150-vjetori: “Nderimi, mbijetesa dhe rikthimi i Fishtës në tri kohët e letërsisë”

23 Shtator 2021, 22:03Kulturë TEMA

Është hera e parë që personaliteti si poet, orator, estet, studiues, publicist, mendimtar, botues trajtohet në një forum shkencor në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë.

– Akad. Skënder Gjinushi: Akademia e Shkencave me këtë konferencë po hedh një hap për të inkurajuar mirësekthimin e Fishtës. Nuk është kthim i djalit plangprishës, por i poetit të dëbuar…”-

Në 150-vjetorin e Gjergj Fishtës Akademia e Shkencave mbajti konferencën shkencore ad honorem, “Nderimi, mbijetesa dhe rikthimi i Fishtës në tri kohët e letërsisë”

Është hera e parë që personaliteti si poet, orator, estet, studiues, publicist, mendimtar, botues trajtohet në një forum shkencor në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë.

Konferenca u zhvillua në dy seanca. Seancën e parë e drejtuan akad. Shaban Sinani, prof. dr. Mimoza Priku, prof. dr. Bajram Kosumi dhe seancën e dytë e drejtuan akad. emeritus Gjovalin Shkurtaj, prof. asoc. dr. Monika Hasani, prof. dr. Valter Memishaj.

“Akademia e Shkencave, me këtë konferencë, po hedh një hap për të inkurajuar mirësekthimin e Fishtës.

Nuk është kthim i djalit plangprishës, por i poetit të dëbuar, i cili ka pritur dekada të tëra të na thoshte, ashtu siç shkroi njëri prej pasuesve të tij, Martin Camaj: Unë jam i jueji, ju jeni të mitë. Ose siç pati shkruar Naimi: Unë jam në shpirtin tuaj / Mos më merrni për të huaj.”, -tha në fjalën e hapjes së kësaj konference Kryetari i Akademisë së Shkencave, akad. Skënder Gjinushi:

Ai tha se Gjergj Fishta është një figurë mbizotëruese për botën albanologjike të kohës që jetoi.

“Fishta ka qenë gjithnjë aty ku po ndodhte historia me gjithë dritëhijet e veta; është një emër që nuk mund të ndahet prej momenteve më të rëndësishme të saj.”, tha Kryetari i Akademisë, ndërsa e përqëndroi kumtesën e tij në tri meritat e mëdha të Fishtës si krijues.

Imzot Gjergj Meta, nënkryetar i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë e vlerësoi atin françeskan Gjergj Fishta (1871-1940), si figurën më të madhe dhe më të fuqishme e letërsisë shqiptare të gjysmës së parë të shekullit të njëzet, i cili më shumë se cilido shkrimtar tjetër i dha shprehje artistike shpirtit kërkues të Shtetit të ri sovran shqiptar.

Prof. dr. Bajram Kosumi (Universiteti “Kadri Zeka” i Gjilanit) foli për funksionin edukativ të “Lahutës së Malcìs” dhe vendin e saj në kurrikulat shkollore”. Ai tha se kritikët dhe lexuesit e veprës së Fishtës, duke parë vlerën e lartë të saj, kanë shtruar çështjen e vendit të Fishtës në historinë e letërsisë shqipe. Vepra e Fishtës është e veçantë nga tradita letrare shqiptare. Së pari, Fishta ka shkruar epin kombëtar shqiptar në frymën e romantizmit, atëherë kur romantizmi ishte çështje e historisë së letërsisë dhe atëherë kur shkrimi i epit, si formë letrare, konsiderohej po ashtu si punë e së kaluarës. Epi kombëtar shqiptar “Lahuta e Malcis” e Fishtës, është epi i fundit i një letërsie europiane.

Akad. Ardian Ndreca (Universiteti Pontifikal, Romë) veprën e Fishtës  “Gomari i Babatasit” e vlerësoi si një manifest kundër legjitimitetit të injorancës.

Prof. asoc. dr. Eldon Gjika foli për “Shënimet estetike” të Fishtës;

Akad. Bardhyl Demiraj online nga (Universiteti “Ludëig Maximilian” i Mynihut) mbajti kumtesën midis “Urës së Sutjeskës” dhe asaj të Qabesë: motive folklorike në “Lahutën e Malcìs”.

Prof. asoc. dr. Evalda Paci (Instituti i Gjuhësisë dhe Letërsisë) foli për lirikën e Fishtës në një perspektivë të botimit filologjik e kritik. Ajo tha se në rastin e Gjergj Fishtës lirikat kanë një historik të mirëfilltë, i mundshëm për t’u ndjekur në disa orientime, përfshirë edhe shfaqjet e autorit në revista që lidhen me thelbin e përshpitnisë franceskane, jetëgjatësia e të cilave përkon dhe me momente kruciale të historisë së urdhënit, të cilit ky i fundit i përkiste. Paci tha se vështrimi i lirikës së Fishtës lidhet me njohjen e shfaqjes së krijimtarisë së tij në disa variante.

Dr. Arian Leka (Instituti i Gjuhësisë dhe Letërsisë) mbajti kumtesën “Mitologji e krishterë në veprën e Fishtës”.

Përmbajtja e mitologjisë së krishterë i shfaq Fishtës një horizont kulturor të dallueshëm mes miteve parardhëse dhe miteve “të vërtetë”, për faktin se mitologjia e krishterë iu bënë jehonë realiteteve të rizbuluara, në themel të cilave janë metafora të tilla si hyjlindja, kryqëzimi, ekaristia, mrekullibërja e pelegrinazhi, si mit shpëtimi dhe formë në miniaturë e eksodit.

Duke i lënë për formën e botuar argumentet mbi mitologjinë e krishterë në poezinë a dramaturgjinë e Fishtës propozojmë një zonë jo fort të rrahuar të krijimtarisë së tij, prej nga shfaqja e këtyre motiveve vjen po aq e begatë sa në poezi e dramë, tha dr.Arian Leka.

Prof. dr. Lekë Sokoli mbajti kumtesën “Sociologjia e Gjergj Fishtës.

Prof. dr. Blerina Suta (Universiteti “L’Orientale” i Napolit) në kumtesën “Manzoni dhe poetika e Fishtës”, bëri një vështrim krahasues me poetin Manzoni, lidhur me llojin e vargut, ritmit, rimës spontane dhe sidomos regjistrin leksikor poetik në gegnisht sipas estetikës së Fishtës.

Akad. emeritus Gjovalin Shkurtaj (Akademia e Shkencave) në kumtesën “Urtësia e Malësisë së Madhe dhe malësorëve dhe pasuria ligjërimore malësore në “Lahutën” e Fishtës” tha mes të tjerave se Gjergj Fishta e njohu mirë dhe e deshi Malësinë e Madhe, shkroi për bëmat trimërore e bujarinë e malësorëve një nga poemat më të bukura të letërsisë shqiptare, këndoi në kryeveprën e vet hapësirat e urtësisë, trimërisë dhe bujarisë proverbiale të malësorëve, duke e pohuar e fiksuar në vargje lapidare krenarinë dhe atdhetarinë e malësorëve të Hotit e të krejt Malësisë së Madhe. Ai foli tej për njohjen rreth dukurive gjuhësore që përftohen nga vepra e Fishtës.

Prof. dr. Valter Memisha (Instituti i Gjuhësisë dhe Letërsisë) foli rreth frazeologjisë në publicistikën e Fishtës. Ai tha se Fishta mbart shumësi vlerash dhe vlera të pazbuluara ende. Fishta e njihte më shumë se rrallëkush shqipen, i përdori mjeshtërisht mjetet e saj shënuese e shprehëse, pasuroi ato ndjeshëm, e përpunoi gjuhën në një shkallë përsosmërie, sa veprat e tij mbeten gjedhe e shprehjes gjuhësore dhe jo vetëm….

Prof. dr. Mimoza Priku (Universiteti “Luigj Gurakuqi” i Shkodrës) foli për interpretimet kritike e gjuhësore mbi poetikën e Fishtës.

Prof. dr. Kristaq Jorgo (Universiteti i Tiranës) e Edlira Birko sollën në të konferencë studimin Gjergj Fishta – projektues i botës shqiptare në tekst; ku u theksua vizioni, misioni e funksioni i gjithë veprës së Fishtës.

Prof. asoc. dr. Monika Hasani foli rreth disa strukturave foljore në poezinë e Fishtës; ku ka shjelluar me argumente dhe fakte disa nga strategjitë drejtshkrimore që kapërcejnë përmbi format dialektore.

Akad. asoc. Stefan Çapaliku (Akademia e Shkencave) foli për estetikën e satirës fishtiane. Ai tha se satira e Fishtës imiton, eksploron, analizon të keqen, apo po të përdorim termin aristotelian “të shëmtuarën”, por në të njëjtën kohë ajo bën të ndërgjegjshëm lexuesin për ekzistencën e një gishti të gjatë e të kontraktuar tregues që drejtohet kah e keqja dhe e shëmtuara, për ekzistencën e një “duhet” apo s’duhet” kjo apo ajo gjë, ky apo ai njeri e mentalitet. Satira e ndihmon atë për të marrë një pozicion moral, për të shprehur hapur gjykime. Më tej Çapaliku tha satira e Fishtës vjen e realizuar përmes një shqyrtimi estetik.

Prof. dr. Shaban Sinani (Akademia e Shkencave) mbajti kumtesën:“Sibilat” e Bogdanit dhe “Orët” e Fishtës.

Dr. Tonin Çobani (Universiteti “Luigj Gurakuqi” i Shkodrës) foli për “Shkrolat” e arta të Fishtës. Ai theksoi përdorimin e fjalës “shkrola” në krijimtarinë e Fishtës si një arkaizëm që ka shumë vlerë për fjalorin e shqipes, e cila është një fjalë e rrallë që e ka marrë në konsideratë edhe gjuhëtari i madh Eqrem Çabej.

4 komente në “150-vjetori: “Nderimi, mbijetesa dhe rikthimi i Fishtës në tri kohët e letërsisë””

  1. Nji BARAVO e MADHE per kte kthim ne Atdhe te Omerit Shqiptare
    Te Madhit At.Gjergj Fishta .

    Me duket sikur Shpirti i Shqiptarit ka gjetur vendin e munguar ne kte vend ,
    sikur ai boshllik shpierterore dh Dinjiteti Shqiptarit u vu aty ku meriton te jete .
    Rrespekt Akademise Shqiptare ,
    nji pune e mrekullueshme me kte rehabilitim te nji nder Figurave me te shquara jovetem
    te Literatures Shqiptare por edhe Patriotit e shpirtit te Shqiptarit…
    I paharruar qofte At,Gjergj Fishta

  2. SI says:

    Thua te jete e vertete?!

  3. Migjeni i madh says:

    Ky juajzot gjergj meta (se imzot nuk eshte) paska harruar Migjenin ky muti

    Ndryshimi midis Migjenit dhe Fishtes…..
    Beri ndonje studim kjo i thenci Akademie e qylit?

  4. joel shkodra says:

    … Dhe asgje per luften qe iu be Fishtes gjate 45 vjeteve. Asnje fjale per kockat qe iu hodhen ne lume. Jo, se “akademia” nuk merret me politike.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje