Rreth 5 vite më parë, kur një nënë e re në Tiranë vdiq nga zjarri në ashensor, nuk u gjet asnjë fajtor

12 Shtator 2021, 13:29Kronika TEMA

Rënia e ashensorit pak pas mesnatës së të dielës në “Astir”, ku mbetën të plagosura dy gra, ka rikthyer në vëmendje tragjedinë e ndodhur në 20 janar të vittit 2017në një pallat në Tiranë në zonën e “Freskut”.

Në atë ngjarje, humbi jetën 30-vjeçarja Drilona Duriçi, nënë e një fëmije 5 vjeç dhe që ishte në muajin e gjashtë të shtatzënisë.

E reja, e cila po kthehej në shtëpi, pasi kishte dërguar djalin në kopsht, hipi si çdo ditë në ashensor, por pa arritur në katin e tretë. Flakët përfshinë kabinën metalike, ndërsa gruaja humbi jetën në vend.

Por  asnjëherë nuk u mësua se kush ishin përgjegjësit e vërtetë. Prokuroria vendosi ta arkivojë dosjen, duke e cilësuar ngjarjen si aksidentale.

Sipas akteve të ekspertimit të Drejtorisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit, dhe të Inspektoriatit të Shërbimit Teknik Industrial, u konstatua se bëhej fjalë për një ngjarje aksidentale dhe se askush, qoftë individ apo shoqëri, nuk mund të bëhej përgjegjës për vdekjen e gruas së re.

Ekspertët i thanë Prokurorisë se ashensori ishte jashtë çdo kushti teknik dhe se pallati nuk kishte administrator, që të kujdesej për shërbimet.

Nga hetimet dhe pyetja e dëshmitarëve, ka rezultuar që prej rreth 4 muajsh, nuk ishte kryer asnjë kontroll. Personi përgjegjës që merrej me mirëmbajtjen e ashensorit kishte hequr dorë nga kjo punë, se banorët nuk e paguanin.

Gjithashtu, u vërtetua se zjarri nuk u shkaktua nga ndonjë faktor i jashtëm, por si pasojë e djegies së droselit të ashensorit, me flakët që u përhapën kudo.

Amortizimi, mungesa e mirëmbajtjes, por edhe cilësia e dobët e ashensorit dhe instalimeve në të, duket se ka sjellë zjarrin që i mori jetën 30­vjeçares.

Rreth tre muaj pas tragjedisë, prokurorët vendosën të mos fillojnë procedim penal, pasi nuk kishte persona të dyshuar që mund të hetoheshin pa një akuzë konkrete.(si)

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje