Betejat në kufi: Nga shpallja e Pavarësisë, aksioni për kontrollin në veri, tarifa 100% e deri te targat serbe

21 Shtator 2021, 12:30Rajoni TEMA

Pikat kufitare në Jarinje e Bërnjak janë kthyer në zona beteje sa herë Kosova ka shtrirë autoritetin në veriun e banuar me serbë. Ato u përfshinë në flakë me t’u shpallur pavarësia, edhe tre vjet më vonë kur Qeveria “Thaçi” ndërmori aksion për të vënë kontrollin mbi to. Rezistencë e tensione prodhoi tarifa 100 për qind e vendosur nga Qeveria “Haradinaj”, dhe tani reciprociteti i aplikuar nga Qeveria “Kurti”.

Ditën kur Kosova e shpalli pavarësinë, Fatmir Sejdiu si president i shtetit më të ri pati një thirrje për serbët.

“Thirrja jonë është që të kthehen në jetën normale, që të jenë pjesëtarë aktivë në proceset e rëndësishme të jetës së përditshme, por edhe jetës institucionale”, pati thënë Sejdiu më 2008.

Aktiv u treguan, por në një formë tjetër.

Në 24-orëshin e parë të shtetësisë, i vunë flakët objekteve të vendosura në dy pika kufitare – Jarinje dhe Bërnjak.

Në Prishtinë prezantohej një realitet tjetër.

“Mund t’ju konfirmoj se çdo cep i territorit të Kosovës është i garantuar, është i mbrojtur, është i kontrolluar”, deklaroi  kryeministri i asaj kohe, Hashim Thaçi.

Kosova priti më shumë se tre vjet pas Pavarësisë, derisa mori një vendim. Në korrikun e 2011-s, Qeveria Thaçi autorizoi njësitet elite të policisë për të shkuar në të dyja pikat, ku kërkohej të vendoseshin doganierët e t’u ofrohej siguri atyre.

Plani ishte dekonspiruar. Rruga për në Bërnjak ishte bllokuar e në një nga sulmet e armatosura gjatë kësaj rruge ishte plagosur për vdekje polici i elitës, Enver Zyberi.

Edhe pas këtij zhvillimi, pikëkalimit në Jarinjë iu vu flaka.

Situata rriti trysninë ndërkombëtare për dialog. Disa marrëveshje mbërritën në Bruksel, përfshirë atë për menaxhim të integruar të kufirit.

Ministri i Brendshëm i asaj kohe pati një lutje, pasi nisi zbatimi.

“Hajde për hajr. Ishalla ju shkon mirë”, pati thënë i ndjeri Bajram Rexhepi, ministër i Brendshëm i asaj kohe.

Tensionet kishin pushuar në intensitet. Ndërkohë, barrierat e vendosura prej vitesh rrugëve të veriut u hoqën nga KFOR-i.

Në Bruksel dialogu vazhdoi, por marrëveshjet nuk gjenin zbatim.

Pas shumë barrierave tregtare, Qeveria Haradinaj vendosi taksë 100 për qind ndaj produkteve me origjinë Serbinë.

“U bënë 10 vjet nga pavarësia. Shihet që Serbia nuk merr vesh ndonjë gjuhë tjetër”, tha Ramush Haradinaj në atë kohë.

Dy vjet më vonë, Qeveria “Kurti” e zëvendësoi tarifën me reciprocitet, masë që në Beograd u gjykua si akoma më e rëndë.

“Me Serbinë do të kemi reciprocitet politik, ekonomik dhe tregtar”, tha Kurti gjatë mandatit të parë.

Qeveria “Hoti”, që mori detyrën pas rrëzimit me mocion të Qeverisë “Kurti”, e hoqi këtë masë. Por, ishte jetëshkurtër qeveria e tij.

Kurti u rivendos në krye të qeverisë, edhe me premtimin për rivendosje reciprociteti.

“Është çështje ditësh ose javësh. Kurrsesi muajsh. Nuk e di tani cila do të jetë sekuenca, por është ndër gjërat e para që do të bëjmë”, pati thënë Kurti më 22 prill 2021.

Rreth 5 muaj pas zotimit, Qeveria “Kurti” vendosi reciprocitet në një fushë. Nga e hëna, veturat me targa të Serbisë do të mund të qarkullojnë në Kosovë vetëm nëse i heqin ato dhe pajisen me targa të përkohshme të Kosovës.

Edhe kjo masë nisi të zbatohet me ndihmën e njësiteve elite të policisë, por me barriera të serbëve në rrugë e me rezistencën në pikëkalimet në Jarinje e Bërnjak. (Koha)

3 komente në “Betejat në kufi: Nga shpallja e Pavarësisë, aksioni për kontrollin në veri, tarifa 100% e deri te targat serbe”

  1. Taulant says:

    Vendosjen e targave te perkohshme ishte ideja e Vucicit.
    Ai per te mos njohur Kosoven kerkoj qe makinat e Kosoves kur hyjn ne Serbi duhet te pajisen me targa te perkohshme.
    Te njejten gj po ben edhe Kosova.
    Vucici eshte gomar po zihet me Malin e Zi.
    Kryeministri Kroat e quan luftenxites .
    Vetem ky gomari yn ne Tiran i lepin bythen.

  2. Bubuzhel Berati says:

    PYETJA ESHTE E THJESHTE CFARE DO BEJNE TRIMAT E FB KUR NATO E KFOR TE LARGOHET SE TAKSA PAGUESI AMERIKANE NUK KA ASNJE DETYRIME PER NJE KRAHINE DIKU NE BALLKAN QE AS EMRIN SI DINE .

    1. Visi says:

      Bubuzhel,kosovarët rezistuan edhe kur kishin shumë pak aramatime e edhe kur nuk kishin asnjë institucion të mbrojtjes
      E jo më tani kur kemi policinë me njësi speciale e kemi edhe FSK në.
      Armë ka sa të duash nëse ke me çka ti paguash.Kosovarët kanë një diasporë patriote që asnjëherë nuk është kursyer për Kosovën.
      Serbët janë mësuar të luftojnë me popullë duarthatë por në momentin që përballen me ushtri të rregullta ia japin vrapit ashtu siç ndodhi në Kroaci (Në çlirimin e Kroacisë morën pjesë 2000 Shqiptarë).

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje