për të mos u dhënë atyre mundësitë të na marrin sekretet, ose të na dëmtojnë. Prandaj, në varësi të volumit të ardhjes aktuale e sidomos në perspektivat e të huajve, ne mendojmë se vlen të studiohet mundësia e krijimit të një sektori për pritjen, shoqërimin dhe përcjelljen e të huajve, pranë Ministrisë së Tregtisë.

MINISTRI I PUNEVE TE BRENDESHME           

KADRI HAZBIU

2 komente në “Relacioni sekret për Hysni Kapon: Turistët e huaj që vijnë tek ne, thonë se shqiptarët na shohin si kafshë të egra”

  1. Llazi , shoku i Hajros says:

    Teme per Muc Xhepen qe ka bere perkthyesin e turisteve, por asnjehere nuk e tha emrin se kush i doli garant per shoqerues turistes kur ai thote qe ishte i persekutuar nga komunistet.
    Une e di arsyen.

  2. qerimi says:

    na re llazi sa spiuna ka shqiperia.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje